U nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi midis Kuvendit dhe organizatës Balkan Green Foundation
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të hënën në takim drejtorin ekzekutiv të organizatës Balkan Green Foundation (BGF), Agron Demi, me të cilin nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi për mbështetjen e shërbimeve hulumtuese dhe analitike në Kuvend përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Institutin Parlamentar.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është krijimi i një platforme bashkëpunimi në hulumtime dhe analiza që ndihmojnë Kuvendin e Kosovës në formulimin e politikave dhe ligjeve që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm.
Sipas marrëveshjes, BGF do të mbështesë Drejtorinë e Përgjithshme duke kryer hulumtime dhe analiza për politika të gjelbra dhe zhvillim të qëndrueshëm, për të mbështetur deputetët dhe organet e Kuvendit në procesin ligjbërës, mbikëqyrës dhe përfaqësues, si dhe do të angazhohet në fushata edukuese dhe promovuese për të rritur ndërgjegjësimin për kujdesin ndaj mjedisit.
Balkan Green Foundation gjithashtu do të ndajë informacione dhe njohuri të marra nga hulumtimet dhe fushatat e tyre me Drejtorinë e Përgjithshme dhe organet e Kuvendit, si dhe do të bashkëpunojë në ngritjen e kapaciteteve hulumtuese dhe analitike, në shkëmbim të përvojave dhe në zhvillimin e platformave të diskutimit.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Kuvendi i Republikës së Kosovës, përkatësisht drejtoria e përgjithshme për Institutin Parlamentar ndan të dhëna dhe informacione relevante me BGF-në për të lehtësuar hulumtimet dhe analizat, duke respektuar legjislacionin në fuqi dhe rregulloret e Kuvendit, mundëson shpërndarjen e studimeve të BGF-së, si burime të klasifikuara zyrtare në lidhje me fushën e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm si në edukim, ndërgjegjësim dhe praktika profesionale për institucione publike dhe private, siguron ndarjen në kohë dhe të saktë të të dhënave për nismat hulumtuese të ndërmarra nga BGF që ndërlidhen me Kuvendin, si dhe, ndër të tjera, ndan ekspertizë dhe burime njerëzore për të mbështetur zbatimin e nismave të përbashkëta.