U kujtoftë ndër breza gjaku i familjeve Muçolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha!

15 korrik 2024 | 08:43

Të nderuara familje Muçolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha,

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti,

I nderuar ministër i Kulturës, z. Hajrulla Çeku,

I nderuar kryetar i komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci,

Të nderuara familje të dëshmorëve dhe martirëve,

Shoqata të Dala nga Lufta e UÇK-së,

Bashkëluftëtarë, invalidë dhe veteranë të UÇK-së,

Përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal,

Shumë të nderuar pjesëmarrës,

Mirë se keni ardhur në përurimin e librit “Shtëpia me gjak në mure”!

 

Monografia “Shtëpia me gjak në mure” është shkruar për krimin më çnjerëzor në fundshekullin 20, i njohur në opinion vendor dhe ndërkombëtar me emrin Masakra e Poklekut, kryer nga forcat e armatosura serbe më 17 prill 1999.

Idenë për këtë libër e kam pasur që në kohën e luftës, pastaj edhe pas luftës, por m’u përsërit  pas takimeve me të mbijetuarit e krimit dhe me familjarët e tyre e pas vizitave të shpeshta në këtë vend me përplot dhimbje dhe kujtesë.

Pas më shumë se dy vjetësh punë dhe angazhim të pandalshëm, në bashkëpunim të ngushtë me familjen Muçolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha, dhe pas përkrahjes materiale nga Ministria e Kulturës e bashkëpunimit të mirë me shtëpinë botuese “Armagedoni”, arritëm ta botojmë këtë libër. Sa herë që vija këtu, sa herë që takohesha me familjarët e të mbijetuarve, sa herë që dëgjoja rrëfimet e tyre, obligimi kombëtar më shtohej për ta dokumentuar gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Pesë heronjtë e gjallë që i mbijetuan krimit sot i kemi këtu. Fatkeqësisht, nuk e kemi në mesin tonë një tjetër të mbijetuar. Na mungon Ramadan Muçolli, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2020.

Shumë të dashur të mbijetuar,

Baca Hysen Kluna, Elhame Muçolli, Lumnije Hysenaj-Muçolli, Arbenita Muçolli dhe Leotrim Caraku, ju lutem ngrehuni pak çaste në këmbë t’ju shohin këta të pranishëm. Unë me ju arritëm ta dokumentojmë krimin që ju kishte ndodhur këtu juve dhe familjarëve tuaj.

Ky libër burim kryesor ka kujtesën e këtyre të mbijetuarve, edhe arkivin e familjeve që pësuan në këtë masakër. Në libër flasin të mbijetuarit dhe dëshmitarët. Kujtesa e tyre ende është e freskët. Traumat e tyre u vlojnë në shpirt dhe mendje. Gjurmët e krimit ende janë këtu, në shtëpinë e shpallur muze. Këta e panë me sy vrasjen dhe djegien e anëtarëve të familjes. E përjetuan me trupin e vet. Janë në këtë libër edhe dëshmitë e familjarëve dhe të dëshmitarëve okularë të cilët u ballafaquan me mbledhjen e mbetjeve mortore të eshtrave dhe nxjerrjen e trupave të vrarë e të masakruar të hedhur në bunarë.

Përzemërsisht i falënderoj për bashkëpunim të ngushtë anëtarët e familjes Muçolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha. Pa angazhimin e tyre “Shtëpinë me gjak në mure” nuk do ta kishim edhe në letër të vrugtë.

Ju bijtë dhe bijat e këtyre familjeve, përjetë do të jetoni në kujtesën time për lotët dhe emocionet që derdhët dhe shfaqët gjatë realizimit të intervistave me mua.

Faleminderit të gjithë bashkëpunëtorëve, redaktorit Berat Dakaj, recensentit Durim Avdullahu për parathënien dhe sugjerimet, përkthyeses së teksteve nga gjuha angleze në shqipe, Besarta Demaku, fotografit Xhevat Qorri e shumë të tjerëve.

Falënderim të veçantë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministrin Hajrulla Çeku, Merita Ndrecajn, drejtoreshë për Trashëgimi Kulturore në MKRS, drejtorin e Agjencisë për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, Imer Hakaj. Falë angazhimit tuaj kjo monografi e pa dritën e botimit. Shpresojmë që edhe në të ardhmen institucionet e shtetit të Kosovës do të financojnë, organizojnë dhe përurojnë libra të tilla.

Njëzëri sot themi, se çlirimi i Kosovës i ka rrënjët në gjakun e derdhur ndër etapa, të nënave dhe të baballarëve tanë, të dëshmorëve, të fëmijëve, të djemve dhe vajzave tona. Duke e lexuar këtë libër mund ta çmojmë edhe më shumë lirinë sesa e kemi çmuar deri më sot, sepse kur gjaku i derdhur vlerësohet dhe lartësohet, edhe liria ka shije më të mirë.

Shpresoj që kjo monografi do t’i shërbejë edhe qeverisë sonë, kryeministrit Kurti dhe cilido tjetër, për arkivim dhe dëshmi ndërkombëtare në çdo bisedë me palën serbe në prani të ndërkombëtarëve. Gjithashtu, shpresoj shumë se ky libër sadopak t’ua lehtësojë dhimbjet familjarëve të kësaj masakre, të cilët për çdo ditë presin drejtësi për dënimin e kryesve të krimit.

Faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin!

U kujtoftë ndër breza gjaku i familjeve Muçolli, Elshani, Caraku dhe Hoxha!

Ju faleminderit!

 

Fjala e rastit e autorit të librit “Shtëpia me gjak në mure”, Afrim Hysenaj, lexuar ditën e shtunë, më 13.07.2024, në oborrin e shtëpisë-muze në Poklek të Vjetër

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Frank Guan Përktheu dhe përshtati në shqip: Hortensia Pëllumbi…