U përurua romani “Shtjellat e një qyteti” i Rifat Muriqit
Sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës është bërë përurimi i romanit “Shtjellat e një qyteti” i autorit Rifat Muriqi. Botuesi Berat Armagedoni tha se është ndier mirë atë ditë që e ka pranuar dorëshkrimin dhe detyrën nga autori dhe redaktori për botimin e librit. “As lavdet as kritikat nuk i kanë hije një botuesi për një autor të vetin dhe për veprën e tij. Ato mund t’i shkruajnë dhe t’i shprehin lexuesit. Mund t’i shprehni ju që jeni këtu e që e keni lexuar. Unë mund t’ju flas për përshtypjet e mia për këtë roman dhe t’ju bëj me dije se vjet kam botuar disa vepra të disa autorëve, por kam botuar edhe dy romane të mira. ‘Arkivin e letrave të djegura’ të Arif Molliqit dhe ‘Shtjellat e një qyteti’ të Rifat Muriqit”, tha botuesi Armagedoni.
Redaktori i librit, Adem Gashi, duke bërë krahasime të veprave të shkrimtarëve botërorë me romanin e Muriqit dhe duke nxjerrë paralele nga veprat pararendëse të këtij autori, tha se Muriqi ka shkruar një roman të mrekullueshëm, të një kategorie, për nga vlera letrare, botërore, kurse për nga lloji i krijimtarisë së autorit, më të përsosurin.
Fjalë rasti e botuesit:
Miq dhe dashamirë të Rifatit dhe të letërsisë,
Mirë se keni ardhur!
Nuk do t’ju mbajmë gjatë këtu. Do t’i biem trup.
Adem Gashi, redaktori i këtij libri, nuk ka qejf që gjithmonë t’i jepet fjala të parit. S’do t’ia japim as sot. Edhe autori, edhe redaktori, pra edhe Rifati, edhe Ademi, ma kanë besuar mua botimin e këtij libri. Jam ndier mirë atë ditë që e kam pranuar dorëshkrimin dhe detyrën, po ndihem edhe më mirë sot që po bëjmë përurimin. As lavdet as kritikat nuk i kanë hije një botuesi për një autor të vetin dhe për veprën e tij. Ato mund t’i shkruajnë dhe t’i shprehin Ademi dhe ndonjë prej jush nëse e ka lexuar këtë roman. Unë do ta jap përshtypjen time për romanin e Rifatit.
Rifat Muriqi para këtij romani i ka shkruar dhe botuar tre të tjerë. I ka botuar, dy të parët (Fati i dervishit dhe Hana vendos të shkruajë) tetë vjet më parë, të tretin (Njeriu që donte të vdiste) gjashtë vjet më parë. Pasi e lexova romanin e tij të fundit, Shtjellat e një qyteti, doja të dija arsyen pse Rifat Muriqi ka pritur gjashtë vjet ta botojë një të ri. Ende s’e kam pyetur. Po nëse gjatë këtyre gjashtë vjetëve ka punuar vetëm në këtë roman e nuk e ka shkruar edhe një tjetër, e arsyetoj. E arsyeton puna. E arsyetojnë ndreqjet stilistike. Enigmat. Personazhi i pazakonshëm në letërsinë shqipe. Kur redaktori Adem Gashi ma propozoi për lexim dhe botim romanin e Muriqit, më foli pak edhe për përmbajtjen e tij. Lashë mënjanë disa dorëshkrime të tjera, të disa autorëve, e shtypa një kopje dhe e lexova me laps në dorë romanin e Muriqit. Gjeta në të jo një temë të patrajtuar, po një personazh të panjohur në letërsinë shqipe. Një personazh të ri. Një personazh që paraqitet shurdhmemec e që nuk është i tillë. Një personazh që gjatë gjithë jetës vetëm mbledh informacione për punën dhe karakteret e persona(zheve) të tjera dhe, në fund të kapitullit të jetës, shkruan një ditar për përjetimet e veta emocionale dhe për të bëmat e të bërat e të tjerëve në qytetin e lindjes. Ai është vrojtues kritik i një kronike historike. Ai, duke u paraqitur torollak dhe shurdhmemec, dëshiron të dijë çfarë ka ndodhur me prindërit e tij. E lëndojnë në shpirt ato që i ndodhin para syve në qytetin e Pejës, ato që i dëgjon, që i ndien, që i përfytyron. Të gjithë e trajtojnë të mjerë dhe të paaftë. Por, ai është më i mençuri prej tyre. Ai bëhet që nuk kupton asgjë, që nuk di të flasë, që nuk di të kuptojë. Por, ai di çdo gjë për çdonjërin. E di kush është burrë i mirë dhe kush tjetër burrë i keq. Për shkak të “paaftësisë” së tij, atij i besojnë të gjithë. Ia çelin dyert e oborrit, të shtëpisë, të banesës, të studios, të zyrës, kohë e pa kohë. Boshnjakja Esma, edhe të zemrës. Ajo dhunohet në moshën e rinisë, humbet virgjërinë nga një burrë i vjetër dhe detyrohet nga familja të martohet me të. Megjithatë, fëmijët nuk i bën me të. I bën me Zenelin, me shurdhmemecin, i cili, përpos që di të bëjë dashuri, është i aftë ta lë shtatzënë tri herë. Rrjedha e jetës së tyre është edhe e mjerë, edhe e dhimbshme. Aspak më e këndshme nuk është e të tjerëve, e zullumqarëve, e bashkëpunëtorëve të regjimit, të cilët, në fund, kur marrin vesh se Zeneli nuk ka qenë shurdhmemec, por është paraqitur i tillë; kur, po ashtu, marrin vesh se ai ka lënë një ditar për vete dhe për të tjerët, trazohen. Prandaj, me Shtjellat e një qyteti, sidomos me Zenelin, Muriqi ka begatuar letërsinë tonë. Se çfarë begati ka sjellë, tash mund të na flasë Ademi.