Në Tiranë ngritet memoriali përkujtimor për grupet e para stërvitore ushtarake të UÇK-së
Në zonën e Surrelit të Tiranës është ngritur memoriali përkujtimor për grupet e para që u stërvitën ushtarakisht në formë të organizuar, me synimin për të çliruar Kosovën.
Është ngritur memoriali i cili përkujton grupet e para që u stërvitën ushtarakisht në formë të organizuar, me synimin për të çliruar Kosovën nga okupatori serb në afërsi të zonës së Surrelit në Tiranë.
Këto grupe u përgatitën 33 vjet më parë nga ushtarakët e ushtrisë shqiptare, ku mes tyre në stërvitje morën pjesë edhe Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Sali Çekaj, Ilaz Kodra, të cilët sot janë dëshmorë të kombit.
Ngritja e këtij memoriali është iniciativë e gazetarit nga Shqipëria, Marin Mema, për të përkujtuar historinë e ushtrimit ushtarak të grupeve të para për çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Në ceremoninë e rastit kanë marrë pjesë personalitete të shumta nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.
Ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, e ka cilësuar shumë të rëndësishme këtë iniciativë, e cila, sipas tij, forcon identitetin dhe përkujton historinë. Moisiu theksoi se forcimi i lidhjes me kombin është domosdoshmëri, aq më tepër te brezat e rinj.
Ndërkohë, në emër të oficerëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, që i stërvitën këto grupe 33 vjet më parë, ish-ushtaraku Ylli Mici theksoi se sakrificat e dëshmorëve nuk duhen harruar.
“Kujtimi dhe nderimi i tyre mbeten një detyrim”, theksoi Mici në fjalën e rastit.
Mesazhe gjatë këtij aktiviteti u përcollën jo vetëm nga familjarët e dëshmorëve, por edhe nga pjesëmarrësit në këto stërvitje sikurse Osman Ferizi.
Po kështu, një fjalë të rastit ka mbajtur edhe ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.
“Një shqiponjë prej bronzi qëndron mbi memorialin 5 metra të lartë, i cili është vendosur pranë repartit ku u zhvillua përgatitja ushtarake 33 vjet më parë”.
Kjo vepër është realizuar me mbështetjen e shqiptarëve të thjeshtë, duke mundësuar kështu për kryeqytetin një simbol të fortë bashkimi, siç e quajti iniciuesi dhe realizuesi i projektit, gazetari i Top Channel, Marin Mema.
“Është koha që ne të ndihemi të fortë si shqiptar, prandaj për ne kishte shumë rëndësi ky memorial, që të kuptohet që ne jemi të gjithë bashkë, që ne duhet të jemi të gjithë bashkë, që ne nuk duhet të ndahemi kurrë, pavarësisht asaj historie të padrejtë që është përpjekur gjatë gjithë kohës të na mbajë të tillë. Ndaj, ne të gjallët sot, duhet të dijmë të respektojmë kujtimin e dëshmorëve, t’i vendosim këmbët fort në tokë dhe të kuptojmë se gjaku i tyre është i shenjtë. Ne duhet të përulemi me respekt ndaj veprës së dëshmorëve”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Marin Mema.
Mema falënderoi të gjithë mbështetësit e këtij projekti, mes të cilëve, një falënderim të veçantë ia kushtoi Lazim Destani, si një ndër mbështetësit e kësaj vepre.
Në ceremoni morën pjesë familjet historike sikurse ajo Jashari, Çekaj, Pajaziti, Kodra, Hoxha e Qerimi, po kështu ish-ushtarakë, diplomatë, figura të njohura të fushave të ndryshme.
Tashmë, Tirana do të ketë vendin e saj ku t’i nderojë dëshmorët e lirisë Adem Jasharin, Zahir Pajazitin, Sali Çekajn, Ilaz Kodrën, etj.
Ky memorial është ngritur në një vend ku më parë nuk kishte asnjë shenjë që ta përkujtonte këtë histori.