“U kemi shumë borxh për çlirimin e Kosovës”, Kurti takon bashkatdhetarët në aeroport
Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës së diel ka vizituar ambientet e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku është takuar me bashkatdhetarët që po vijnë për pushime në vendin tonë.
Ai me këtë rast ka folur edhe për rolin e mërgatës kosovare në çlirimin e Kosovës.
“Sot e vizitova aeroportin e Prishtinës dhe bashkëbisedova me bashkatdhetarët tanë, të cilit porsa kishin ateruar dhe po prisnin ta merrnin bagazhin dhe të shkonin në vendlindjen e tyre. Bashkëbiseduam për shërbimet në aeroport, por gjithashtu edhe për shpresat e tyre për të ardhmen”.
“Qeveria e Republikës së Kosovës së fundmi ka marrë një vendim që i inkurajon bashkatdhetarët tanë të angazhohen për gjashtë muaj në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në kuadër të programit të diplomacisë qytetare”, ka thënë Kurti.
Ai gjatë kësaj vizite u ndal edhe te sportelet e telefonisë mobile Vala, ku foli për ofertën e kësaj kompanie dhe të platformës e-Kosova.
“Gjithashtu edhe në e-Kosova ne ofrojmë nxjerrjen online të certifikatave të gjendjes civile, të ekstraktit të lindjes, të martesës që po ashtu është një lehtësim për bashkatdhetarët tanë, të cilëve ne u kemi shumë borxh, për shkak se ata me kërkesën e tyre, aftësinë e tyre, historikun e tyre e kanë ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme edhe çlirimin e Kosovës, por edhe zhvillimin e demokratizimit të saj, prandaj oferta jonë me Valën është një mënyrë se si përpiqemi të lajmë një pjesë të vogël të borxhit që e kemi ndaj tyre”, ka thënë Kurti. kp