UÇK-ja ka qenë unike dhe me një disiplinë të ndërgjegjshme (32)
Shkruan: Kudusi LAMA
Në këtë raport i është dhënë një informacion i gënjeshtërt Këshillit të Evropës, duke krijuar një opinion shumë dyshues për Luftën Çlirimtare të Kosovës si dhe për pjesën e spektrit politik që vjen nga lufta në Kosovë e gjithë spektrin politik në Shqipëri. Një opinion që realisht Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi do t’u kushtojë shumë, pasi nuk është e lehtë të përmbysësh një opinion që krijohet me pjesëmarrjen e organizatave madhore ndërkombëtare, siç është Këshilli i Evropës, pavarësisht prej përgjegjshmërisë, apo papërgjegjshmërisë së autorit të raportit, përkatësisht zotëri Dick Martyt.
Duke e studiuar për çdo pikë raportin vërejmë dhe vlerësojmë:
Që në pikën 1 duket joserioziteti i këtij raporti, kur tregon se mbështetet në kujtimet e Karla Del Pontes, e cila, për çudi, megjithëse ishte kryeprokurore e gjykatës së ngritur për krime lufte, ishte ajo që solli në bankën e të akuzuarit Sllobodan Milosheviqin, mori të akuzuar dy liderë të UÇK-së, siç ishin Ramush Haradinaj prej detyrës së kryeministrit të Kosovës dhe Fatmir Limjan prej sferave të larta të politikës dhe nuk paska pasur fuqi të marrë të pandehur të tjerë në nivele shumë më të ulëta se kryeministri i Kosovës, siç është kryeministri aktual Hashim Thaçi, i cili akuzohet në këtë raport, që në atë periudhë ishte në politikë, por pa pushtetin qeverisës, pa folur për figura të tjera nën akuzë kujtimesh që as në atë kohë as edhe sot nuk kanë qenë as nuk janë aq të frikshëm sa të trembnin Karla Del Ponten, që kishte me vete gjithë fuqinë botërore, për të bërë çfarë të vlerësonte se duhej bërë. Pra, kjo duket vërtet një shaka, por që askush nuk e mori me shaka.
Sipas kujtimeve që kanë shkruar gjatë historisë njerëz të ndryshëm, duke akuzuar të tjerë që kanë dëshiruar t’i akuzojnë, do të kishim mbetur duke varur njerëz dhe pakkush prej atyre që kanë vepruar në këtë botë do të kishte mbetur pa u dënuar, për të mos thënë askush. Unë që kam lexuar libra kujtimesh, i kuptoj mjaft mirë këto veprime dhe jam i sigurt se kush lexon do të bëjë këtë vlerësim që bëj unë. Mendoj se gjithkush kur lexon këtë pikë të raportit në fjalë duhet ta bëjë pyetjen: Kujt iu tremb Karla Del Ponte në detyrën e lartë që ushtronte në emër të OKB-së, që nuk pati guximin t’i publikojë faktet kur ishte në detyrë, por vetëm për t’i dhënë si kujtime pas largimit nga detyra?
Të gjithë duhet të jenë të sigurt që ajo nuk i është trembur askujt. Por ajo ka qenë e zgjuar dhe e ka ditur përfundimin dështues, nëse do të kishte ngritur akuzë. Kështu që duke dhënë versionin në formën e kujtimeve, ajo e realizoj qëllimin e saj për të hedhur baltë mbi shqiptarët, sipas misionit pse jo që ka pasur prej Serbisë, sipas ndonjë marrëveshjeje të hershme, që me arrestimin e Sllobodan Millosheviqit. Ashtu sikurse shkruhet në pikën 1 të raportit “gati dhjetë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, flitet për një trafikim organesh njerëzore që u janë marrë robërve serbë, trafikim i cili, siç thuhet në libër, ishte i organizuar nga drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)”. Dhe siç merret me mend: “Këto pretendime ishin tronditëse dhe ngjallën reagime të ashpra”. Pasi edhe përpunimi i opinionit nëpërmjet mediave, u bë në mënyrë shumë të organizuar dhe dinamike.
