U vetëvra doktoresha e infektuar me Koronavirus
Një mjeke e lartë në New York City, e cila ishte në vijën e parë të luftës së ShBA-së kundër Koronavirusit, ka vrarë veten, duke shkaktuar tronditje të thellë në vend.
Dr. Lorna Breen, drejtoreshë e Departamentit të Urgjencës në Spitalin New York-Presbyterian Allen në Manhattan, vdiq nga plagët që I ka shkaktuar vetes sipas njoftimit të policisë. Babai i 49-vjeçares, dr. Philip Breen, i tha “New York Times”: “Ajo u përpoq të bënte punën e saj dhe ajo e vrau”.
Nga 56 mijë vdekje në ShBA nga Koronavirusi, 17 500 janë në Nju Jork. I ati shtoi se e bija nuk kishte pasur asnjë histori të sëmundjeve mendore. Ajo vdiq në Charlottesville, Virxhinia, ku po qëndronte me familjen e saj.
Edhe Lorna vetë ishte sëmurë gjatë punës me Koronavirus, por e kishte marrë veten dhe rreth një javë e gjysmë pas rikuperimit, që kthyer në punë. Spitali e kishte dërguar përsëri në shtëpi, përpara se familja e saj “të ndërhynte” për ta sjellë në Charlottesville, tha babai.
Ai shtoi se herën e fundit që kishin folur bashkë ajo i kishte treguar se si po vdisnin pacientët me Covid-19 që përpara se të mund t’i merrte ambulance. Dhjetëra pacientë ndërruan jetë prej sëmundjes në spitalin me 200 shtretër në Manhattan.
“Ajo ishte vërtet në llogore në vijën e parë”, tha babai i saj për “Times”. “Sigurohuni që të vlerësohet si heroinë. Ime bijë është viktimë po aq sa kushdo tjetër që ka vdekur”, tha ai. Sipas gazetës, dr. Lorna Breen ishte një e krishterë e devotshme dhe shumë e lidhur me familjen. Një herë në javë ajo shkonte vullnetarisht të vizitonte të moshuarit në një azil pleqsh.