UDB-a na përcillte kudo

25 janar 2023 | 15:40

Bisedë me Avni Lamën (2)

Në banesën e Avni Lamës, Prishtinë, 22 dhjetor 1999.

Me ne janë edhe bashkëshortja e Avniut, Atifetja dhe vajza e tyre, Vlora.

 

Për Emin Durakun, a mund të thoni diçka?

– Fjalët e babës për Emin Durakun: Nuk ka pasur asi patrioti. Ka qenë atdhetar i madh. Babai thoshte se Emini, me fjalët e tij, ai mund ta përvetësonte një turmë të madhe njerëzish përnjëherë. Baba e ka ndihmuar të shkollohej edhe Asim Vokshin. E ka çuar Asimin në takim me Bajram Currin.

Ai që ngrinte zërin më shumë, ai që bënte zhurmë të madhe dhe që nuk përtonte, ishte Veli Deva. Kudo ai është dëgjuar tek flet me zë, shumë më shumë se të tjerët. Veli Deva ka qenë aktivist i madh e i dalluar.

Baba ka folur me fjalë të zgjedhura për Eminin dhe e ka paraqitur si njeri të madh.

Për Emin Durakun thuhet se e kanë qitur në pritë diku nga Lipjani. A ishte kurth serb, apo xhelozi e shokëve të partisë? Thuhet se i është bërë një kurth sikur Zenel Hajdinit, Abdullah Preshevës etj? Çka dini për këtë dhe çka keni dëgjuar ju?

– Thuhet se e kanë qitë në pritë. Po, ashtu thuhet, se nuk është vrarë në vend, por e kanë plagosur dhe, çka është ma keq, nuk ka shkuar askush ta ndihmojë të shërohet. Këta, kinse shokët e tij, e kanë qitur në pritë dhe nuk e kanë ndihmua me qellim. Pasi e kanë plagosur, me qellim e kanë lënë të vdesë ngadalë në mundime. I është kalbur plaga. Nuk i kanë dhënë gjak. E kanë lënë në Lipjan, në një shtëpi të shkive dhe aty ka vdekur. Pastaj kanë thënë; o, e vrau Balli Kombëtar. Ashtu, këtë vrasje ia kanë ngjitur Ballit Kombëtar.

Nuk e kanë vrarë në vend?

– Jo! Plaku i ka treguar këto gjëra. Nuk i kanë ndihmuar ta dërgojnë diku për shërim, ndërsa këta kanë ikur. Më parë e kanë thirrur në një takim, e ky, kur ka shkua aty, i kanë thënë pastaj se gjoja ka takim diku tjetër dhe e kanë lënë vetëm. Çdo gjë ka qenë e përgatitur për të. Në vrasjen e Eminit ka qenë i përzier një serb, që ma vonë është bërë kryetar i Këshillit Krahinor në vitin 1952. Baba thoshte se ai ka qenë atentatori. Baba ka thënë se Emini ka jetuar edhe disa ditë i plagosur. Fadili i di fort mirë këto gjëra.

Ata shqiptarët që u bënë komunistë asokohe, kanë deklaruar se askush nuk përkrahte shqiptarët nga partia komuniste? Atëherë iu premtuan të gjitha të drejtat shqiptarëve? Komunizmi në prapavijë kishte pansllavizmin. Si nuk u kuptua kjo nga gjithë ata burra e luftëtarë që përfunduan ashtu? Si ndodhi të shkelet ideali kombëtar?

– Çfarë kryetari është ky Rugova, kur nuk flet asgjë për popullin e vet, pat thënë një herë edhe Kadare. Kush asht ky?

Bile Beogradi nganjëherë thotë “takozvana UÇK-a” (“e ashtuquajtura UÇK”), ndërsa Rugova, as nuk ia përmend emrin kurrë.

– Rugova thotë: “Zoti e NATO e çliruan Kosovën”, e nuk e përmend askund UÇK-në.

Franca ka bërë një libër intervistë me të. Në Francë edhe është nderuar me mirënjohje të larta. Edhe ka bërë ca specializime atje, në Francë?

– Po, e vërtetë është krejt kjo.

Po kush e ka penguar zgjidhjen e çështjes së Kosovës sikur Franca? Kush i ka bërë më shumë shantazhe NATO-s gjatë bombardimeve sesa Franca? Franca ka propozuar kudo shpërblime ndërkombëtare për Rugovën. Po pse ndodh krejt kjo? Në një anë, Franca përkrah zgjidhjen paqësore sipas individit Rugova, i përmend pasojat që mund të sjellë lufta, dhe ajo përkrah zgjidhjen paqësore, e dihet mirë se ajo është mike e Serbisë!?

