U inaugurua “Parku Japonez”
Sot në Prishtinë me prezencën e të ngarkuarit me punë të Ambasadës së Japonisë në Kosovë Keisuke Yamanaka, kryetarit të Komunës së Prishtinë, Përparim Rama dhe përfaqësuesve të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës u inaugurua “Parku Japonez” me “Qershi Japoneze”, dru dekorativ dhe disa pjesë tjera.
Parku është ndërtuar nga Organizata Joqeveritare ” Qendra për Zhvillime Humane” dhe përkrahur nga Japan Tobacco International (JTI).
Parku gjendet pas ndërtesës së Rektoratit të Prishtinës dhe përball Fakultetit të Arteve të Prishtinës.
I ngarkuari me punë i ambasadës japoneze në Kosovë Yamanaka me këtë rast theksoi përkrahjen të cilën shteti i tij i ka dhënë dhe i jep Kosovës dhe theksoi se me këtë park në kampusinë e Universitetit “Hasan Prishtina” përveç bukurisë së mjedisit i kontribuohet edhe mbrojtjes së ambientit pasi që me drunjtë e mbjella i kontribuohet edhe pastrimit të ajrit.
Ai shprehu përcaktimin dhe angazhimin e vendit të tij për përkrahjen e mëtejme të gjitha proceseve nëpër të cilat kalon Kosova por edhe të projekteve ekologjike.
Kryetari i Prishtinës Rama duke iu falënderuar Ambasadës se Japonisë, Qendrës për studime humane dhe JTI për përkrahje realizimit të këtij projekti theksoi se Komuna e Prishtinës gjithnjë jo vetëm që do ti përkrahë projekte te tilla por edhe do të angazhohet në realizimin e projekteve të reja të cilat kanë për qëllim mbrojtjen e ambientit dhe zbukurimin e mjedisit të kryeqytetit të Kosovës.
Duke u falënderuar për bashkëpunim dhe krijimin e këtij parku të bukur, prorektorja e Universitetit të Prishtinës tha se do të mirëpresin të gjitha iniciativat dhe projektet konkrete të cilat krijojnë kushte më të mira ambientale për studentë dhe stafin e UP-së.
Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës për studime humane, Mimoza Shahini shprehu falënderime për përkrahjen e këtij projekti nga ana e JTI-së dhe tha se në bashkëpunim me këtë kompani kanë realizuar edhe disa projekte tjera në të mirë të qytetarëve të Kosovës.