U21-shat duan t’i mbyllin kualifikimet me fitore

16 tetor 2018 | 10:49

U21-shat e Kosovës sot e zhvillojnë ndeshjen e fundit në grupin 5 kualifikues për Evropianin 2019 ndaj Izraelit.

Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës U21 në futboll, Rafet Prekazi, ka bërë me dije se në ndeshjen ndaj Izraelit do t’u japë rastin edhe lojtarëve të rinj, pasi është koha e ndryshimit të gjeneratave të futbollistëve dhe se është duke menduar për ciklin e ardhshëm kualifikues.

Kosova sot (e martë) e zhvillon ndeshjen e fundit për kualifikueset e Evropianit 2019. “Besoj se do të kemi paraqitje të mirë sikurse deri më tash. Mund të kemi një problem kushtimisht të vogël sepse do ta bëjmë ndërrimin e gjeneratës, sepse është loja e fundit për lojtarët e lindur në vitin 1996. Për këtë arsye edhe kësaj radhe kam ftuar 7-8 futbollistë që janë të vitit 1998 ngaqë dua ta krijojmë ekipin për ciklin e ardhshëm kualifikues. Prandaj, duhet t’u jepet rasti edhe lojtarëve të rinj dhe ky është qëllimi ynë për ndeshjen kundër Izraelit”, ka thënë Prekazi.

Për ndeshjen ndaj Izraelit foli edhe sulmuesi i Kosovës, Florent Hasani, i cili është ndër më të mirët tek U21-shat. Ish-sulmuesi i Vushtrrisë, Trepçës ’89 dhe tash i Diosgyorit, ka thënë se të gjithë presin fitoren në këtë ndeshje. “Jemi maksimalisht të gatshëm për lojë. Të gjithë presim fitore, të gjithë së bashku duam të marrim rezultatin e duhur pas asaj humbjeje të pamerituar në Mitrovicë. Në radhë të parë duam ta japim maksimumin për fanellën e Kosovës, derisa në radhë të dytë duam që t’u hakmerremi izraelitëve për atë humbje në Mitrovicë”, ka thënë Hasani.

Në linjë të njëjtë me sulmuesin Hasani është edhe Arbër Hoxha, i cili kërkon hakmarrje për humbjen e parë që izraelitët i kishin shkaktuar Kosovës në Mitrovicë. “Atmosfera në ekip është e shkëlqyeshme dhe, po ashtu, edhe stërvitjet po ecin mirë. Të gjithë futbollistët po punojnë me seriozitet të madh dhe po e presin duelin me Izraelin. Synimi është t’u hakmerremi izraelitëve për atë humbje të pamerituar në Mitrovicë”, ka deklaruar Hoxha.

Kosova aktualisht pozicionohet në vendin e katërt në grup me 12 pikë të grumbulluara.

Grupi 5

17:00 Izrael U21 – Kosova U21
18:15 Gjermania U21 – Irlanda U21
18:15 Norvegjia U21 – Azerbajxhani U21

Tabela

  1. Gjermania U21   9 22 pikë
  2. Norvegjia U21     9 14
  3. Irlanda U21         9 14
  4. Kosova U21         9 12
  5. Izraeli U21           9 11
  6. Azerbajxhani U21 9 2

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një qytetar nga Malisheva ka humbur jetën në vendin e…