Aq i fuqishëm ka qenë ndikimi i këtyre kujtimeve, sa që menjëherë bëhet një rezolutë (Dok. 11574) dhe caktohet një raportues, detyrë e cila i ngarkohet zotëri Martyt. Kështu deklarohet në pikën 2 të këtij raporti, prej të cilës lindin pyetje të thjeshta por shumë domethënëse: Si ka mundësi që ndërmerren veprime me kaq urgjencë për këto imagjinata, kur për dhjetë vjet nuk kishin shqetësuar kryeprokuroren e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte në Jugosllavi, sa të ushtronte të drejtën e saj ligjore? Si ka mundësi që edhe pas vrasjes së disa qindra mijëra njerëzish dhe bërjes së katër luftërave mezi u morë vendimi për ta shpallur të dyshuar për krime lufte Sllobodan Millosheviqin, ndërsa nëpërmjet disa kujtimeve menjëherë shpallet e kriminalizuar një luftë çlirimtare, siç ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës? Nuk e di a do të mundet Zotëri Marty ndonjëherë të jetë aq i drejtë, sa ta rishikojë vetveten e të nxjerrë konkluzione. Apo ndoshta edhe ky zotëri po përgatit kujtimet, për të na nxjerrë ndonjë variant tjetër kriminaliteti, pasi të jetë larguar nga funksionet politike ndërkombëtare. Nuk përjashtohet mundësia, duhet të jemi të përgatitur për t’u ndeshur edhe me ndonjë variant të tillë.
Shikojini si i prezanton shqiptarët zotëri Marty në Këshillin e Evropës nëpërmjet pikës 3 të raportit të tij. Ai duke pretenduar se ishte gabuar që në veprimtarinë e deritanishme “… njëra palë ishte viktimat, dhe pala tjetër, xhelatët”, që realisht të gjithë shqiptarët e dinë se realisht kështu ka qenë, që Serbia nuk ka qenë tjetër veçse xhelati i shqiptarëve që i ka shuar në vazhdimësi për 100 vjet, kërkon që kjo viktimë që ishte populli shqiptar në trevat e pushtuara, të trajtohet ndryshe. Por që ishte e vështirë të arrihej sukses sepse, siç na etiketon zotëri Marty: “Struktura ende tepër klanore e shoqërisë kosovare shqiptare, si dhe mungesa e një shoqërie të vërtetë civile e bënë jashtëzakonisht të vështirë vendosjen e kontakteve me burimet lokale”. Pra shqiptarët sipas tij akoma nuk janë një komb, por janë fise ose klane dhe se ndër ta mungon civilizimi shoqëror. Kështu ky zotëri bëhet ndër të rrallët evropian, që ka shkelur tokën shqiptare, që nga shekulli i 18-të, dhe që ka gjetur vetëm klane fisnore dhe mungesë civilizimi, sepse në përgjithësi evropianët që kanë ecur nëpër tokën shqiptare prej shekullit 18-të e deri sotkanë deklaruar se në këto treva jeton një popull fisnik, paqësor, besnik, mikpritës dhe shumë i kulturuar. Çfarë e bën të civilizuar një komb përtej këtyre?
