
U sulmua me raketa gjatë natës, Izraeli godet disa objektiva në Siri
09 prill 2023
| 09:30
Ushtria izraelite ka bërë me dije se Izraeli ka goditur objektiva të shumta ushtarake në Siri pasi gjatë natës u hodhën raketa në territorin që kontrollon.
Izraeli tha se artileria dhe dronët u përdorën për të goditur një kompleks të ushtrisë siriane.
Zyrtarët thanë se tri raketa kishin hyrë në territorin izraelit dhe, sipas tyre, dy u goditën në terren të hapur dhe një e tretë u kap.
Në Facebook ministria siriane e Mbrojtjes konfirmoi sulmet, shkruan BBC.
Zyrtarët e mbrojtjes thanë se mbrojtja ajrore i ishte përgjigjur sulmit dhe kishte kapur me sukses disa nga raketat.
Në njoftim thuhej se nuk është raportuar për viktima, por vetëm për dëme materiale që janë shkaktuar nga sulmet.