U përuruan dy libra të Xhevdet Bajrajt
Dje, me fillim në orën 18.00, në Rahovec, në oborrin e Muzeut të Rahovecit, është bërë përurimi i dy librave të Xhevdet Bajrajt, “Kur qajnë hardhitë” dhe “Ca kokrra rrushi nga Rahoveci”, botuar nga shtëpia botuese “Armagedoni”. Për këtë libra ka folur botuesi Berat Dakaj, kurse kanë recituar poezi të tij dy aktorë. Ndërkaq, autori Xhevdet Bajraj ka thënë se ndihet i nderuar nga vendlindja për këtë organizim të përurimit të librave të tij dhe me pjesëmarrjen e miqve dhe dashamirëve të kulturës.
Më poshtë keni kumtesën e botuesit për librat e Bajrajt.
Dy librat e Bajrajt që kullojnë dhembje
Berat Armagedoni
Për herë të tretë brenda dy muajve Xhevdet Bajrajt po i përurojmë në Kosovë librin në gjuhën shqipe dhe në gjuhën spanjolle, “Kur qajnë hardhitë”. Ndërkaq, për herë të parë po i përurojmë librin tjetër botuar para dhjetë ditësh, “Ca kokrra rrushi të Rahovecit”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Koliqi”, botimin e të cilit e ka përkrahur pjesërisht Ministria e Kulturës e Kosovës.
Librin “Kur qajnë hardhitë”, për shkak të interesimit të madh të lexuesve, shitjes së tij, brenda një muaji e kemi shtypur për herë të dytë po aq sa herën e parë: 500 ekzemplarë. Jehona e botimit të tij është bërë e madhe edhe në Meksiko Siti, vend në të cilin që prej përfundimit të luftës jeton Xhevdet Bajraj, po sidomos kudo ku flitet shqip. Shkrimtari me nam të madh shqiptar dhe botëror, Fatos Kongoli, për Bajrajn ka thënë se sot është poeti më i mirë shqiptar. E thotë këtë një shkrimtar me shije të hollë, që ka shkruar dhjetëra vepra, secilën më të mirë se tjetrën.
Po ato poezi të mira që i ka libri “Kur qajnë hardhitë”, ato vlera letrare i ka edhe libri “Ca kokrra rrushi të Rahovecit”, i cili do ta ketë jehonën e tij sepse poezitë e tij kanë brumë, motive, persona dhe personazhe nga Kosova, ata që e kanë Kosovën në mendje dhe në zemër, edhe ata të tjerët që gjithë ditën e zënë emrin e saj ngoje kudo që u shkel këmbë në dhe të huaj, qoftë për të mirë, qoftë për të keq. Dhe kur lexohen këta dy libra të Bajrajt, njeriu vrojton se autori i tyre, kudo që shkon, Kosovën e ka në mendje dhe në zemër, sepse nis e sos shkruan për vlerat e saj njerëzore, për bukuritë e saj natyrore, për njerëzit e saj të mirë, për disa njerëz të ligj dhe për disa të dalldisur krejt, të cilët, meqë nuk kanë trashëguar kulturë familjare e as nuk kanë përfituar nga kultura e mirë e të tjerëve, nëpërkëmbin kulturën, administratën, institucionet e shtetit dhe njerëzit. Këtyre, me poezi, Bajraj u hakërrehet fort, sepse ato dëme që ata ia bëjnë vendit, ky i përjeton si dhembje fizike bërë trupit të tij.
Këta dy libra me poezi të Bajrajt, edhe pse pjesërisht janë shkruar në Meksiko Siti, topikën e kanë në Kosovë, në të gjithë rajonet e saj, aty ku është përjetuar torturë, ndjekje, plagosje, vrasje, masakër, robëri në kohë luftë; edhe liri, përbuzje, nëpërkëmbje, varfëri në kohë paqe. Patjetër edhe ne që jemi këtu e kemi gjetur dhe do ta gjejmë edhe më tutje vetveten në këta dy libra teksa numërojmë ndodhitë e njëri-tjetrit, sidomos ato në dy dhjetëvjetëshit e fundit.
Vështruar në tërësi, këta dy libra me poezi janë miniatura poetike. Përbrenda tyre ka portrete, përshkrime, kujtime, njoftime, rrëfime për karaktere njerëzish, skena komike dhe tragjike, skica dhe skeçe. Duke pasur shije të hollë për këtë lloj të shkrimit dhe për përzgjedhje të këtyre miniaturave, kujdes të posaçëm u kushton edhe titujve të tyre, të cilët janë, pjesa më e madhe e tyre, me vetëm nga një fjalë, kryesisht emra.
Ashtu sikurse që ka me bollëk figura libri “Kur qajnë hardhitë”, rrush prej figurave stilistike janë edhe poezitë e librit “Ca kokrra rrushi të Rahovecit”. Ka në to simbol, personifikim, antitezë, krahasim, metaforë, hiperbolë, litotë, inversion, paradoks, alegori, paralelizëm figurativ. Ka kujtime të mira dhe të këqija. Ankth dhe stres. Krime dhe dëshmi. Foshnja, fëmijë, të rinj, të moshuar, të vjetër. Të gjallë dhe të vdekur. Edhe të vrarë në Abri dhe Padalishtë. Edhe prezantim të krimeve e të dëmeve të mëdha serbe bërë në Kosovë, duke numëruar fëmijët, vajzat, gratë, të moshuarit, pleqtë dhe plakat. Dmth., poezia e Bajrajt ka, përpos letrar, edhe dimension historik, të historisë më të re të Kosovës. Pa dyshim se, duke shkruar poezi edhe në gjuhën spanjolle, të cilat numërojnë disa prej krimeve serbe në Kosovë, autori ndërkombëtarizon çështjen e popullit dhe të kombit tonë.
Më tutje, poezia e tij ka homazh për dëshmorë, heronj, viktima dhe ka mirazh për disa udhëheqës zyrash të të sakatosurve në beteja të luftës, të cilët mezi s’presin t’i korruptojë dikush. Ka dhe ftesë për protestë të qetë e zë të ngritur kundër atyre që pronën e shtetit e përdorin dhe e keqpërdorin më shumë se pronën e vet private. Ka hakërrimë njerëzore për padrejtësi të ndryshme shoqërore.
Që t’i bie më shkurt, si njëri, “Kur qajnë hardhitë”, si tjetri, “Ca kokrra rrushi të Rahovecit”, janë libra me poezi dokumentare, janë pjellë e luftës së Kosovës dhe lirisë së nëpërkëmbur të saj. Këso përmbledhje me ngjarje të luftës e të pasluftës, shkruar në këto përmasa shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore, për dëmet njerëzore dhe ekonomike që i janë bërë vendit tonë nga serbët, na kanë munguar gjatë dhe shumë ashtu siç u kanë munguar për disa vjet boshnjakëve librat e Izet Sarajliqit dhe të Marko Veshoviqit, të cilët kasaphanën serbe dhe dhembjen e madhe boshnjake e kanë dërguar në çdo vend të botës. Veprat e Xhevdetit kanë përafri të madhe me të tyre.
Ky autor me këto dy vepra letrare është përkujdesur për të kaluarën tonë të përgjakshme më mirë se një historian. Prandaj, në vendlindjen e vet dhe në popullin, shtetin dhe kombin tonë, meriton nderim të madh.
Pastë shëndet të mirë për të ngrënë edhe shumë kokrra rrush dhe për të shkruar sërish ca kokrra rrushi jo vetëm nga Rahoveci!
(Shkruar posaçërisht për përurimin e dy librave të Xhevdet Bajrajt, në Rahovec)