– Krejt kjo është pacifizëm.

Dihet se UÇK-ja ka vrarë me dhjetëra oficerë të huaj, mercenarë, që i ka paguar Serbia për të luftuar në Kosovë e ata nuk i përmend askush për të mos bërë panik. Donin të mos kuptohej ky fakt nga ushtria serbe dhe të mos binte morali i saj. Në anën tjetër, ky Rugova, në çdo xhuma (të premte), çohet e flet me frikë, se shkau do të na vrasë të gjithëve. Ne nuk mund ta luftojmë shkaun. Do të na masakrojë shkau të gjithëve?! Këto parulla gjithsesi e frikësojnë popullin. Ky është i vetmi kryetar që ka shkaktuar panik në mesin e popullit të vet. Ashtu ai vriste shpirtin luftarak të popullit të vet. E nënshtroi këtë popull vetë kryetari i tij i zgjedhur.

– Krejt këto i bëri Ibrahimi me atë politikën e vet!

Gjatë luftës tha, të hiqet krejt UÇK-ja. Tha se ata janë disa njerëz të frustruar. Kërkoi t’i dorëzonte armët UÇK-ja. Kur ishte në Itali, i thotë një gazetar: çka rrini këtu, kur populli yt janë kthyer krejt në Kosova? E ky thotë: dua të më garantohet jeta që të kthehem në Kosovë. Kinse, kur ishte ushtria e policia serbe, e ka pasur jetën të garantuar! Kur ushtria e policia serbe ishin larguar, e në Kosovë ishin NATO-ja dhe UÇK-ja, prej kujt frikësohej ky?

– E në atë kohë, ky e kishte sherrin e madh. Kinse kjo nuk është ushtri. Kinse po frikohem se ata më vrasin, e prandaj nuk po shkoj. Krejt njerëzit jetonin në mal e në tenda.

Një pyetje: sikur të mbahen zgjedhjet, si mendon ky të bëhet komandant i një ushtrie?

– Atij nuk i ka mbetur asgjë tjetër, pos turpit dhe shallit!

Kur erdhët si mësues, në atë kohë, pesha e mësuesit ishte e madhe, si e ndiet veten?

– Ne kemi pas ëndërr të kryenim shkollën normale dhe t’i shërbenim popullit. Nuk kishim tekste. Erdha me entuziazëm. Shkoja në shpi një herë në javë, a në dy javë, nga Hoça në Gjakovë. Nuk kemi pasur kërkesa të mëdha. Kemi blerë vezë dhe aty ku banonim, i fërgonin ato vezë, dhe ashtu jemi ushqyer shumë herë.

Në vitin 1960 më zgjodhën mësuesi më i mirë në rrethin e Raho­vecit. Tash hapeshin klasat me radhë. U hapën klasa e pestë, e gjashtë. Më dërguan në Ratkoc. Aty punova një vit. U shtua numri i nxënësve dhe u bënë krejt nga dy paralele për çdo klasë. Në vitin 1953 kam shkuar për studime. U paraqita për bursë. Atëherë duhej t’i paraqiteshe ministrit të arsimit, që atëherë ishte Ilhami Nimani. Plaku (baba) nuk dinte asgjë.

Cilën shkollë e kishit mbaruar atëherë? I mbani mend profesorët që keni pasur?

– Shkollën normale e kisha mbaruar. E kam pasur profesor Hasan Vokshin, në Normalen e Gjakovës.

Kur është hapur ajo shkollë?

– Në vitin 1948. Kishim mësimdhënës edhe Nebil Dinën. Ka qenë edhe Nuri Hafizi për edukatë muzikore. Nexhip Habibaj, drejtor i shkollës. Ai jepte edhe mësim e nuk dinte as çka jepte. Ai vetëm i ka përmendur çdoherë heronjtë dhe tradhtarët e popullit. Po t’ia thoshe e t’ia numëroje emrat e heronjve; Fadil Hoxha, Emin Duraku… ta jepte pesë menjëherë. Kur i numëronim heronjtë, ne, disa që ishim më të lazdruar, e numëronim hero edhe Xhafer Devën, e ai na thoshte: ulu, gomar. Kur ndodhi ajo periudha e Informbyrosë, ka pas shumë foto të Stalinit, Titos e Enverit. Ai na thoshte, shihni çfarë mustaqesh të shkëlqyera ka Stalini. Kur ra Stalini, thoshte ai mustaqe miu! Kur erdhi Beqir Kastrati drejtor, aty është punuar shumë. Ishim të uritur për dije. Kishim fituar njëfarë lirie. Apostol Tanefi na ka dhënë mate­matikë. Ka qenë një pijanec. Vinte e flinte në klasë dhe nuk mësonim fare matematikë. Aty ku të caktonin për të punuar, nuk ka pasur kthim mbrapa.

