‘Uber’-i thotë se ka pranuar mbi 3 mijë raporte për sulme seksuale
Shërbimi ndërkombëtar i taksive “Uber”, ka bërë me dije se ka pranuar mbi 3 mijë raporte të sulmeve seksuale, përfshirë përdhunimin, gjatë udhëtimeve në Shtetet e Bashkuara, në vitin 2018.
“Uber” ka theksuar se shifra paraqet rënie për 16 për qind të incidenteve të tilla, krahasuar me vitin paraprak.
Ky shërbim ka thënë se ka realizuar rreth 1.3 miliard vozitje në ShBA gjatë 2018-ës, raporton “Rel”.
“Uber: po përballet me presion në rritje nga rregullatorët në shumë vende të botës, përfshirë edhe Londrën, e cila së voni ia ka tërhequr lejen kompanisë, për shkak të, siç është thënë, dështimeve në siguri.
Ky shërbim ka thënë se raporti i tij i sigurisë tregon se ai është i përkushtuar ndaj transparencës, me qëllim përmirësimin e sigurisë në shërbime.