U21-shat, për fitore ndaj Azerbajxhanit

22 mars 2018 | 10:57

Trajneri i Kosovës U21 në futboll, Rafet Prekazi dhe futbollistët Ardian Ismajli dhe Mirlind Daku kanë paralajmëruar fitore për ndeshjen e radhës në kualifikimet për Kampionatin Evropian 2019. Ndeshja Kosova – Azerbajxhani zhvillohet nga ora 19:00 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Përfaqësuesja e Kosovës U21 në futboll synon të fitojë ndeshje ndaj Azerbajxhanit, e vlefshme për kualifikimet e Evropianit 2019. Kjo ndeshje zhvillohet nga ora 19:00 në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Përzgjedhësi Rafet Prekazi ka thënë se të gjithë do ta japin maksimumin për ta marrë rezultatin maksimal. “Pavarësisht prej kundërshtarit, jemi përgatitur mirë, kurse disponimi është mirë dhe kemi ngritje nga ndeshja në ndeshje. E kemi obligim të gjithë, përfshirë edhe ‘Dardanët’, që ta japim maksimumin për Kosovën”, ka thënë Prekazi, duke bërë me dije se i vetmi problem për këtë ndeshje mund të jetë fusha jo e përshtatshme pas kushteve të fundit atmosferike.

Për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit ka folur edhe kapiteni i Kosovës, Ardian Ismajli. Ai ka thënë se ndryshe nga ndeshja e parë, Kosova do t’i gëzohet fitores. “Në ndeshjen e parë kemi pas paraqitje të mirë, por nuk arritëm të shënojmë gol. Jam optimist se tash do të marrim fitore”, ka thënë Ismajli.

Në listën e trajnerit Rafet Prekazi për ndeshjen e radhës është edhe sulmuesi Mirlind Daku, i cili ka shkëlqyer në këtë edicion në fanellën e skuadrës së Llapit, duke qenë ndër sulmuesit më të mirë në futbollin vendor. Ai pret që ndeshja ndaj Azerbajxhanit të jetë më e lehtë se ndeshja e parë. “Për dallim nga ndeshja e parë, tani do të jetë më e lehtë për ne, ngaqë e njohim kundërshtarin dhe e dimë me kënd kemi të bëjmë. Në ndeshjen e fundit kundër tyre kemi pasur paraqitje shumë të mirë dhe kemi krijuar shumë raste, por tash pres që rastet që do t’i krijojmë edhe do t’i finalizojmë me gol”, ka thënë Daku, duke shtuar: “Moti na ka pamundësuar ta zhvillojmë në tërësi stërvitjen ashtu siç e kishin planifikuar trajnerët, por mendoj se jemi plotësisht të gatshëm dhe do t’ia arrijmë synimit për t’i fituar tri pikë të reja në këto kualifikime”.

Stërvitjen e fundit Kosova para ndeshjes ndaj Azerbajxhanit e zhvilloi në fushën me bari sintetik “Top Football” në Mazgit.

Grupi 5

19:00 Gjermania U21-Izraeli U21
19:00 Kosova U21-Azerbajxhani U21

Tabela

1. Gjermania U21 12 pikë
2. Irlanda U21 10
3. Norvegjia U21 18
4. Izraeli U21 7
5. Kosova U21 7
6. Azerbajxhani U2 1

(Veton ZYMBERI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) ka nënshkruar marrëveshje me…