UÇK-ja është historia e Kosovës në krye me Adem Jasharin
Edhe në Tiranë është shënuar 20-vjetori i Epopesë së UÇK-së. Në këtë akademi kanë marrë pjesë edhe Rifat Jashari, gjeneral Rrahman Rama, ministri Pandeli Majko, e shumë zyrtar të dy qeverive të Shqipërisë e Kosovës. Të pranishmit në emër të amabsadës së Kosovës në Tiranë, i ka përshëndetur Syl Ukshini.
Ja fjalimi i plotë i tij në shënimin e 20-vjetorit të Epopesë së UÇK-së
Shumë të nderuar zonja dhe zotërinj,
Shumë të nderuar pjesëtarë të familjes Jashari, i dashur Bacë Rifat,
Të nderuara familje të dëshmorëve dhe të veteranëve të UÇK-së,
I nderuar gjeneral Rrahman Rama dhe drejtues tjerë të FSK-së,
I nderuar ministër Majko,
Të nderuar zëvendësministra Koçi dhe Hoxha
I nderuar deputet i Kuvendit të Kosovës Haxhiu,
Është një ndër privilegjet e veçantë për mua që në emër të Ambasadës së Kosovës në Tiranë të përshëndes pjesëmarrësit e kësaj Akademie në shënimin e 20-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, kur po e shënojmë 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe rënies së Jasharëve, komandantit legjendar Adem Jasharit, Hamzës dhe pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit, dhe gjithë të rënëve për liri, Republika e Kosovës bënë nderimet më të larta shtetërore për ata që mposhtën frikën, për ata që zgjodhën rezistencën, për ata që zgjodhën kryengritjen, për ata që na dhanë shpresë dhe për ata me guximin dhe sakrificën e tyre hapën shtegun për lirinë dhe pavarësinë tonë.
Kjo epope paraqet një nga ditët të më shënuar dhe më të lavdishme në historinë e Kosovës. Sot, kjo ditë bëhet më e veçantë edhe për faktin se përkon edhe me 10 vjetorit të Pavarësisë dhe Vitin e Skënderbeut!
Njerëzit e mëdhenj si Adem e Hamëz Jashari punojnë jo vetëm për kohën e vet, por edhe për të ardhmen e kombit dhe për të ardhmen e vendit. Pikërisht këtu qëndron vizioni, guximi, heroizmi, sakrifica dhe i gjithë kontributi i Adem Jasharit dhe i bashkëluftëtareve të tij.
Jemi krenar që sot në Tiranë, vetëm disa qindra metra larg shtatores së Adem Jasharit, e cila qëndron me shikim nga Kosova, vijmë këtu ta kujtojmë, dhe të bëjmë homazhe për njeriu, për familjen që është më meritore për zhbërjen e errësirës së gjate serbe në Kosovë, për zhbërjen e okupimit serb në Kosovë dhe për hapjen e shtegut për bërjen e pavarësisë së Kosovës, që është një nga të arriturat më të mëdha të shqiptarëve që nga shpallja e Pavarësisë në nëntor 1912.
Jemi këtu për të shënuar 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila pas asnjë ekzagjerim, është formacioni politik dhe ushtarak më i organizuar dhe i konsoliduar i shqiptareve të Kosovës, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Deri me UÇK-në, organizimet tona nuk kishin kaq gjithpërfshirje dhe kaq impakt për gjithë kombin.
Pikërisht kjo luftë e madhe e UÇK-së, kjo sakrificë e madhe e familjes Jasharai, e cila mbetet rast unik i flijimit, bëri që në marsin e radhës, me 1999, vendet demokratike të NATO të intervenojnë ushtarakisht në luftën e Kosovës. Ky intervenim pa dyshim paraqet momentin të ri në zhvillimin të së drejtës
ndërkombëtare vetëm 10 vite pas përfundimit së Luftës së Ftohtë Lindje-Perëndim.
Një mirënjohje dhe detyrim i veçantë i takon edhe Shqipërisë, përfaqësuesve të saj, të cilët në periudhe të ndryshme historike dhanë kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, Shqipëria u bë shtrati mbi të cilin u krijua shteti i Kosovës.
Vlerën e mirëfilltë të çdo personaliteti të shquar të një kombi e tregon më së miri qëndrimi i brezave të mëvonshëm ndaj veprës dhe trashëgimisë që kanë lënë pas.
Sa më shumë krijohet distancë historike aq më shumë rritet madhështia e figurës së Adem e Hamzë Jasharit, si luftëtar, si vizionar dhe si lajmëtar se sakica e tyre do ë mobilizoj kombin, do të mobilizoj shqiptarët në Evropë, Amerikë dhe në gjithë globin.
Rrugëtimi dhe sakrifica e familjes Jashari, pos gjë gjeti jehonë dhe bëri ndikim shumë të gjerë në hapësirat shqiptare si dhe në diasporë, përmban flijimin më të veçantë në historinë tonë dhe është rrallë edhe në historinë e kombeve të tjera.
Flijimi i familjes Jashari, pos që ishte unik në historinë e kombit tonë dhe mobilizoi dhe rriti kohezionin e shqiptarëve gjithandej në botë, edhe sot dhe në ardhmen dhe përgjithmonë do të mbetet frymëzim, pikë referimi, inspirimi dhe me ndikim për brezat që do të vijnë. Nderimi dhe kujtimi për familjen do të jetë i përhershëm, për aq kohë sa në këtë botë të ketë shqiptarë.
Emri, sakrifica dhe mënyra e flijimit të komandant Adem Jashari dhe e pjesëtarëve Jashari do të mbetet përherë pikë referimi si themeltarët e lirisë dhe të shtetësisë sonë. Sakrifica e tyre ndryshoi dinamikën e zhvillimeve politike dhe ushtarake në Kosovë. Ndryshoi edhe qëndrimin ndërkombëtar për Kosovën. Sakrifica e tyre ndryshoi historinë e Kosovës, ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Kosovë dhe përreth Kosovën.
Kjo trashëgimi historike është një vlerë e veçantë, është vlerë fisnike edhe për historinë më të re të Kosovës; ajo është pjesë e kujtesës sonë historike dhe e identitetit tonë evropian, është themeli i shtetësisë së Kosovës dhe është frymëzimi ynë.
Ndaj, UÇK është historia jonë, është lufta jonë, është sakrifica jonë, është kujtesa jonë është krenari jonë, është referenca jonë, është frymëzimi jonë dhe mbi të gjitha është busulla jonë në rrugëtimin e konsolidimit të shtetit tonë të brendshëm dhe ndërkombëtar.
Lavdi dhe përjetësi për komandantin Adem Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit!