UÇK-ja NË PIEDESTALIN E HISTORISË
Shkruan: Izmi Zeka
Shteti i Kosovës në këto vitet e fundit është futur në një rrugë të ngatërruar. “Shpjegimet” mund t’i gjejnë analistët dhe ekspertët e profileve të ndryshme, të cilët nuk e kuptojnë sa e si, çfarë përfaqëson një shtet dhe, si duhet të sillemi në planin ndërkombëtar.
Viteve të fundit në përfaqësimin ndërkombëtar, kemi mbetur në hijen e veprimeve të pa matura, të pa studiuara mirë e gjithanshëm. Kështu, si duket, po e humbim mbështetjen që e arritëm brenda dy dekadave e gjysmë, sidomos me luftën çlirimtare dhe në pesëmbëdhjetë vitet e fillimit-shekullit XXI. Ndoshta dikush mund të gjejë arsye prej më të ndryshmeve, por faktorët e politikë-bërjes, të tillët që drejtuan proceset e udhëheqjes së Kosovës; me padijen e tyre, padyshim ndikuan për mosnjohje të zhvillimeve ndërkombëtare.
Mungesa e reflekseve politike e atyre që përfaqësuan Kosovën, dëmtuan, ndoshta pa vetëdije, interesin shtetëror të Kosovës?
Rrahagjoksit me epitete pasardhësish të baballarëve të historisë, duke mos qenë në përkime koherente me zhvillimet politike ndërkombëtare, si dhe padituria i shkaktuan dëme të ardhmes së Kosovës, që vështirë se do të mund të riparohen lehtë.
Shteti i Kosovës nuk mund të mbahet gjatë si rast “sui generis” në zhvillimet përreth, por as kundruall ngjarjeve dinamike e dramatike në botë.
Sa i përket njohjes të politikave ndërkombëtare, thellimit për t`i studiuar proceset politike dhe ekonomike në Evropë e më gjerë, qasja jonë shtetërore i ngjan më shumë një fëmije të lazdruar, që nuk e di çka do! Në fund më së shumti e pëson familja e quajtur shtet.
Koncepti shtet si kompleks i gjerë mekanizmash, për çdo vjet është duke pësuar humbje…Po humbë në zhvillimet e brendshme politike, qofshin qeveritare a opozitare.
Dallimi mes një qeverie dhe shtetit të Kosovës, do të duhej të ishte i njohur për të gjithë, pa dallim.
Shteti është filozofia, integriteti, gjuha, kultura, kufijtë, etnikumi, kurse qeveritë janë përfaqësimi i popullit dhe asgjë më shumë. Pa hyrë në zbërthimin e këtyre dy shpjegimeve, do të duhej të ishte e njohur dhe, ta kemi të qartë të gjithë konceptin shtet.
Nga përvoja: armiku më i madh yni jemi vetë ne, që bartëm ose që bartim përgjegjësi qytetare ose shtetërore. Fatkeqësisht nuk e kemi tejkaluar ende konstatimin e rilindësit tonë Faik Konica, para një shekulli: Armiku më i madh i shqiptarëve janë vetë shqiptarët!
Jetojmë në kohën kur problemet e brendshme shoqërore, që nuk janë të pa konsiderueshme, kanë sjellë situatën e ngjashmërisë historike; që po të lexohen kujdesshëm ato ngjarje të çerekut të parë të shekullit XX, dallimet do të ishin të vogla. Krahasimi imponohet, jo për të rikthyer vëmendjen te polarizimet evropiane të asokohshme, sepse Kosova dhe shqiptarët tashti janë më ndryshe. Pra, sot kemi dy shtete me mentalitet pothuajse të ngjashëm. Mentaliteti, egoja e theksuar, padituria, fudullëku për fatin tonë të keq, kanë ruajtur vijimësinë, përderisa në nivelin evropian, po shkelemi si qyqarë dhe të pa dinjitet?!
E shohim me çfarë merremi ne këtu në Kosovë, por dhe në Shqipëri?! Luftë e shëmtuar ndaj njëri-tjetrit, fyerje deri në skajshmëri, pa kulturë për komunikim, padije për njohje të zhvillimeve ndërkombëtare dhe, ku jemi, çka mund të kushtëzojmë ne?
Po i mbysim në rriten e tyre gjeneratat e reja, duke ua humbur shpresat për jetë! Çfarë do të mësojnë ata nga prindërit, mediet ose institucionet në përgjithësi?! Asgjë më shumë se sa rivalitete të egra brenda sojit njerëzor! Skena të turpshme… Tmerr, frikë dhe atmosferë të zymtë!… Sa hap portalet, televizionet sheh vetëm zëra mbytës të jetës, pa ardhmëri, shthurje dhe shkatërrim të asaj që u krijua dhe u ndërtua për një kohë të gjatë!
Dija dhe ndershmëria sot mund të kuptohen si mungesë e kapaciteteve intelektuale,ose qasje ende e verbër në këtë shekull, të cilit i ikën njëzet vjet, madje Shqipërisë Perëndimore tridhjetë vjet dhe vijojmë të mbetemi në tranzicion!
