Uashingtoni nuk dëshiron të bisedojë me talibanët
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Uashingtoni nuk dëshiron të negociojë me talibanët.
“Mund të vijë koha, por do të jetë shumë e gjatë”, ka thënë Trumpi në një takim me përfaqësues të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Ai këto komente i ka bërë pas disa sulmesh vdekjeprurëse që kanë goditur Afganistanin ditëve të fundit.
Të shtunën, një sulm masiv në Kabul ka lënë të vrarë mbi 100 veta dhe përgjegjësinë për të e kanë marrë talibanët.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka thënë se “do të përfundojë në Afganistan atë që duhet të përfundojë”.
Ai ka thënë se “njerëzit e pafajshëm po vriten, përfshirë fëmijë”, porse “nuk do të ketë bisedime me talibanët”.
Këtë muaj, disa amerikanë janë vrarë dhe plagosur në një betejë 13-orëshe me talibanët, në një hotel të Kabulit. (Rel)