UÇK – ushtria jonë, UÇK – krenaria jonë!
/AFP/
Më tepër se 100 000 kosovarë morën pjesë të shtunën në të parën dhe të fundit paradë të madhe të luftëtarëve të armatosur të UÇK-së, udhëheqësit e së cilës bënë thirrje për pavarësinë e krahinës.
Për këtë “paradë të fitores”, e fundit para shpërbërjes së programuar nesër të UÇK-së, dhjetëra mijëra persona kishin ardhur nga fshatrat dhe qytetet e krahinës për të duartrokitur fuqishëm luftëtarët kosovarë që luftuan përkrah NATO-s kundër ushtrisë jugosllave.
Rreth orës 15:00 (lokale), parada me në krye një grup kosovarësh të veshur me veshjet tradicionale, të pasuar nga rreth 50 përfaqësues të njësive të ndryshme të UÇK-së, filloi të lëvizte drejt zonës universitare, simbol I krijimit të lëvizjes së re kombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Gjatë kalimit të tyre një turmë e madhe e grumbulluar mbi trotuare e priti me thirrjet “UÇK, UÇK” kortezhin, duke hedhur lule gjatë kalimit të tyre. Militantë valvitnin pankarta ku shkruhej “UÇK- ushtria jonë” ose “UÇK- krenaria jonë”.
“Po manifestojmë për të patur një ushtri, për të festuar çlirimin tonë nga shtypja serbe”, thotë Hajriz Makolli, një minator 49 vjeç.
“Është dita më e lumtur e jetës time, të mund të parakaloj së fundmi me uniformë”, shprehet një komandant i UÇK-së, Ragip Gjoshi. “Tani Evropa duhet ta kuptoj se ne duam pavarësinë”, shton ai.
Fjalët “Liri” dhe “Pavarësi” shqiptohen nga të gjithë.
Një orë më pas, 50 000 veta u grumbulluan në stadiumin e qytetit ndërsa atje erdhën edhe më shumë se 1000 luftëtarë të ardhur nga rajone të ndryshme. Ata u pasuan nga familjarët e luftëtarëve të vrarë në beteja, që ngrinin lartë fotografitë e vëllezërve dhe baballarëve të rënë. Rreth 10 luftëtarë me karroca me rrota mbyllnin kortezhin.
Në fushën e mbulur me flamuj shqiptarë dhe ku ishte ngritur një podium, zunë vend shefat politikë, ndërmjet të cilëve “kryeministri” Hashim Thaçi dhe “Ministri i Mbrojtjes”, Jakup Krasniqi. Mbrapa tyre ishin vendosur flamujt me ngjyrat e vendeve të ndryshme të NATO-s, me përjashtim të atij të Francës (e cila konsiderohet si proserbe, shën. red).
Pasi u këndua himni komëtar nga kori dhe prezentimi përpara turmës i komandantëve të njësive të ndryshme, shefi ushtarak i UÇK-së, Agim Çeku, i shoqëruar nga paraardhësi i tij, Sylejman Selimi, u brohoritën nga turma.
Agim Çeku, i veshur me uniformë, e mori i pari fjalën duke nënvizuar se “megjithëse marshimi ishte i vështirë, ne e dinim se ai do të përfundonte me vallen e lirisë në Prishtinë”. “Ne kemi filluar një tjetër marshim drejt pavarësisë së Kosovës”, tha ai para turmës entuziaste.
“Ne e përmbushëm misionin tonë për çlirimin e Kosovës. Tani duhet të vazhdojmë deri në fitoren e pavarësisë”, tha ai përsëri.
Pastaj ai falenderoi NATO-n për ndihmën e saj dhe nderoi kujtimin e luftëtarëve të rënë. “Asnjë ushtri tjetër në botë nuk ka humbur kaq shumë komandantë sa në këtë luftë”, tha ai.
Thaçi, i brohoritur nga turma, mori më pas fjalën.
Nëpër rrugët e Prishtinës, të rinj të hipur nëpër makina vazhdonin të parakalonin. Në qytet u dëgjuan, gjithashtu, edhe të shtëna në disa lagje.
Në qytet kishte një dispozitiv sigurie maksimal, i përbërë nga disa qindra anëtarë të policisë së OKB-së dhe forcës së NATO-s (KFOR), në çdo qoshe rruge, mbi të gjitha çatitë, në mënyrë që të parandalohej çdo lloj atentati.
Ky manifestim i fundit nën siglën e UÇK-së ilustron popullaritetin e saj të madh në gjirin e popullsisë shqiptare të Kosovës.
(“Zëri i Kosovës”, 20 shtator 1999, faqe 1, 10, 11)