UÇK-ja ishte ushtri që luftën e bëri para syve të të gjithë botës për t’ia dhënë kombit lirinë (12)
Shkruan: Kudusi Lama
Ajo ushtri që mbajti mbi shpatulla atë luftë të lavdishme që përpiqesh të na e njollosësh, nuk ishte ushtri e shfrytëzimit të kufomave. Ajo ishte ushtri që luftën e bëri para syve të të gjithë botës për t’ia dhënë kombit lirinë dhe e realizoi me shumë ndershmëri. Por ju doni t’ia zhvishni lavdinë duke shpikur monstruozitete, duke dhënë goditje të rënda me peshën e opinionit botëror, duke tentuar t’i pastrosh të dashurit e t’u serbë nga krimet që kanë bërë: “… duke viktimizuar atë që ka ushtruar gjenocidin e paparë ndaj një populli të tërë ku ende nuk dihet asgjë dhe askush nuk jep llogari për fatin e mijëra shqiptarëve të zhdukur të Kosovës nga po kjo makineri ushtarake serbe! Duke tentuar që viktima, në këtë rast shqiptarët e Kosovës, në kohën kur ishte në pyetje ekzistenca e tyre fizike në Kosovë dhe mezi arrinin që ta siguronin armatimin e nevojshëm për t’i bërë ballë makinerisë shfrenuese serbe …”, të duket sikur paska qenë ajo një forcë kriminele, që nuk paska menduar gjë tjetër vetëm si të pasurohet, kur realisht unë, duke i njohur djemtë dhe vashat luftëtare të UÇK-së, jam i bindur se në personin e secilit prej tyre nuk ka pasur asgjë tjetër përveç gatishmërisë për ta dhënë jetën në çdo çast përballë makinerisë gjakatare serbe.
Ju vazhdoni të fshiheni pas deklarimit se nuk keni gjë me shqiptarët dhe se nuk keni për qëllim ta njollosni UÇK-në, luftën e saj dhe shqiptarët në tërësi, por vepra juaj flet krejt ndryshe: “… do të duhet shumë punë për të përballuar një strategji të qartë antishqiptare, që së pari synon t’i zhvleftësojë çlirimtarët dhe udhëheqësit e Kosovës, e prej këtej vetë shtetin e ri të Kosovës. Mendoj se duhet thënë më qartë se përpjekjet e Dick Martyt dhe të tjerëve si ai, për t’i ‘institucionalizuar’ këto akuza në organizma politike ndërkombëtare, synojnë për t’iu imponuar organeve të drejtësisë, në mënyrë që këto të fundit t’i vërtetojnë akuzat e tij(?!). Gjithë këto veprime kanë pamjen e një komploti kundër pavarësisë së Kosovës dhe në analizë të fundit nuk kanë të bëjnë thjesht me akuza ndaj individësh, të cilët, po të mos ishin në udhëheqje të këtij shteti të ri, nuk do të rëndoheshin me to”.
Ju zotëri deri tani kryet një detyrë të padenjë për shoqërinë moderne. Ju me veprën tuaj hodhët gurin e rëndë për ta vrarë shtetin e Kosovës. Të jeni i sigurt se edhe gurin tuaj shqiptarët do ta përballojnë, ashtu siç kanë përballuar edhe mjaft gurë të tjerë që u kanë ardhur nëpër histori, që ju si bashkëpunëtor i serbëve dhe megafon e Serbisë e dini mirë. Por shqiptarët dinë se ju ose të tjerë si ju do të vazhdojnë edhe me tej, të tentojnë të hedhin gurë të rëndë mbi ta. Të jesh i sigurt që shqiptarët do ta bëjnë historinë e tyre në interes të tyre, sepse me ta ka qenë, është e do të jetë e drejta dhe e vërteta, ani pse ju ndërtuat një padrejtësi me pamoralësinë tuaj.
