“UÇK-ja është mbrojtja e këtij populli duarbosh”, vlerësimi i lartë i Kuvendit të Kosovës në vitin 1998 për UÇK-në
Më 30 dhjetor 1998, Kryesia e Kuvendit të Kosovës kishte mbajtur një konferencë për media, ku i kishte bërë thirrje NATO-s për të ndërhyrë në Kosovë. Deklaratën publike e kishte dhënë Qendra Informative e Kosovës (QIK) dhe pastaj e kishin marrë edhe mediumet e tjera vendore dhe ndërkombëtare.
Përpos Idriz Ajetit si kryetar i Kuvendit, pjesëmarrës në këtë konferencë ishin edhe dy nënkryetarët, Gjergj Dedaj dhe Ilaz Kurteshi, si dhe sekretari Fatmir Sejdiu.
Idriz Ajeti në atë konferencë për media kishte prezantuar qëndrimet e organit më të lartë legjislativ të Kosovës. Kuvendi i Kosovës, asokohe kishte qëndrim konsistent në mbrojtje të UÇK-së.
Njësoj edhe Idriz Ajeti si kryetar i Kuvendit të Kosovës, në konferencën e datës 30 dhjetor 1998 kishte vlerësuar dhe afirmuar luftën e UÇK-së.
Demokracia.com ka siguruar fjalimin, ku ndër të tjera ishte theksuar roli i UÇK-së.
Sipas Idriz Ajetit dhe Kuvendit të Kosovës, shfaqja e UÇK-së shënonte një pikë kthese në gjallërimin e lëvizjes shqiptare për pavarësinë e Kosovës.
“Shfaqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shënon një pikë kthese në gjallërimin e lëvizjes shqiptare për pavarësinë e Kosovës”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës në këtë konferencë për media. UÇK-ja është mbrojtja e këtij populli duarbosh nga barbaria e ushtrisë dhe policisë jugosllave”, kishte thënë Ajeti, duke shtuar se UÇK-ja është e gjithë popullit dhe jo e ndonjë partie të caktuar.