Megjithatë në këtë pikë tërheqin vëmendjen terma të tilla si “frikë” e “tmerr”, për ta justifikuar dështimin në marrjen e asaj që ka dëshiruar, prej individëve që nuk kanë pasur t’i thonë zotërisë atë që ai donte t’i thuhej. Ndërsa: “Sa për autoritetet shqiptare, ato bënë të ditur se territori i tyre ka qenë jashtë konfliktit dhe nuk kishin asnjë arsye për fillimin e një hetimi”. Është e vërtetë që Shqipëria ka qenë ligjërisht jashtë konfliktit, por nuk kam dëgjuar se shteti shqiptar në ndonjë moment u është bërë pengesë, përveç, nëse nuk u ka lënë që të improvizoni “fakte” siç keni dëshiruar ju. Po pse zotëri Marty, ju nuk merreni edhe me ato mbi 12 mijë predhat e ushtrisë serbe, që kanë rënë brenda kufirit të shtetit shqiptar e kanë vrarë mbi dhjetë qytetar të këtij shteti në shtëpitë ose në pronat e tyre? Apo edhe ata nuk janë viktima, edhe ata duhet të iknin nga vendi i tyre.
Njëkohësisht ju tregoheni i padrejtë edhe me specialistët ndërkombëtar që kanë vepruar për këto çështje para jush, duke u shprehur se edhe ata nuk kanë arritur asgjë “duke vepruar megjithatë në një mënyrë mjaft sipërfaqësore dhe me një shkallë profesionalizmi që ngjall njëfarë habie”. I vetmi profesionist për zbulimin e krimeve, që siç duket paska bota, qenka vetëm zotëri Marty, mjerë bota kur të mos jetë më.
Ndërkohë, ju deklaroni se Gjykata për krime lufte në Hagë paska pasur mandat vetëm deri në qershor 1999, pse pra ju jeni futur në hapësirën e përgjegjësive të saj? Apo ndoshta për faktin se ajo nuk e ka bërë mirë punën e saj.
Në pikën 4, shpreheni se prej verës së vitit 1999 në këtë rajon, (që nuk e di ku i ka hapësirat, por të lë të kuptohet se me termin rajone, keni parasysh të gjitha trevat ku banojnë shqiptarët), mbretëronte një pështjellim i madh se forcat serbe të sigurisë kishin braktisur Kosovën. Së pari duhet të dini se ata nuk e braktisën Kosovën por u hodhën jashtë prej atyre që ju sot po tentoni t’i quani kriminelë. Së dyti, të bëni ju njëmijë raporte të tilla nuk do të kthehen dot më kurrë. Së treti, shqiptarët kurrë nuk kanë qenë të siguruar prej serbëve, por vetëm të masakruar prej tyre. Së katërti, në këto treva gjendje pështjellimi ka sunduar sa ishin serbët të pranishëm, se pas ikjes së tyre, shqiptarët e kanë pasur vizionin shumë të qartë se do të jenë përjetësisht të lirë në këto treva dhe janë angazhuar për të bërë shtetin sa më të fortë e vital, sipas standardeve moderne bashkëkohore. Së pesti, trupat e KFOR-it në Kosovë nuk kanë ardhur të shtypin këtë popull, siç e ka shtypur Serbia më parë, por kanë ardhur, t’i japin Kosovës siguri pikërisht prej Serbisë, që është e pa përgjegjshme si qytetare europiane. Së gjashti, ju nuk keni dëshirë të pranoni që në atë periudhë që ju e quani “kaosi”, (që realisht nuk keni të drejtë se nuk ka qenë kështu), në Kosovë kishte marrë drejtimin Qeveria e Përkohshme e Kosovës, e cila kishte vendosur bashkë me luftëtarët e UÇK-së dhe popullin e Kosovës që u kthye menjëherë në shtëpi (prej nga e kishin përzënë ushtria dhe policia e Serbisë), ishin mobilizuar për të vendosur normalitetin e pasluftës. Së shtati, në qoftëse nuk e dini goditjet e NATO-s kanë filluar me 24 mars 1999, jo në verë, pasi duket se qëllimisht i ngatërron datat, mos bëj gabime të tilla, që realisht prej funksionit ku jeni ju bëjnë fajtor, që nëse ka drejtësi, një ditë duhet të përgjigjeni para ligjit për shpërdorim detyre.
Dua t’iu them në këtë rast, se ju duke deklaruar pa dashje ose me qëllim keqdashës se “aleati faktik i NATO-s ishte UÇK-ja”, sillni një të vërtetë, që edhe sikur të jetë fakt rëndues, unë si një njeri që ka qenë aty, në atë kohë, e pranoj se është plotësisht e vërtetë. Nëse ta kundërshton dikush, për këtë të dal edhe unë dëshmitarë.
Në vazhdim ju thoni: “Kësisoj, në periudhën kritike që sapo përshkruam, kjo e fundit kishte, kontrollin faktik mbi një territor të gjerë që përfshinte Kosovën dhe rajonet kufitare të Shqipërisë veriore”. Nuk e di pse e quani periudhë kritike, pasi realisht për të gjithë shqiptarët ka qenë periudha më e përsosur e lumturisë pasi ata për herë të parë pas 100 vjetësh po e shikonin veten pa pushtues. Dhe nuk është e vërtetë që ka pasur pushtet brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, shteti shqiptar ishte plotësisht funksional, bashkëpunëtorë i NATO-s dhe nuk kishte asnjë pëllëmbë tokë jashtë kontrollit. Pavarësisht se e kuptoj, se ju nuk e keni këtë vlerësim në sensin pozitiv për vlerat e UÇK-së, por ja që realisht ajo i kishte vlerat superiore për çlirimin e vendit dhe vendosjen e stabilitetit pas lufte, kur kishte një vend të shkretuar nga pushtuesi serb dhe 75% (për qind) të popullit të Kosovës të shpërngulur. Por duke folur për këtë çështje, unë bie dakord me shprehjen tuaj se realisht në atë periudhë të pasluftës “nuk bëhej fjalë për një pushtet me të vërtetë të strukturuar dhe as që bëhej fjalë se mund të kishte konturet e një shteti”, por nuk kuptoj fjala pasardhëse “përkundrazi” çfarë kuptimi ka. Çfarë doni të thoni me këtë fjalë? Fjalëve të tilla të futura nëpër raport, ne shqiptarët u themi “me i futë mish dhie”, kur dikush e bën bisedën me hile, siç e bëni raportin ju zotëri Marty. Atë “përkundrazi”, fute në xhep zotëri, se tek ne nuk ka vend, megjithëse ju gjithë fjalinë e keni formuluar vetëm që të thoni në fund atë fjalë kyç vlerësuese për gjithë situatën e kohës.
Dhe ju pikërisht këtë periudhë, që nuk e di ku fillon e ku mbaron, se vërtetë nuk e keni përcaktuar, e quani si periudhë të artë kur “u kryen krime të shumta” Jo zotëri, shqiptarët nuk i bëjnë punët e mëdha fshehurazi, por publikisht. Shqiptarët serbët i kanë luftuar sa e mori vesh gjithë bota dhe bota moderne u bë bashkëluftëtare e tyre, siç e deklaroni edhe ju. Ashtu edhe shqiptarët bashkëpunëtor të armikut shqiptarët i kanë luftuar në vijat e fronteve të luftës. Por popullin e thjeshtë, qofshin serb ashtu edhe shqiptar, luftëtarët e lirisë nuk e kanë dëmtuar edhe kur luftohej e u vriteshin shokët nëpër vijat e fronteve, jo ta dëmtonin me gjakftohtësi pas lufte siç pretendoni ju. Ndërsa edhe njëherë duhet t’iu rikujtoj se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk ka pasur fraksione, ajo ka qenë unike dhe me një disiplinë të ndërgjegjshme që nuk di a gjendet në ndonjë ushtri tjetër vullnetare siç ishte UÇK-ja. Prandaj mos na e shpikni këtë çështjen e “rivaliteteve midis fraksioneve të UÇK-së”, se populli shqiptar e di mirë që ka pasur vetëm një UÇK, nën një flamur e nën një uniformë. (Vijon)