UÇK-ja, rruga e nderit dhe e dinjitetit
Akademik Pëllumb XHUFI
Epopeja e shkruar me gjak në Prekaz e Llaushë më 5, 6 e 7 mars 1998 ndryshoi historinë dhe paralajmëroi lindjen e një shekulli të ri për popullin shqiptar të Kosovës e për mbarë shqiptarinë. Zhvillimet e deriatëhershme në Kosovë e kishin paralajmëruar këtë stad të ri të qëndresës së popullit shqiptar të Kosovës. Demonstratat e vitit 1968 dhe ato masive të mars-prillit 1981 ishin premisat që e vendosën Kosovën në krye të shqetësimeve ndërkombëtare dhe që përgatitën luftën çlirimtare të viteve 1998-1999.
Deri në atë çast forca politike, të lindura pas vitit 1990, e në mënyrë të veçantë LDK-ja e drejtuar nga dr. Ibrahim Rugova, kishin bërë përpjekje për ta mbajtur brenda suazës së një qëndrese pacifiste qëndresën e popullit shqiptar të Kosovës ndaj represionit të pushtuesit serb. Në fakt, kjo pati meritën se në planin politik e propagandistik i qëndroi me konsekuencë opsionit të një Kosove shtet i pavarur, edhe pse në lëmin e veprimit konkret iu ruajt përplasjeve me pushtuesin serb duke mos konsideruar, as për së largu, format e një qëndrese të fortë e deri të armatosur.
Por, problemi ishte se rruga pacifiste nuk jepte shenjë se mund të çonte në arritjen e atij qëllimi të lartë. Politika e mospërfshirjes në konfliktet që sollën shkatërrimin e ish-Jugosllavisë nuk u shpërblye siç shumëkush shpresonte. Kosova nuk u ftua në Dejton më 1995, e kur një funksionar i lartë i administratës amerikane u pyet, se përse në bisedimet e Dejtonit mungonin përfaqësuesit e Kosovës, përgjigjja e shkurtër e tij ishte: “Në Dejton janë ftuar ata që kanë luftuar”.
Periudha pas Dejtonit mund të quhet periudha e zhgënjimit për shqiptarët. Ndërkombëtarët, të kënaqur nga mbyllja e konfliktit në ish-Jugosllavi, nxituan ta njohin Jugosllavinë e Millosheviqit, ta pranojnë atë në OKB e në organizatat e tjera ndërkombëtare, dhe t’i heqin sanksionet ndaj saj, duke lënë vetëm të ashtuquajturin “mur i jashtëm i sanksioneve”, me vlerë simbolike. Sa i përket Kosovës, presioni i tyre mbi Millosheviqin konsistonte në rikthimin e autonomisë të njohur nga Kushtetuta e vitit 1974, të cilën ai e kishte fshirë me një të rënë të lapsit më 1989. Pas Dejtonit, Millosheviqi u mundua ta reduktonte problemin e shqiptarëve të Kosovës në të ashtuquajturën “Marrëveshje e Arsimit”, për të cilën ishte bërë dorëzënë Komuniteti i San Egidios, një organizatë fetare vullnetmirë, e angazhuar edhe më herët për zgjidhjen paqësore të konflikteve etnike në botë. Por, ende në marsin e vitit 1998 asnjë hap nuk ishte bërë për ta zbatuar marrëveshjen në fjalë: nxënësit e studentët shqiptarë vazhdonin t’i ndiqnin mësimet në kushte ilegaliteti, në lokale e banesa private. Për më tepër, prania e forcave të sigurisë serbe në Kosovë u shtua dhe, bashkë me to, edhe dhuna. Qasja pacifiste ishte ezauruar dhe rinia e Kosovës u orientua drejt një zgjidhjeje tjetër.
Qysh në fillim të shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, një grup të rinjsh, patriotë e idealistë nga krahina të ndryshme të Kosovës, kishin përqafuar vendosmërisht opsionin e qëndresës së armatosur kundër pushtuesit serb. Përfaqësuese politike e kësaj vije u bë LPK-ja, e cila përcaktoi si detyrë parësore krijimin e një force ushtarake në funksion të çlirimit kombëtar, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dalja e saj publike ndodhi në Llaushë më 28 nëntor 1997. Atë ditë, në ceremoninë për përcjelljen e mësuesit Halit Geci, rënë dëshmor gjatë një përpjekje me forcat serbe, mes mijëra e mijëra pjesëmarrësve, ra në sy prania e një grupi të rinjsh, të armatosur e me uniformën e UÇK-së. Fjalimi i drejtuesit të tyre, komandant Rexhep Selimit, u mbyll me një betim solemn e me thirrjen për një bashkim të gjithë shqiptarëve në luftën çlirimtare.
