Uashingtoni paralajmëron armiqtë: Politika amerikane nuk është një shenjë dobësie
Diplomatët dhe zyrtarët ushtarakë amerikanë hodhën poshtë shqetësimet se ndryshimet e fundit të papritura në skenën politike amerikane janë një shenjë dobësie, duke paralajmëruar armiqtë e Amerikës të enjten kundër përpjekjeve për t’i shfrytëzuar zhvillimet politike në vend.
“Ata duhet të mendojnë përsëri”, tha për gazetarët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
“Ne jemi të përqendruar në sfidat e sigurisë kombëtare me të cilat përballet vendi”, shtoi ai.
“Kjo përfshin përgjigjen ndaj kundërshtarëve tanë kur është e përshtatshme.”
Në Pentagon, zyrtarët këmbëngulën se ushtria amerikane është e gatshme për çfarëdo sfide që mund të ketë nga kundërshtarët.
“Për sa i përket pyetjes nëse kundërshtarët tanë po na testojnë apo jo në këtë moment të caktuar, ata gjithmonë na testojnë”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
“Është thjesht diçka që i përfaqëson ata dhe që ata e bëjnë”, u tha ai gazetarëve.
Paralajmërimet nga Uashingtoni vijnë më pak se një javë pasi presidenti Joe Biden njoftoi tërheqjen nga gara presidenciale, duke mbështetur nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të demokratëve në garën kundër ish-presidentit dhe kandidatit të Partisë Republikane, Donald Trump.
Ushtria amerikane rriti shqetësimet e publikut pasi njoftoi pak para fjalimit të Biden se, për herë të parë, bombarduesë strategjikë rusë dhe kinezë fluturuan në një mision të përbashkët stërvitor, duke u afruar 350 kilometra nga shteti veriperëndimor amerikan i Alaskës.
Zyrtarë të tjerë kanë paralajmëruar gjithashtu për kërcënimin nga armiqtë e guximshëm të Shteteve të Bashkuara.