U riu e harron armën ilegale në tualetin e restorantit, polici civil e kap mat
Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë.
Një rast i tillë është zbuluar së fundmi në një restorant në Vushtrri, ku një zyrtar policor ka kapur një person me armë ilegale.
Siç mëson Sinjali bëhet fjalë për një 26-vjeçar, i cili po dyshohet se ishte futur në lokal me armë që e mbante pa autorizim dhe u zbulua pasi e harroi revolen në tualetin e lokalit.
Një zyrtar policor civil që ndodhej në atë lokal e kapi mat të dyshuarin dhe e raportoi rastin.
Si rezultat i denoncimit, një njësi policore ka intervenuar, me ç’rast është sekuestruar arma dhe fishek)t në cilësinë e provave materiale.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“