U19-shet me humbje e mbyllën Evropianin
Përfaqësuesja U19 e Kosovës në hendboll (femrat) të dielën ka luajtur ndeshjen e fundit në Kampionatin Evropian, Divizioni B, që u mbajt në Klaipeda të Lituanisë. Kosova luajti për vendin e shtatë dhe u mposht nga Gjeorgjia me rezultat 29:28.
Edhe një herë vashat nga Kosova lëshuan fitoren nga dora. Pas fillimit më të mirë të gjeorgjianeve, Kosova U19 krijoi epërsi prej dy-tri gola që e mbajti në pjesën e parë, e cila përfundoi 11:9 për Kosovën. Epërsia u rrit edhe më shumë në pjesën e dytë. Kështu në minutën e 40-të rezultati ishte 18:12 për Kosovën e më pas edhe 19:13. Në minutën e 54-të rezultati ishte 27:23 për Kosovën, por më pas ekipi u ndal. Në minutën e 58-të rezultati u barazua në 27:27 e më pas edhe 28:28. Te Kosova nuk funksiononte asgjë as në mbrojtje e as në sulm dhe gjeorgjianet shënuan penallti në sekondat e fundit për të fituar ndeshjen me rezultat 29:28.
Pos me Çekinë që ishte superiore, vashat e Kosovës ishin rivale të barabarta në të gjitha ndeshjet tjera, me Turqinë, Ishujt Faroe dhe Maqedoninë Veriore. Të gjitha këto ndeshjen u humbën në mungesë të fatit, koncentrimit në momentet e fundit dhe poashtu përvojës së shumicës së lojtareve. Ky evropian megjithatë do të shërbejë për të fituar përvojë dhe për të parë se çka kërkohet për sukses në nivel më të lartë.
Gjeorgjia – Kosova 29:28 (9:11)
Kosova: L. Gashi, E. Mulaj 3, Zymberi 1, M. Mulaj 1, Radoniqi, G. Gashi, R. Rexhepi 4, Kastrati 14, Matarova 1, Uka, Kelmendi 4, Halitaj, Rexhaj.