U mbajt nata e parë e edicionit të nëntë të festivalit folklorik “Oda e Llapushës”
Mbrëmë nisi edicioni i nëntë i festivalit tradicional të folklorit “Oda e Llapushës” në Malishevë, nën përkujdesjen e kryetarit të komunës, Ekrem Kastrati. Ky festival, i cili ka për qëllim ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, mblodhi së bashku grupe, ansamble, shoqëri, dhe rapsodë nga të gjitha trojet shqiptare.
Në ceremoninë e hapjes, kryetari Kastrati theksoi rëndësinë e festivalit në promovimin e kulturës dhe traditës vendase. Ai përgëzoi pjesëmarrësit dhe u uroi suksese në këtë festival garues, i cili njëkohësisht nxjerr në pah pasurinë kulturore të Malishevës. Kryetari nënvizoi se Malisheva ka qenë gjithmonë një vatër e rapsodisë dhe muzikës tradicionale, duke prodhuar emra të njohur si Salih e Feriz Krasniqi, Sefë Mleqani, dhe legjendën e muzikës, “Bilbili i Kosovës”, Nexhmije Pagarusha dhe shumë e shumë emra të tjerë, deri në ditët e sotme.
Ngjarja u pasurua edhe me praninë e qytetarëve të nderit të sapo shpallur të Malishevës: David Carr, anëtar i Këshillit të shtetit të New York-ut, Charles D. Fall, anëtar i Asamblesë së shtetit të New York-ut, dhe veprimtari i njohur Naser Nika. Ata përshëndetën të pranishmit dhe vlerësuan rëndësinë e festivalit si një platformë për promovimin e vlerave kulturore. Gjithashtu, ata shprehën gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes Malishevës dhe shtetit të New York-ut, duke paralajmëruar edhe binjakëzimin me një nga qytetet e këtij shteti.
Gjatë natës së parë të festivalit, u prezantuan 14 grupe dhe rapsodë me pikat e tyre artistike. Sonte do të mbahet nata e dytë dhe finale, ku juria profesionale, e përbërë nga Prof. Dr. Zymer Neziri, Prof. Dr. Adem Zejnullahu, dhe koreografi Haki Mullqi, do të vlerësojë performancat sipas rregullave të festivalit. Çmimet kryesore të festivalit përfshijnë çmimin “Salih e Feriz Krasniqi”, si dhe çmime të tjera, përfshi çmimi për debutantin më të ri, çmimi i diasporës e ai i publikut.
Ky festival vazhdon të jetë një ngjarje kyçe për ruajtjen dhe promovimin e kulturës tradicionale shqiptare, duke sjellë bashkë pjesëmarrës dhe dashamirës të folklorit nga të gjitha anët.