UÇK-ja dhe Specialja, Sherifi: Kurti t’i jep fund logjikës së veprimeve me dy kute
Sekretari i përgjithshëm të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, në një konferencë për medie, ia ka rikujtuar kryeministrit Albin Kurti deklaratat sa ishte në opozitë në lidhje me UÇK-në dhe Gjykatën Speciale.
Fillimisht, Sherifi ka pyetur Kurtin për heshtjen gjatë procesit kur Gjykata Speciale duhej të vendoste lidhur me kërkesën e avokatëve për mbrojtjen në liri të ish-krerëve të UÇK-së.
“Fatkeqësisht që nga ardhja në pushtet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit Albin Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të mund të konstatonim se ai ka për preokupim mbrojtjen e UÇK-së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatën Speciale. Ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim edhe pse në cilësi të opozitarit deklaronte se mbrojta e UÇK-së është edhe punë qeverie, sidomos punë qeverie! Prandaj, ftojmë kryeministrin Albin Kurti që t’i jep fund logjikës së veprimeve me dy kute, kur ndryshe flisite sa ishte në opozitë dhe krejt ndryshe është duke vepruar që nga ardhja në pushtet! Koha është që të bëjë saktësisht atë që kërkonte nga të tjerët sa ishte në opozitë!”, ka thënë Sherifi.
Deklarata e plotë për medie e Sherifit:
Të nderuar qytetarë të Kosovës, të nderuar gazetarë!
Siç patët mundësinë të shihni nga kjo video 2 minutëshe, 10 ditë pas arrestimit të Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, në cilësinë e udhëheqësit të opozitës së asaj kohe, gjatë konferencës për medie të mbajtur më datë 15 nëntor 2020, kryetari i LV-së, Albin Kurti ka deklaruar se:
1. Në Hagë, nuk janë duke u përndjekur vetëm individët, sepse UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe që të gjithë duhet ta mbrojmë atë. Shteti i Kosovës duhet ta organizojë e ta koordinojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti.
Shtrojmë pyetje publike:
Përse Albin Kurti heshti tërësisht gjatë procesit kur Gjykata Speciale duhej të vendoste lidhur me kërkesën e avokatëve për mbrojtjen në liri të përfaqësuesve të lartpërmendur të UÇK-së dhe përse nuk bashkërenditën së bashku me avokatët strategjinë e nevojshme për t’u siguruar atyre të mbroheshin në liri?
2. Në cilësinë e udhëheqësit të opozitës, më 15 nëntor 2020 Albin Kurti deklaroi se mbrojtja e përfaqësuesve të UÇK-së “KJO ËSHTË EDHE PUNË QEVERIE, KJO ËSHTË SIDOMOS PUNË QEVERIE”!
Shtrojmë pyetje publike:
Duam të dimë nëse mbrojtja e përfaqësuesve të UÇK-së është punë qeverie edhe tani, kur Albin Kurti udhëheq qeverinë, apo ky qëndrim i tij vlen vetëm për të tjerët por jo edhe për qeverinë që ai udhëheq!
3. Në cilësinë e udhëheqësit të opozitës, më 15 nëntor 2020 Albin Kurti deklaroi: “Për fat të keq në këtë kohë të vështirë, Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bëjë këtë. Kjo qeveri e paligjshme e cila që nga fillimi varej prej secilit deputet të Listës Serbe e që tash është veçse qeveri e pakicës që po tkurret përditë, nuk mund ta mbrojë e shpëtojë as vetveten, se lëre më ndokënd tjetër”
Shtrojmë pyetje publike:
Duam të dimë nëse është fat i mirë që tash në këto kohë të vështira, Lëvizja VetëVendosje ka në duart e veta të gjitha institucionet qendrore të shtetit të Kosovës dhe qeveria aktuale e Kosovës varet vetëm nga Albin Kurti. Apo cilësimi si “FATKEQËSI” që i bënte Albin Kurti heshtjes së qeverisë së kaluar në mbrojtjen e përfaqësuesve të UÇK-së vlen vetëm kur të tjerët janë në pushtet?
4. Në cilësinë e udhëheqësit të opozitës, më 15 nëntor 2020 Albin Kurti akuzoi qeverinë në pushtet se nuk kishte për preokupim mbrojtjen e UÇK-së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatën Speciale dhe këmbëngulte në domosdoshmërinë që të ishim bashkë në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare.
Fatkeqësisht që nga ardhja në pushtet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit Albin Kurti nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të mund të konstatonim se ai ka për preokupim mbrojtjen e UÇK-së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatën Speciale.
Ai nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në këtë drejtim edhe pse në cilësi të opozitarit deklaronte se mbrojta e UÇK-së “ËSHTË EDHE PUNË QEVERIE, SIDOMOS PUNË QEVERIE!”.
Prandaj, ftojmë Kryeministrin Albin Kurti që t’i jep fund logjikës së veprimeve me dy kute, kur ndryshe flisite sa ishte në opozitë dhe krejt ndryshe është duke vepruar që nga ardhja në pushtet! Koha është që të bëjë saktësisht atë që kërkonte nga të tjerët sa ishte në opozitë!