U mbajt Nata e Zjarreve në Prekaz
Në kuadër të shënimit të “Epopesë së UÇK-së”, sonte në Prekaz u mbajt manifestimi tradicional “Nata e Zjarreve”.
Përmes ndezjes së flakadanëve të lirisë u përkujtua sakrifica e komandatit Adem Jashari dhe e familjes së tij. Në këtë manifestim tradicional mori pjesë një numër i madh i qytetarëve.
Pas ndezjes së flakadanëve, në sheshin e Skenderajt po mbahet program artistik.
Manifestimi gjithëpopullor “Epopeja e UÇK-së” ka nisur më 5 mars (e diel) dhe zgjati deri sonte (e martë), kur përfundoi me manifestimin “Nata e Zjarreve”.
Më 5 mars janë bërë 25 vjet nga rënia e komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Mirëpo, çdo përvjetor Adem Jasharin e bënë më të lavdishëm në historinë e kombit tonë. Me aktin e rënies së komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë, Kosova kishte mundur frikën me çka i kishte hapur shtigjet e lirisë dhe të ardhmërisë. Dhe jo rastësisht, në Prekaz, në Lagjen e Jasharëve ishte ngritur monumenti më i madh i luftës për liri, për pavarësi e demokraci, që këto ditë dhe data, e pikërisht 5,6,7 mars për çdo vit vëmendja e të gjithë kombit shqiptar kthehet nga Prekazi, që shekuj e vite i kishte dhënë shumë Kosovës.