Ju me raportin që paraqitet menduat se do ta rrënoni Kosovën; ju bëni akuza duke mos deklaruar asnjë dëshmitar, por nëpërmjet deklarimeve të dëshmitarëve anonimë, që nuk dihet se çfarë janë. Ju keni deklaruar se do t’i gjeni fajtorët, pasi Kosova ta hapë rrugën duke ta miratuar edhe një Gjykatë Speciale për këtë çështje, a do ta arrish atë që ke synuar? Apo synimi yt ka qenë vetëm për të njollosur, pasi ke menduar se shqiptarët nuk do ta kenë guximin ta bëjnë këtë që bënë, ta pranonin pra Gjykatën Speciale që kërkoj Evropa? Shqiptarët dhe në radhë të parë luftëtarët e lirisë, pikërisht ata që akuzoni Ju në raport, e krijuan gjykatën sipas dëshirës suaj, sepse nuk kanë frikë, sepse besojnë në pastërtinë e veprës së tyre, sepse besojnë në drejtësinë juridike. Por ata gabuan vetëm për një shënim të thjeshtë, që pasi të gjykohen e ta marrin pafajësinë luftëtarët e lirisë, kjo gjykatë ta gjykojë e ta dënojë përpiluesin e raportit të rrejshëm dhe ata që kanë kërkuar krijimin e kësaj gjykate, si dhe t’i paguhen Kosovës të gjitha shpenzimet financiare që do të bëjë kjo gjykatë në jetëgjatësinë e saj.
Unë personalisht kam qenë dhe mbetem kundërshtar i këtij veprimi të politikës së Kosovës për miratimin e Gjykatës Speciale për të hetuar sipas deklarimeve të raportit tuaj. Dhe mbetem kundër, se nuk e honeps dot si buzëqesh i kënaqur ti me padronët e tu që të kanë paguar si megafon që të kanë. Kjo botë, zotëri Dick, nuk është vetëm për sensacione të tipit tënd. Kjo është botë moderne, u shkon problemeve deri në fund. Po pas fundit, cili do të jetë morali dhe e drejta në pësonin tënd? Skenari yt më duket se do të ketë fund të turpshëm.
Po pse thonë se: “Dick Marti gjithmonë është dëshmuar si përkrahës i flaktë i Serbisë dhe kundërshtar i hapur dhe i përbetuar i pavarësisë së Kosovës”. A është e vërtetë se pikërisht për këtë ju jeni ftuar nga Serbia, për të bërë këtë që bëtë me raportin tuaj të shfrenuar dhe pa asnjë nivel etike intelektuale, profesionale, politike, diplomatike, mediatike dhe qytetare? A është e vërtetë se ju i hytë “… këtij aksioni të porositur e, pse jo, edhe të mirëpaguar nga padroni me një qëllim të caktuar, që përmes inskenimeve profesionale t’i mbillte bëmat e krimit serb në jetën e padjallëzuar të shqiptarëve, të atyre shqiptarëve që presin mysafirin qëllimkeq Dick Martin, si mik me zemër të hapur dhe në mënyrë të sinqertë në shtëpitë e tyre të varfra por bujare, ende pa e ditur se çfarë problemi do të lindë dhe me çfarë fajesh do të ngarkohet kombi shqiptar në tërësi, nga imagjinata e sëmurë e këtij antishqiptari të përbetuar dhe improvizuesi të pakompromis”.
Unë jam i sigurt se autori i këtyre radhëve ka plotësisht të drejtë dhe na sqaron për moralin dhe të drejtën që e mbisundon raportin tënd.
Por ju, me thënë të drejtën, jeni treguar mjeshtër i përgatitjes së skenarit të këtyre shpifjeve në raportin tuaj. Megjithëse nuk besoj se jeni lodhur të shkruani, ju mendoj vetëm keni firmosur, se raportin ua kanë përgatitur dhe ua kanë dhënë të gatshëm serbët.
Një ditë në Kosovë dëgjova një tregim tronditës. Tregimi ishte kështu:
“Një qytetar serb, në një takim mes tyre, e pyet një qytetar shqiptar:
– A mundesh ti t’ia presësh kokën djalit tënd dhe ta hedhësh në oborrin tim kokën e tij, që të më akuzosh mua se ta kam vrarë djalin?
– Jo – i thotë shqiptari – një gjë të tillë nuk mund ta bëj, se nuk jam i çmendur.
– E po unë e bëj – i thotë serbi – prandaj më mirë rri larg meje”.
Ta tregova këtë episod, o zoti Marty, se realisht e ke ditur apo jo këtë mendësi, unë nuk e di, por ju realisht keni bërë të njëjtën gjë si ai qytetari serb sepse përfaqësuesit e atij janë edhe ata që të paguan për raportin, pasi edhe Ju e hodhët kokën e prerë të djalit në oborrin tonë dhe po na akuzon se ta kemi prerë ne.
