U kap me drogë, dalin pamjet nga shtëpia/ Flet Enca pas arrestimit: E kam për përdorim vetjak
Këngëtarja e famshme, Ruenca Haxhiaj, e njohur me emrin e artit Enca ka rënë në prangat e policisë. Sipas burimeve, 28 vjeçarja akuzohet për kultivim të bimëve narkotike.
Në verandën e banesës së saj në periferi të kryeqytetit u gjetën 5 vazo ku ishin mbjellë hashash.
Pas arrestimit, këngëtarja ka thënë se është përdoruese dhe e ka për përdorim vetjak. Bashkë me të është kapur dhe i dashuri i Encës.
Banesa e këngëtares ndodhet në periferi të Tiranës në një vilë private.
Kontrolli i policisë në shtëpinë e saj është bërë pasi efektivët e Komisariatit Nr.1 kishin informacion në rrugë operative.
Njoftimi i Policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Balcony”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike.
Kishte kultivuar bimë narkotike, në vazo, në ballkonin e banesës së saj, vihet në pranga 27-vjeçarja.
Sekuestrohen bimët narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se një shtetase kishte kultivuar bimë narkotike, në ballkonin e banesës së saj, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Balcony”.
Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasja R. H., 27 vjeçe, banuese në Lundër.
Gjatë kontrollit në banesën e 27-vjeçares, në ballkon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.