A mund të dalloni ndonjë çast karakteristik nga koha kur ishe nxënës i Normales? A keni përjetuar ndonjë provokim si fëmijë i një kulaku?

– Xen Zherka, Ibrahim Zherka, e disa të tjerë, që u favorizuan më vonë e që mbeten këndej, ata që më kanë marrë në pyetje e që dëshi­ronin që unë të bëhesha spiun i babës, ata gëzonin njëfarë privilegje. Për shembull, mua nuk më kanë thirrur kurrë në ndonjë manifestim. Këtë ma ka thënë edhe Kadri Kusari më vonë. Edhe ai ka qenë nor­malist. Ne që s’kemi pranuar të hynim në SKOJ, na kanë izoluar në plot raste. Këtë e kishte përjetuar edhe Kadri Kusari, e po kështu më ka thënë edhe Agim Gjakova më vonë. Më ka thënë edhe djali i treg­tarit, ai Qazim Lleshi. Nuk bënin klasifikim, por na thoshin ejani ju, ballistët. Djali i Beqir Malokut, një spiun që punonte me Serbi, klasi­fikohej me ne. Atë ndarje që bënin, e kam në kujtesë edhe sot. Na quanin djem të kulakëve e të afërmeve të tyre. U krijua njëfarë hendeku mes nesh.

A mund ta përshkruani pak jetën tuaj si mësues i parë?

– Më ka mbetur merak që nuk kam shkuar në Sfircë, kur më patën caktuar së pari. Kam pasur qejf të punoja në atë pjesë malore të Kosovës. Thuhej se në Hogosht ka qenë Fadili Hoxha. Me qitën në Hoçë të Vogël. Pak më vonë na quan në Rahovec. Aty në fillim kemi pasur problem me gjuhën. Ata e flasin njëfarë gjuhe që i thonë bull­gare. Si thonë, kanë ekzistuar aty bullgarët, por jo! Kanë ardhur dikah ata bullgarë që i përmendin. Nxënësit kanë qenë të urtë e të etur për të mësuar. Ata njerëz kanë qenë shumë punëtorë. Edhe burrat edhe gratë. Pa u zdritur, i shihnim duke shkuar për të punuar në ara. Atëherë kemi punuar edhe të shtunave. Fshatrat, Celina, Rogova (që është katund i madh), Ratkoci janë më të dalluara. Aty, në Ratkoc, UDB-ashët i kemi parë çdo të dytën ditë. Kam punuar me dy klasa, të pestën e të gjashtën. Punoja me njërën klasë para dite, e me tjetrën pas dite. Ka pasur edhe mësues të tjerë. Ka qenë mësues Mehmet Sahatçia. Ka qenë një mësues i shkollës serbe. Ishte mësues një boshnjak dhe ishte solidar. Ishte një mësues nga Deçani, Binak Aliçkaj. Ai ka vdekur. Ai ka qenë pak më i vjetër. Punonim bashkë, por rrinim pak në distancë. Binaku ka qenë ma popullor. Binaku po thotë një ditë se këtu po sillet OZN-a. Ai më jepte sinjale. Me të isha më i lidhur. Ka qenë një mësues nga Hoça dhe e patën burgosur. Më vonë iku në Shqipëri. Ishte ky Sulejman Krasniqi. Ai ka shkruar edhe libra për Mic Sokolin e Bajram Currin. Ka qenë edhe një mësues nga Banja e Pejës. Ai ishte ziliqar, smirëzi i tepruar. Njëherë i thashë, pse e rrahe një nxënës aq shumë. Duhet të kesh kujdes, se ashtu nuk rrahet një fëmijë. Unë rrija me nxënës. S’kisha ku të shkoja. Kur kam ardhur këtu, kam banuar pak me qira e më vonë mora banesë. Gjithmonë thosha po shkoj në shkollë. Aty më mbeti dashuria për shkollën dhe nxënësit, si një i ri tetëmbëdhjetëvjeçar, kur kam filluar.

Në vitin 1952 u bë regjistrimi i popullsisë. Mua më angazhuan në këtë regjistrim dhe një ditë shkova në fshatin Plloçicë. Kudo që shko­nim, nga shtëpia dilnin vetëm gra, jo burra. Pasi kaluam katër-pesë shtëpi, po del një grua plakë. Na priti mirë dhe unë e pyeta, pse nuk po dalin burrat, e ajo sikur me drojë po më thotë; i kanë vrarë shumicën në luftën e Drenicës. Shkova edhe në Kijevë, tek ajo shtëpia e Rama­dan Shabanit që ka qenë pleqnar. Ishin NDSh-istë dy vëllezër. Aty më kanë marrë ndonjëherë edhe për darkë. Fshatarët kudo na kanë pritur mirë.

