U shënua Dita e Qendrës së Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec
Nën organizimin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, të martën me aktivitete të shumta është shënuar Dita e Qendrës së Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec, në aktivitete pjesëmarrës ishin zyrtarë komunalë, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve.
Aktivitetet kanë filluar me homazhe dhe nderime te pllaka përkujtimore e heronjve dhe dëshmorëve: Mensur Zyberaj, Ismail Gashi, Habib Gashi, Kurtish Hasani, Bedri Berisha, Nazmi Hasani, Manush Berisha, Agron Bytyqi, Alajdin Elshani, Xhevat Elshani, Selim Berisha, Hajrush Berisha dhe Rifat Dina.
Pastaj është mbajtur programi kulturor-artistik dhe ekspozita “Koleksioni i pikturave të kolonisë së artistëve” nga OJQ “Art Studio” në hollin e Qendrës së Kulturës “Mensur Zyberaj”.
Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit në fjalimin e tij të mbajtur në akademi solemne, ka thënë se 28 maji është skalitur me shkronja gjaku në historinë e popullit të Rahovecit, ngase në këtë datë të vitit 1999 në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë në betejën e ashpër dhe të pabarabartë që u zhvillua në zonën e Mileskës.
Kjo betejë e majit mori përmasa gjaku e heroizmi, ngase në fushë të nderit ranë shumë dëshmorë, ndër të cilët edhe njëri ndër themeluesit e celulave të para të UÇK-së në rajonin e Anadrinisë, respektivisht Zonës Operative të Pashtrikut, heroi i Kosovës Mensur Zyberaj.
/Epoka e re/