U jepet vërejtje marketeve në Podujevë për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit
Drejtoria e Inspeksionit në Podujevë nga data 9 nëntor deri më 21 nëntor ka zhvilluar kontrolle në 39 markete të mëdha e të mesme në komunën e Podujevës, ku gjatë këtyre kontrolleve janë monitoruar se a përputhen çmimet e ekspozuara me çmimet në arkë, afatin e skadencës së produkteve dhe vendosjen e flamujve të origjinës së produkteve.
Gjatë kontrolleve inspektoriati komunal i tregut ka shqiptuar mbi 20 vërejtje për marketet për vendosjen e flamujve të origjinës së produktit dhe ka hasur në nëntë markete produkte me afat të skaduar, ku edhe është bërë asgjësimi i këtyre produkteve.
Bazuar në kompetencat e saj, Drejtoria e Inspeksionit ka njoftuar se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta, me qëllim te ruajtjes së konsumatorit nga manipulimet me çmime dhe nga produktet me afat të skaduar.