U mbajt konferenca ‘Gruaja në diasporë – digë e fuqishme kundër asimilimit’
Nën organizimin e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike është hapur të hënën konferenca ‘Gruaja në diasporë – digë e fuqishme kundër asimilimit’ në të cilën po marrin pjesë më shumë se 45 gra nga vende të ndryshme.
Konferencën e ka hapur zëvendësministri i Diasporës Isni Kilaj, i cili ka thënë se kjo konferencë i kushtohet rolit të gruas në diasporë, e cila ka rëndësisë në bartjen e kulturës dhe traditës shqiptare në diasporë. “Konferenca është në kuadër të aktiviteteve që Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike këta dy muajt e verës. Është një konferencë e cila i kushtohet rolit të gruas shqiptare në diasporë, e cila ka rëndësisë në bartjen e kulturës dhe trashëgimisë sonë shqiptare. Ajo është shtylla e familjes e kombit. Nëna është gjithmonë e cilësuar kështu në Kosovë dhe këtu do të zhvillohen tema që kanë të bëjnë me rolin e gruas dhe nënës shqiptare në këto kushtet e migrimit tonë në diasporë”, ka deklaruar ai.
Kilaj vlerëson se diaspora shqiptare në botë e sidomos në Evropë është ndër më të organizuarat.
Temat kryesore që u trajtuan nga panelistet ishin vështirësitë kryesore me të cilat ballafaqohet gruaja shqiptare në diasporë, shkurorëzimet, dhuna në familje dhe dukuritë e tjera devijuese, sa e si ndihmojnë gratë e suksesshme të diasporës organizimin e grave shqiptare në diasporë, emancipimi dhe integrimin e tyre.
Konferenca “Gruaja në diasporë – digë e fuqishme kundër asimilimit” do të zgjasë dy ditë, ndërsa në ditën e dytë do organizohet një shëtitje në pika turistike të Kosovës.