Në vitin 1957 kam ardhur në Gjakovë. Kur u hap gjimnazi, u bë gëzim i madh. Shumë herë kërkonim dy paralele për vitin e parë, e bëheshin pesë paralele. Kishte etje të madhe për dije. Kishte disiplinë të vetëdijshme. Kam qenë në gjendje t’i mbaja edhe dymbëdhjetë orë mësim në ditë.

Mbetëm te studimet.

– Shkova tek Ilahmi Nimani, që ishte përgjegjës për arsim në atë kohë. Më pyeti çka doni të studioni? I kujt je ti?

I tregova se jam i Din Lamës. Ai tha, mirë fort. Dini është kryetar i Kolgecajt e i Gjakovës, tha ai. I thashë dua ta regjistroj mjekësinë. Jo, tha, se tash është vonë. Ishte viti 1953. Na duhet diçka tjetër. Thashë me vete, të marr shkencat. Jo tha ai. Tash kemi nevojë për profesor të gjuhës serbe dhe të gjuhës shqipe. Ku punon, më pyeti? I tregova ku punoj. Ai po thotë; Din Lamës i kemi pak borxh. I thashë, ani po e marr gjuhën shqipe. Fillova të merrja bursën prej një tetorit. Shkova u regjistrova në Beograd. Mbarova vitin e parë. Na jepte shqip Dançeto­viqi. Na ka dhënë mësim edhe Anton Çetta. Gramatikë Idriz Ajeti. Disa lëndë na i jepnin serbisht. Linguistikën serbisht. Dançetoviqi ka qenë UDB-ash. Nuk donte të na shihte me sy. Nuk dinte asgjë, sikur një nxënës i shkollës fillore. Më kujtohet kur thoshte; emri “kalë” njëjës, shumës “kala”. Na bënim hajgare e qeshnim. Doja të vazhdoja vitin e dytë, ishte caktuar Alush Gashi ministër i arsimit. Kur atje po thonë; atyre që e kanë mbaruar vitin e parë të fakultetit, bursat ua vazh­don Prishtina. Aty ishte edhe emri im. Ishte Masari, Besim Bokshi, Qamil Muhaxheri, Kapllan Bokshi, prej Pejës ishte Ramiz Kelmendi, pastaj Enver Gjerçeku. E kemi pasur një UDB-ash që na përcillte, ishte Xhavit Shabani nga Gjilani. Futej edhe në ligjërata. Mua më doli punë me të më vonë. Kohë pas kohe e merrnin dikë në pyetje. Mua nuk më ka ndodhur.

Kush dallohej në aspektin kombëtar më shumë?

– Asokohe sekretar partie për ne ishte Demush Shala. Më ka thënë shumë herë, eja edhe ti aty. Mahmut Hysenin edhe Nehat Shabanin, jam çuditur qysh nuk i kanë burgosur. Këtë Nehatin e patën burgosur nja tre muaj. Më vonë ka ikur në Shqipëri. Ai njihet në grupin NDSh-së të Maqedonisë. Pas burgut, u vonua me provime. Kanë qenë entu­ziastë e punëtorë. Mbanin do orë letrare. Një kohë ka qenë Martin Camaj. Ishte i përpiktë, por edhe i izoluar. Në atë kohë ka qenë edhe Kadri Halimi në etnologji.

Vitin e fundit rusët e hapën një shtëpi kulture.

E kishin hapur atë shtëpi kulture dy-tre vjet përpara, por ne nuk e kishim ditur. Ajo ishte një shtëpi kulture argëtuese. Kishte sallë të mirë për lexim. Kishte edhe vend të caktuar ku pihej duhani. Pastaj, pas çdo ore, shërbenin kafe. Ishte diçka argëtuese. Kishte sallë të kinemasë. Çdo mbrëmje jepnin pamje të filmuara për shtetet socialiste me rend. Më kujtohet njëherë, para së të fillonte filmi që jepej për Shqipërinë, shfaqej një zhurnal. Salla ishte plot. E shihnim sheshin Skënderbeu në Tiranë. Një serb fliste me zë të lartë serbisht në sallë: e bukur qenka Shqipëria. Një ditë shfaqet filmi i Skënderbeut. Zgjaste katër orë. I fshiva nja 30 bileta. Ua shpërndava të gjithë shokëve. Edhe Kadriut. Kishte plot edhe serbë. Flisnin gjithçka gjatë filmit. Kam shkuar të fle, kur nga mëngjesi më ka fshirë UDB-a. Na i marrin shënimet. Më thanë ti i ke marrë ato bileta, ti nuk je pronar i kësaj shtëpie të kulturës. Moti je këtu. Më mbajtën nja katër orë. Kur u ktheva, e kishin marrë edhe Dushin. Atë e mbajtën disa orë. Më së shumti kanë pyetur, çka keni folur këtu gjatë shfaqjes. Çka keni komentuar për filmin.