Lufta e UÇK-së ua prishi qetësinë ithtarëve të zgjidhjes paqësore. Në Prishtinë e në Tiranë pati nga ata që akuzuan UÇK-në si, kinse, organizatë marksiste-leniniste, madje si krijesë e UDB-së. Akuza të tilla i erdhën për shtat Millosheviqit e kancelarive të ndonjë vendi evropian. Madje korit kundër UÇK-së iu bashkua edhe ndonjë funksionar i administratës amerikane. Më 24 shkurt 1998, i dërguari i posaçëm për Ballkanin, ambasadori Robert Gelbart, zhgënjeu shumëkënd, kur në një deklaratë që bëri bujë, lëvdoi Millosheviqin për “hapat pozitivë” që ky paskësh bërë në zbatim të Marrëveshjes së Dejtonit, njëherësh i definoi si “terroriste” aksionet ushtarake dhe vetë UÇK-në. Siç do të shkruante atëkohë Wolfgang Petritsch, “duke etiketuar si organizatë terroriste UÇK-në, Gelbart mbështeste indirekt kursin e ashpër të Millosheviqit”. Dhe, në fakt, njeriu që nuk udhëhiqej nga arsyeja njerëzore, por nga instinkti i kafshës, Sllobodan Milosheviqi, i konsideroi deklaratat e Gelbartit si një leje për të vrarë. Vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, më 28 shkurt, kasapi i Ballkanit urdhëroi operacionin e parë të madh të njësive speciale kundër fshatrave dhe bazave të UÇK-së në Drenicë. Me mijëra forca trupa serbe, të mbështetura nga autoblinda, artileri dhe helikopterë, u lëshuan fillimisht kundër fshatrave Likoshan e Çirez duke vrarë civilë, gra, fëmijë dhe pleq. Paskëtaj, më 5 mars, njësitë speciale serbe rrethuan fshatrat Prekaz dhe Llaushë. Këtu, në luftë të pabarabartë me forcat e armikut, që zgjati tri ditë, ranë theror mbi 60 veta, ndër të cilët 22 i përkisnin familjes së ngushtë Jashari. Në krye të asaj beteje epike ishte komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari, i cili ra duke luftuar si luan, me armë në dorë. Vendosmëria e tij, e bashkëluftëtarëve, familjarëve e bashkëfshatarëve të tij për të luftuar deri në fishekun e deri në frymën e fundit kundër forcave shumë herë superiore të armikut, tronditi opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Mesazhi që epopeja e përgjakshme e Jasharëve përcolli në botë ishte tronditës: populli shqiptar dhe Ushtria e tij Çlirimtare e Kosovës e kishin marrë vendimin: lirinë e tyre, lirinë e vërtetë, ata do ta fitonin ashtu siç gjithmonë ka qenë në traditën e shqiptarit, me luftë të vendosur e pa kompromis, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat që një luftë e tillë premtonte. Holokausti i Jasharëve ishte prova e gjallë se shqiptarët ishin gati për sakrificën sublime. Dhe si me magji, pas 7 marsit gjithçka ndryshoi. Më 10 mars u mblodh për herë të parë në Londër Grupi i Kontaktit për Kosovën, që i drejtoi regjimit të Beogradit paralajmërimin e parë serioz, për ta pushuar represionin dhe për t’i tërhequr trupat speciale nga territori i Kosovës. Deklaratat e pamatura të Gelbartit u harruan dhe ai vetë nuk u duk më në skenën e dramës kosovare. Vendin e tij e zunë përfaqësuesit e një politike të prerë e të vendosur ndaj kasapit të Ballkanit: “buldozeri” i diplomacisë amerikane, Richard Hollbrook, njohësi i shkëlqyer i problematikave ballkanike Chris Hill, zbuluesi e denoncuesi i pamëshirshëm i masakrave serbe, William Wolker. Vendin e Komunitetit paqësor të San Egidios në krah të shqiptarëve, e posaçërisht në krahun e UÇK-së, tani e zuri, as më shumë e as më pak se organizata politiko-ushtarake më e fuqishme e botës, NATO. Agjenda e NATO-s, e BE-së dhe e ShBA-së për zgjidhjen e problemit të Kosovës, e la mënjanë “Marrëveshjen e Arsimit” të ofruar nga Millosheviqi dhe vuri në rend të parë opsionin e Kosovës shtet i pavarur, që ishte opsioni i vetëm i mbarë popullit shqiptar. Kjo, pra, ishte përmbysja e jashtëzakonshme, që vuri në rrugën e zgjidhjes çështjen e Kosovës dhe që i detyrohet në vetë të parë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftës heroike të saj dhe sakrificës sublime që bënë në emër të lirisë bijtë dhe bijat më të mirë të popullit të Kosovës.
Populli shqiptar e ka vlerësuar përherë rrugën e virtytit, të nderit e të dinjitetit. Historia jonë është e mbushur me shembuj burrash dhe grash të virtytshëm, të ndershëm e plot dinjitet që i janë gjendur atdheut në rrezik e kështu janë bërë pjesë e ndërgjegjes sonë kombëtare. I pari ndër ta, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, është objekt i krenarisë dhe i adhurimit panshqiptar. Por, historia jonë sa e vjetër, aq edhe e re, ka treguar se, kur vjen çasti i provës së madhe, siç ishte ai i viteve 1998-1999, nuk mungojnë edhe ata shqiptarë që në kohë paqeje përgjërohen për Gjergj Kastriotin, por në kohë lufte sillen si Hamza Kastrioti. Prandaj, ne bëjmë mirë që heronjtë tanë, ata të vërtetët, siç janë djemtë e vajzat, burrat dhe gratë e UÇK-së, të rënë theror për lirinë e atdheut në altarin e lirisë, t’i kujtojmë përherë me mirënjohje, siç po bëjmë sot, t’i derdhim në bronz, t’i gdhendim në gur e, mbi të gjitha, t’i shkruajmë në libra, që fëmijët tanë të mësojnë se cila është rruga e vërtetë e virtytit, e nderit dhe e dinjitetit.
(Marrë nga libri “Ushtria Çlirimtare e Kosovës, vlerë kombëtare”, botuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kjo kumtesë është paraqitur në sesionin shkencor mbajtur në Prishtinë më 7 mars 2022, organizuar nga: Instituti Albanologjik i Prishtinës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë dhe Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Kumtesat e njëzet intelektualëve shqiptarë gazeta “Epoka e re”, përpos në portal, do t’i botojë për njëzet ditë me radhë edhe në formatin pdf. Librin mund ta gjeni në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.)