Kur kam lexuar si më poshtë, me thënë të drejtën, jam befasuar, pasi nuk kam menduar se mund të arrini deri këtu: “Karakterin e dyshimtë të Dick Martit më së miri na e sqaron Abdulla Katuçi, pronari i shtëpisë së ‘Verdhë’, i cili hedh akuza të rënda ndaj këtij raportuesi të çuditshëm, kur gjatë vizitës së Dick Martit dy vjet më parë në shtëpinë e tij, po të mos e ndalonte i zoti i shtëpisë, ai tentoi me forcë të hidhte eshtra të vdekurish në brendinë e shtëpisë, për çka pronari i asaj shtëpie të instrumentalizuar për qëllime të tilla meskine, me të drejtë edhe kërkon nga shteti që të ngrehë padi kundër raportuesit të KE-së, Dick Martit, si dhe kundër ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, për shpifje dhe akuza të pabaza kundër viktimave shqiptare”.
Jam edhe i sigurt se shqiptari nuk e akuzon mysafirin. Ai e nderon atë. Vetëm kur e tepron rëndë, siç duket se e keni tepruar Ju në rastin në fjalë, ai reagon, por përsëri me maturi, si ky qytetari shqiptar, që thjesht nuk u ka lënë të bëni çfarë të doni ju në shtëpinë e tij dhe ka kërkuar ndihmën e shtetit. Po vërtet, si nuk ju ka ardhur rëndë ta bëni këtë zoti Marty? Kaq të vështirë qenkan serbët kur të rekrutojnë siç ju kanë rekrutuar Ju dhe ju kanë vënë detyra kaq të vështira? Por prapë mirë e keni, se kur merret një detyrë duhet kryer me çdo mënyrë, siç keni tentuar ta kryeni ju, s’ka rëndësi se kush dëmtohet.
Po ne që nuk të japim dot eshtra njerëzish në thes, si do të bëjmë? Kur do të na tregosh se ku janë eshtrat e të dashurve, të nënave e të baballarëve shqiptarë, të grave, të djemve e të vajzave shqiptare? Të na tregosh, “… për rrethanat, kushtet dhe mënyrën se si u vranë shqiptarët nga Serbia, arsyen e varrosjes dhe zhvarrosjes së disahershme të viktimave shqiptare nga kriminelët serbë, shkakun e bartjes së kufomave nga Kosova në Serbi, qëllimin e kidnapimit të mijëra shqiptarëve, sqarimin çfarë në të vërtetë ndodhi me organet e tyre dhe jetën e shqiptarëve të kidnapuar nga Serbia, pse u zhdukën dhe si humbi çdo gjurmë nga ta, ku mbetën dhe kur do të kthehen, çka ndodhi me ta dhe çfarë u bë me organet njerëzore të viktimave dhe të kidnapuarve shqiptarë, qëllimin dhe shkaqet e veprimeve të tilla, të papara e të padëgjuara në asnjë vend tjetër në botë deri më tani… si u kaluan të gjitha këto në heshtje, kur do të kemi sqarime dhe kush do të japë përgjegjësi për të gjitha këto krime ndaj shqiptarëve, nëse jo Serbia?!” Ne nuk të paguajmë për këto, ne nuk presim nga ti të na gjesh të vërtetën sepse të vërtetën, të drejtën dhe moralin, nuk i njeh. Por ne do t’i gjejmë me kohë të gjitha dhe për të gjitha haku do të shkojë tek i zoti.
Zotëri Marty, ju jeni një tregtar i zoti mostrumesh, pasi kur keni arritur t’i shisni Evropës dhe gjithë opinionit botëror aktet barbare serbe si krime të shqiptarëve, ju mund të bëni edhe shumë lloje tregtish të tjera, Zoti na ruajt, të shpresojmë të mos suleni prapë kundër shqiptarëve, se tani mos po vini e gjeni ndonjë bombë atomike, a mos o Zot ndonjë kombinat të prodhimit të armëve të dëmtimit në masë se ti, po u fute në punë, diçka gjen, pasi t’i lëshon eshtrat në shtëpi po të lanë. (Vijon)