U kompensua me mijëra euro nga Kuvendi për udhë, Kollçaku thotë se njihet si “deputetja e autobusit”
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mullhaxha-Kollçaku është krenuar se ka udhëtuar me vite me autobus, duke thënë se ajo është “deputetja e autobusit”.
Është ankuar se nuk ka marrë asnjëherë lëvdata publike për këtë punë. Por, emri i “deputetes së autobusit” figuron në listën e ligjvënësve që janë kompensuar me shuma të larta për udhëtimin shtëpi – Kuvend.
Në një emision në “ATV”, deputetja Kollçaku ka thënë se ka udhëtuar me vite nga Peja për në Prishtinë dhe anasjelltas dhe se të gjithë kondukterët e shoferët janë dëshmitarë për këtë.
“Unë kam udhëtuar Pejë-Prishtinë me vite. Unë jam qajo deputetja e autobusit. Dmth këtë e dinë gjithë kondukterat e shoferët që Fatmire Kollçaku ka udhëtuar në baza ditore Pejë-Prishtinë dhe diskutoja me gjysmën e autobusit dhe pastaj gjysmën e çështjeve i ngritsha në Kuvend nga ato çfarë kam dëgjuar nga udhëtarët”, ka thënë Kollçaku në një bashkëbisedim me autoren Adelina Ismajli.
Por, në raportet për shpenzimet e udhëtimeve të deputetëve që janë publikuar sot nga Kuvendi i Kosovës, figuron se edhe ajo ka marrë mijëra euro nga shteti për udhëtime.
Sipas këtyre raporteve, nga gushti i vitit 2017 ajo është kompensuar me gati 10 mijë euro. /GE/
Shpenzimet e Fatmire Mullhaxha-Kollçaku ndër vite:
Janar-dhjetor 2021 – 1 980 euro
Janar-dhjetor 2020 – 1950 euro
Janar-dhjetor 2019 – 1800 euro
Janar-dhjetor 2018 – 3 090 euro
Gusht-dhjetor 2017 – 510 euro