U vazhdohet edhe për dy muaj paraburgimi tre të dyshuarve për rastin e Banjskës
Tre të dyshuarve në rastin e Banjskës iu është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj.
Lajmin e ka bërë dije Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve D.M, B.S dhe V.T, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e PSRK-së dhe tre të pandehurve iu ka vazhduar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej dy muaj, për secilin”, ka thënë Gashi.
Sipas vendimit, masa e paraburgimit të pandehurve iu është vazhduar nga data 24.12.2023 deri me datë 24.02.2024.
Më 24 shtator, Serbia ka kryer agresion në Kosovë.
Si pasojë e sulmit të armatosur të grupit terrorist serb, mbi autoritetet e sigurisë së Kosovës është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.