U zgjodh trajneri i vitit në Premierligë, flet Pep Guardiola
Është përsëri ai. Pep Guardiola është zgjedhur trajneri më i mirë i vitit në Premierligë.
Trajneri spanjoll e ka fituar këtë çmim për herë të pestë pasi e ka udhëhoqur Manchester Cityn drejt titullit të kampionit në Angli për herë të katërt radhazi, respektivisht të gjashtin që prej vitit 2016.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka përfunduar i dyti, kurse podiumi kompletohet nga Unai Emery i Aston Villës, të cilën e ka kualifikuar në Ligën e Kampionëve.
Trajnerët më të mirë të vitit janë votuar nga një listë prej pesë trajnerësh në një votim publik të kombinuar me një panel ekspertësh të futbollit.
Guardiola ka thënë se ndihet i lumtur për këtë çmim, ndërsa është treguar bujar, duke e ndarë këtë çmim me miqtë dhe njëherësh rivalët e tij.
“Dua ta ndaj këtë çmim sidomos me Mikel Artetën për punën e jashtëzakonshme që ka bërë deri në ndeshjen e fundit, duke na shtyrë në kufijtë tanë”, ka thënë fillimisht ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bayern Munichut.
“Sigurisht, ky çmim është edhe për Jurgen Kloppin, për betejat e paharrueshme për shumë e shumë vite. Dhe për Unai Emery, që ka bërë diçka të pabesueshme përsëri, duke e çuar Aston Villën në Champions. Dhe për Andoni Iraolan e Bournemouthin, duke qenë sezoni i tij i parë në Premier League. Është nder të jem përkrah të gjithëve dhe të fitoj këtë trofe”, ka thënë Guardiola, i cili është trajneri i dytë me më së shumti çmime të tilla pas legjendarit të Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson.