U zhduk në ishullin grek, gjendet i pajetë gazetari i njohur i BBC
Në mënyrën më të keqe të mundshme, në ishullin grek të Symi përfunduan kërkimet për moderatorin e njohur të BBC-së, Michael Mosley, i cili rezultonte i zhdukur që prej mesditës të së mërkurës.
Mosley u zhduk papritur teksa ndodhej me pushime në ishull me gruan e tij dhe një çift miqsh.
67-vjeçari është gjetur i pajetë në një zonë shkëmbore dhe në një distancë rreth 10 metra nga deti, në plazhin e Agia Marinës. Pranë tij është gjetur çadra që mbante ditën kur u zhduk dhe një orë dixhitale.
Fillimisht, sipas informacioneve, mjekja duket se përjashton aktivitetin kriminal, pasi nuk konstaton shenja dhune në trupin e të ndjerit. Dekompozimi i trupit ka avancuar, kështu që mjekët nuk kanë mundur të përcaktojnë shkakun e vdekjes dhe nuk e kanë konfirmuar ende nëse Mosley ka rënë nga shkëmbinjtë dhe ka gjetur vdekjen.
Rezultatet zyrtare të autopsisë, e cila do të zhvillohet në Rodos, priten të hënën.
Ajo që është shqetësuese është fakti se megjithëse hetimet ishin të plota, madje duke “ngritur” dhe një helikopter nga policia helene, trupi i Mosley u gjet përfundimisht 4 ditë pas zhdukjes së tij.
Kryebashkiaku i Symit, Lefteris Papakalodoukas bashkë me gazetarët kishin hipur në një varkë për të ndihmuar në fazën e kërkimeve. Kanë qenë pikërisht kamerat e celularëve të tyre që teksa filmonin zonën, kanë pikasur trupin e moderatorit 67-vjeçar.