U mbajt manifestimi letrar “Vjeshta dhe vargjet”
Dje në Bibliotekën e Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas është mbajtur edicioni X i manifestimit letrar ,,Vjeshta dhe vargjet” organizuar nga Asociacioni i Letrarëve dhe Artistëve Art Club “Rifat Kukaj” në Drenas, në kujtim të poetit Rifat Kukaj.
Manifestimi filloi me një minutë nderim në kujtim të poetit Adem Gashi, më pas vazhdoi me tryezën tematike për krijimtarinë letrare të shkrimtarit Rifat Ismaili. Me kumtesa u paraqitën: Dr. Emin Z. Emini, doktorante Kosovare Krasniqi dhe Ajete Zogaj, kritike letrare.
Në kuadër të manifestimit u mbajt ora letrare “Rifat Kukaj”.
Juria në përbërje: Berat Dakaj, kryetar, Isuf Hoxha dhe Xheladin Mjeku, anëtarë, pasi vlerësoi 60 poezitë e arritura në konkursin anonim letrar, dha këto çmime:
Vendin e parë poezisë “Vdekja e përjetuar për së gjalli”, shifra “Kalendari letrar”;
Vendin e dytë poezisë “Dua t’ia kthej gjyshes përrallat”, shifra “EDAL 958”;
Vendin e tretë poezisë “Janë do çaste”, shifra “Liriku”.
Çmimin motivues për të rinj e mori krijuesja e re Edonisa Gaxhiqi, ndërsa çmimin për vepër jetësore Kryesia e Art Club “Rifat Kukaj” ia dha shkrimtarit Rifat Ismaili.
Në hollin e shkollës u hap edhe ekspozita e artit figurativ me grafikat e Fisnik Lekut.
Në fund u nderuan me mirënjohje për kontribute në organizim të manifestimit: Lulzim Logu nga Tropoja, Lulzim Nikaj, drejtor i ShMP “Fehmi Lladrovci” dhe piktori Fisnik Leku.
Procesverbal i jurisë letrare, e themeluar nga Asociacioni i Letrarëve dhe Artistëve Art Club “Rifat Kukaj”, Drenas
Me rastin e organizimit të edicionit X të manifestimit letrar “Vjeshta dhe vargjet”, Asociacioni i Letrarëve dhe Artistëve Art Club “Rifat Kukaj” me datën 30 janar 2024 ka shpallur konkursin letrar për poezi për vendin e parë, të dytë dhe të tretë, i cili ka qenë i hapur deri me datën 7 shkurt në orën 24.00.
Konkursi, përpos në rrjete sociale, ka qenë i shpallur edhe në medie elektronike.
Pas mbylljes së konkursit, me datë 8 shkurt Asociacioni i Letrarëve dhe Artistëve Art Club “Rifat Kukaj” ka mbajtur një mbledhje, në të cilën ka formuar jurinë për vlerësimin e poezive dhe për dhënien e shpërblimeve. Po në këtë mbledhje juria ka marrë nga themeluesit e Asociacionit poezitë e dërguara nga krijuesit, të shtypura në tri kopje.
Si rrallëherë tjetër, mbase për shkak të jubileut të këtij manifestimi, në email adresën [email protected] janë dërguar 60 poezi me tema dhe motive të ndryshme, poezi kryesisht përkushtuese, atdhetare, erotike dhe sociale.
Juria, në përbërje të: Berat Dakaj, kryetar; Xheladin Mjeku dhe Isuf Hoxha, anëtarë, kanë mbajtur dy mbledhje: një me datë 9 shkurt, tjetrën sot, gjatë të cilave ka bërë vlerësimin e poezive për tri çmimet, ka verifikuar nëse poetët i kanë respektuar kriteret e konkursit dhe kanë vlerësuar si vijon:
- Pesë poezi janë shkualifikuar për shkak se krijuesit e tyre nuk kanë respektuar kriteret e konkursit. Kanë qenë më të gjata se 30 vargje;
- Një poezi, e dërguar në këtë konkurs, është shpërblyer në manifestimin “Guri i Plakës” që organizohet nga Art Club “Rifat Kukaj”;
- Dy poezi, të dërguara në këtë konkurs, janë paraqitur në konkurse të tjera komunale.
Së këndejmi, duke pasur parasysh një garë të madhe për nga vëllimi e të ngushtë për nga vlerat artistike, dhe duke dashur ta ruajmë traditën e këtij manifestimi, që çmimet mos t’i ndajmë në dysh, por t’i japim të plota, kemi dhënë këto çmime për këto tri poezi:
- Çmimin e tretë poezisë “Janë do çaste”, me shifrën “Lirika”;
- Çmimin e dytë poezisë “Do t’ia kthej gjyshes përrallat”, me shifrën “Edal958”;
- Çmimin e parë poezisë “Vdekje përjetuar për së gjalli”, me shifrën “kalendari letrar”.
Këto çmime kanë këto vlera monetare: çmimi i tretë 100.00 euro, çmimi i dytë 150.00 euro, çmimi i parë 200.00 euro. Tërheqjen e shpërblimeve fituesit do të mund ta bëjnë pasi me kopje fizike ose elektronike ta dëshmojnë autorësinë. Pagesa do t’u bëhet nëpërmjet transferimit bankar.
Gjithashtu, po kjo juri dha edhe çmimin motivues “Iliaz Prokshi” për poeten e re Edonisa Gaxhiqi.
Juria:
Berat Dakaj, kryetar__________________
Xheladin Mjeku, anëtar__________________
Isuf Hoxha, anëtar__________________
Drenas, 10.02.2024