U themelua zyrtarisht Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe
Në pikën e dymbëdhjetë të seancës së rregullt të Kuvendit Komunal të Rahovecit, qw u mbajt dje, në praninë e profesorëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të studentëve të Departamentit të Antropologjisë – Fakultetit Filozofik, Fakultetit të Arkitekturës, Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe përfaqësues nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore – Prizren, u shqyrtua dhe u miratua në mënyrë unanime propozim-vendimi për themelimin e Muzeut të masakrës në Krushë të Madhe.
“Për të gjethe ata që kontribuuan në idenë dhe funksionalizimin e plotë të tij kryetari ndau mirënjohje me motivacionin për kontributin vullnetar (nëntor 2023 – mars 2024) në konceptimin, dizajnimin dhe përgatitjen e ekspozitës muzeale të Muzeut të Masakrës së Krushës së Madhe, e cila do të jetë vepër e rëndësishme e kujtesës historike”, ka njoftuar Komuna e Rahovecit.
Në Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe mund të dëgjoni 202 intervistat e realizuara me të mbijetuarit dhe mund të shihni artefakte e fotografi, që do të na shërbejnë në formësimin e kujtesës kolektive, thirrjes për drejtësi dhe nderimit të viktimave.
Muzeu i krimeve serbe të luftës në Krushë të Madhe qëndron si një dëshmi e sakrificave të bëra nga individë të panumërt gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila paraqet sinonimin e dhimbjes, të rezistencës dhe të heroizmit.