U kërkua shkarkimi i Gjergj Dedaj, por ai po emërohet ambasador në Maqedoni
Në ditën kur grupi parlamentar 6+ ka kërkuar nga kryeministri Ramush Haradinaj shkarkimin e zëvendësministrit Gjergj Dedaj për shkak të disa deklaratave në lidhje me Turqinë dhe Serbinë, po shqyrtohet mundësia që atij t’i jepet një post me rëndësi.
Gazeta Blic e ka siguruar propozimin e ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, dërguar Komisionit për Punë të Jashtme ku kërkohet që Dedaj të procedohet si ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoni.
Në këtë kërkesë, ndër të tjera thuhet që Dedaj i plotëson të gjitha kushtet ashtu siç e parasheh ligji në fuqi.
Pos Dedajt, mësohet që në shërbimin diplomatik do të sistemohet edhe anëtari i PDK-së, dhe ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.
Sipas kërkesës së ministrit të Jashtëm Behgjet Pacolli, Kastrati është propozuar që të shkojë si ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni.