UÇK-ja ME NJË SULM TË RRUFESHËM DHE TË BEFASISHËM, DETYRON FORCAT SERBE TË TËRHIQEN ME TURP NGA PETROVA DHE REÇAKU
Fragment nga libri në dorëshkrim “Drama e Reçakut”
Lulzim Sahiti:
Forcat armike pasi kishin djegur e shkrumbuar disa fshatra në ofensivën e gushtit të vitit 1998 në komunën e Shtimes, kanë nisur aksionin me elektricistë gjojase për rregullimin e energjisë elektrike. Kështu që më 4 nëntor 1998, ndërmjet orës 12:00 – 13:00 në fshatin Petrovë nga qyteti i Shtimes ka shkuar një autoblindë me dy pizgauerë të Njësisë së Ndërhyrjes së Veçantë të Policisë serbe, e cila ishte ngarkuar për të vizituar fshatin Petrovë dhe Reçak. Me këtë rast, në qendër të fshatit fillojnë fëmijëve shqiptarë t’u dhurojnë sheqerka e karamele. Qëllimi i tyre ishte që në popull të dukën si njerëz të mirë e paqësor. Domethënë gjojase ata luftonin vetëm kundër “terroristëve” të UÇK-së. Me një fjalë, dëshironin të fusin përçarje në mes të popullatës civile dhe pjesëtarëve të UÇK-së që ishin bijë e bija të kësaj treve.
Mirëpo pjesëtarët e UÇK-së që ishin të vendosur në Pikën (bazën) e tyre në Rancë, kishin informacion për veprimet e forcave armike, të cilat ditë më parë ngjashëm kishin vepruar në fshatin Belinc dhe Mollopolc. Andaj, duke ditur strategjinë tinëzare serbe, UÇK-ja katër ditë më herët merrë vendim që disa pjesëtarë të UÇK-së nga Ranca të vendoset në bazën e tyre në Luzhak, në afërsi të Petrovës dhe Reçakut. Më 4 nëntor 1998, nën udhëheqjen e komandantit Afet Bilalli, i njohur me nofkën “Çopa”, pjesëtarët e UÇK-së: Basri Salihaj, Heset Salihaj, Fadil Mujota “Cubi”, Sefë Hysenaj, Ibush Rashiti “Axha”, Fadil Nazif Salihu, Florim Imeri “Bashkimi”, Mehdi Selmani “Mustaki”, Bedri Rexhaj “Galani”, Shefket Muhadini “Tamuli”, Hyzer Muhadini “Shpati” nga Reçaku, Selim Musliu “Cimi”, Ismail Luma “Altini” e të tjerë pozicionohen në vendin e quajtur “Kodra e Mullinit” mbi fshatin Petrovë.
Në anën tjetër te vendi i quajtur “Ura e Pashës”, gjegjësisht te rruga Shtime-Reçak-Petrovë, janë pozicionuar pjesëtarët tjerë të UÇK-së: Sadik Mujota, Mehmet Mustafa, Shaqir Berisha, Sadat Salihaj, Shani Jakupi me mortajë të dorës, Njazi Mujota dhe komandanti i tyre, Nebih Musliu “Abazi”.
Luftëtarët e lirisë, vëzhgonin policinë serbe me gjakftohtësi dhe pritnin çastin e volitshëm për kudërvënie ndaj tyre me të përfunduar të “misionit” të tyre në brendi të fshatit. Ndërkohë, forcat armike as që e imagjinonin prezencën e UÇK-së pranë tyre dhe të relaksuar nisen të kthehen drejt Shtimes.
Printe autoblinda pas së cilës shkonin dy pizgauerë dhe në afërsi të ish-Ambolancës shëndetësore, hasin në rezistencë të ashpër të luftëtarëve trima të UÇK-së, ku Fadil Sadik Mujota, i shoqëruar nga bashkëluftëtari Sefë Hysenaj i gjuan me pushkën gjermane snajper, menjëherë pas tij me një predhë 150-she nga raketahedhësi i dorës e godet mbrapa pinzgauerin e fundit, luftëtari Fadil Nazif Salihu, të cilin e mbështeti me mitrolez CD, Florim Imeri nga Ferizaj dhe Mehdi Selmani nga Lloshkobarja me pushkomitrolez (PM) të lehtë. Nga sulmi i rrufeshëm dhe i befasishëm, forcat armike janë tërhequr me turp, ndërsa në shenjë hakmarrje forcat serbe të pozicionuar në kodër të Shtimes te “Gështenjat” kanë gjuajtur në drejtim të forcave çlirimtare me mitroloz të rëndë, njëherit kanë dhënë koordinatat në Stacion të Policisë në Shtime, ku nga atje janë gjuajtur me minahedhës. Pas sulmit të furishëm të UÇK-së kundrejt forcave armike në Petrovë, ato kishin ftuar në ndihmë forca tjera policore. Ndërkohë ka ardhur edhe një helikopter, i cili ka vëzhguar nga ajëri por nuk ka ndërhyrë.
Ndërkaq, pjesëtarët e UÇK-së të pozicionuar te “Ura e Pashës” ishin vënë në gjendje gatishmërie dhe pritnin me padurim kthimin e forcave armike nga Petrova, mirëpo ndodhi e kundërta një pizgauer me policë vjen nga qyteti i Shtimes që shkonte në ndihmë të armiqëve në drejtim të Petrovës.
Ky veprim, forcat e UÇK-së i vë në lajthitje dhe nuk veprojnë. Për një çast, forcat serbe ndalën te udha që hynë në të djathtë për Reçak, sigurisht për të komunikuar me forcat që ishin në brendi të Petrovës. Pizgaueri ishte i mbështjellur me pjesë të gomës për të mos depërtuar plumbat. Ushtari i lirisë, Nebih Musliu ishte pozicionuar përfundi “Urës së Pashës” dhe posa ka vërejtur se pizgaueri me policë special ka kaluar sipër urës dhe është ndalur, ka pritur pak minuta për të goditur shokët e tij. Mirëpo kur e vëren se askush nuk po i godet, atëherë me pushkë automatike gjuan në drejtim të tyre. Forcat armike shpejt e shpejt hipin dhe në ikje e sipër gjuajnë në drejtim të Nebihut. Mandej, ky pizgauer është tërhequr shpejt e shpejt te çezmja e Azem Hjadarëve në drejtim të Shtimes, ndërsa luftëtarët çlirimtarë tërhiqen në bazën e tyre pa asnjë të lënduar.
Sipas të dhënave zyrtare serbe, në këtë sulm nuk ka pasur pjesëtarë të policisë të lënduar përpos dëmeve materiale.
***
P.S.
Fotoja është veç ilustrim dhe nuk është nga vendi i ngjarjes…