Sot mungon dhimbja shtetërore! Sot fare me lehtësi flitet për ndarje të Kosovës… Po kështu, me lehtësi afishohen epitetet tradhtarë e patriotë. Ku na shpie kjo? E tëra i ngjanë një shekulli më parë. Asnjë ndryshim. Shih çka shkruan Faik Konica: “Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë-jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.” (Albania, 16, 15-30 korrik 1898), Fan Noli në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, përkufizoi saktë gjendjen ku e kishin katandisur Shqipërinë, sipas tij: pesë anarkitë:
“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:
Po i paraqes disa prej tyre
…E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.
E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim të shkretëruar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për madh.
E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës, përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.
Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”
Çka po ndodh në të sotmen? Premë degët e pemës që na ka ushqyer! Shkojmë atje ku nuk i kemi rrënjët… Nga atje na yshtin, në emër të një ideali fetar, t`i kontestojmë rrënjët, qytetërimin, Skënderbeun.?!
Harrojmë: Marin Barletin, Pjetër Budin, Frang Bardhin, Pjetër Bogdanin, Hasan Zyko Kamberin nga Kolonja, Nezim Frakulla nga Berati, Zenel Bastari nga Tirana, Muhamet Çami nga Konispoli, Naim Frashërin, Shahin Frashërin nga Frashëri, Salih Pata e Mulla Hysen Dobraci nga Shkodra, etj.
Harrojmë me vetëdije shkrimtarët arbëreshë të Rilindjes Kombëtare: DeRaden, Dhimiter Kamarden, Gavril Dara i Riu, Zef Skiroin, Anton Santorin, Nikollë Ketën, Zef Seremben, Naum Veqilharxhin, Pashko Vasën, Jani Vreton, Sami Frashërin, Zef Jubanin…
Çfarë të themi për politikat tona shqiptare? Kulturës sonë, si shenj identiteti, nuk i jepet trajtimi i duhur dhe meritor. Gjithandej e kaplon fryma e nihilizmit, e përhapur nga qarqe të caktuara, që shekujt i kanë lënë mbrapa. Në fakt ne jemi në Evropë, por përfytyrimi, filozofia historike, shkenca në tërësi përjeton fragmentarizëm, që për rrjedhojë do të ndryshojë historinë, edhe kështu të shtrembëruar me shekuj, për interesa të grupeve dhe segmenteve të caktuara, qoftë shqiptare ose jashtë shqiptarëve.
Çka duhet të bëjë shteti për atdheun e tij? Të hartojë programin gjithëpërfshirës, afatgjatë kombëtar, që të jetë një lloj Bible për shqiptarët sot edhe në të ardhmen…
Ja çfarë i shkruan, në testamentin që i la, Mitrush Kuteli familjes:“Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë, as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, edhe atëherë kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje.”
Tiranë (e hënë 11 korrik 1966) nga Diaspora Shqiptare.
Ky testament do të duhej të ishte në çdo tavolinë dhe shtëpi shqiptare.
2.
Të gjitha që u thanë më lartë, kanë argumente historike, politike dhe gjeostrategjike për të gjithë shqiptarët në Ballkan.
Betejat diplomatike dhe jo vetëm kaq, ne sikur po i humbim me luftën brenda llojit!…
Nëse “Gjykata Speciale”, me pretendime “për gjykimin e krimeve të UÇK-s”, nuk përjetohet si padrejtësi kombëtare? Kush jemi ne?! A e meritojmë lirinë dhe shtetin e pavarur ne?! Një gjykatë e cila kishte për qëllim hulumtimin e një raporti të një pro-serbi, për “trafikim organesh”; ndërroi rrugë dhe, me “prova” të Beogradit ngriti aktakuza ndaj personaliteteve tona, që luftuan dhe ngritën në këmbë shtetin e Kosovës, duke evropianizuar ndërtimin e këtij shteti në të gjithë parametrat…
Tendenca e hapur për të baraspeshuar kriminelët me viktimat, agresorin me luftën për çlirim e mbijetesë janë trajtesa, që vetëm qarqet pro-serbe dhe ruse mund të bëjnë diçka të tillë! Gjithçka tjetër mund të ketë në këtë Gjykatë, vetëm “drejtësi” assesi!
Hashim Thaçi me shokë në historinë moderne të Kosovës, do të portretizohet si njeriu, që në momentet më të vështira vuri vetën në peshoren e historisë dhe të filozofisë unike të kohës. Kjo rrethanë e solli vlerën e papërsëritshme dhe është model i ndryshimit të Kosovës, nga një vend i robëruar në një shtet të lirë! Sado që Kosova ende përballet më mbetjet e sistemit të kaluar robërues, koha dhe vitet që do vijnë, do të përmbyllin ciklin qindvjeçarë të një mentaliteti robërues dhe skllavërues. Nuk është e çuditshme baltosja për figura çlirimtarësh, sepse një kohë të gjatë është shkruar edhe për Gjergj Kastriotin e shumë figura të ndryshme, në mënyrë të papërgjegjshme; mirëpo, koha dhe prerjet historike figurat i kanë renditur në piedestalin e historisë.
Për ju pinjollët e shitur, që keni mbetur as në tokë, as në qiell për shkak të kaluarës suaj, kurrsesi nuk do të mundeni ta mbuloni të kaluarën kriminale dhe antishqiptare… E kaluara juaj e pistë zgjati, pothuajse, një shekull, thënë troç i gjithë shekulli njëzet!