Gjatë studimeve në Beograd, si ishte qëndrimi i serbëve ndaj studentëve të huaj?

– Po ta bëjmë një krahasim me Maqedoninë, që ishte republikë dhe kishte më shumë mundësi se ne, studentët e tyre aty dukeshin të mjerë. Vinin me do zhguna veshur. Ne, në krahasim me ta, dukeshim zotërinj me çdo gjë. Kemi qenë të vendosur në dhoma të konviktit, nga dy serbë e një shqiptar, apo dy shqiptarë e një serb. Të them që na kanë dashur, jo, nuk na kanë dashur, por disi na kanë injoruar. Na shihnin si krijesa që nuk mund të bëhemi intelektualë. As nuk na kanë pranuar në shoqëri, por as nuk jemi imponuar kurrë. Bukë kemi ngrënë bashkë. Interesant është ai Mihaillo Zviceri, sa ishte manipulant i madh. Ky ishte vëllai i Rade Zvicerit, i atij Rades, që asokohe i pat dhënë shpullë Beqir Hotit në Hotel “Metohija” në Pejë. Ky Mihaili studionte letër­sinë jugosllave. Dinte shqip bukur. I ka pas mësuar disa vargje të Migje­nit. Ai shtirej se e do shqiptarin, por nuk e ka dashur kurrë. Aktronte me do lajka, për të hyrë në shoqëri. Njëherë më ka dhënë një sinjal. Atëherë ishte i dehur plotësisht. Pasi kam ardhur unë aty në Beograd, e formojnë grupin letrar “Përpjekja”. Ishte aty student i frëngjishtes, Agim Gjakova. Ai më thoshte; ne nuk jemi për aty, o Avni! E dikush po më thotë, kuku që nuk je tash në atë grup letrar, pasi ata i dërguan edhe në shëtitje nëpër Jugosllavi. Kryetar një herë ishte Zeqa, e më vonë e kanë mbyllur krejt atë grup, pasi e kanë marr në pyetje Zeqën. Këtë ngjarje e di më mirë Agimi. Shoqëria “Përpjekja” pati bërë punë të madhe.

Kam diplomuar me kohë. Duhej të paraqitesha në Prishtinë. Në atë kohë, ministër për arsim ishte Kolë Shiroka. Erdha këtu e shkova tek ai në zyrë. Më priti mirë. Më tha, po për katër vjet e ke mbaruar fakultetin, bash bukur. Do të punosh këtu në gjimnaz. Ishte viti 1957. Fillova të punoja në gjimnazin, që atëherë quhej “Ivo Llolla Ribar”. Drejtori i gjimnazit më tha të shkoja sërish te ministri pas mësimit. Ma kishin caktuar një dhomë për të fjetur, në hotelin, që atëherë quhej “Jugosllavia”, ku është tash ish-“Unioni”, në qendër të Prishtinës. Më dhanë një dhomë pa pagesë dhe aty kisha edhe të haja bukë.

Më tha, do të shihemi më vonë. Deshi ta pinim nga një gotë aty, por nuk pranova, e ai ma ktheu me fjalët se të zë atje në hotel. Në mbrëmje, vërtet erdhi aty në hotel ku ishin të gjithë, arsimtarë, aktorë teatri e politikanë të kohës. U takuam me të dhe po më thotë: a mund të kryesh një punë? Po më thotë, a mund të shkosh në Gjakovë nja dy tre-vjet të punosh, e pastaj të vish këtu. I thashë, po mendoj.

Gjakova nuk ka njerëz mesatarë. Ja ka njerëz fort të mirë, ja krejt delenxhinj.

I kisha mall familjen e krejt vëllezërit atje. Familjen e kisha krejt në Gjakovë. Shkova në Gjakovë. Shkolla tregtare u transferua në Pejë, e aty filloi gjimnazi prej klasës së parë, në tetor 1957.

Një rast isha i thirrur në dasmë në Prizren. Shkuam me një veturë “Fiqa”. Nuk shkoi shumë kohë, qe po vjen Kola. Më nuk ishte ministër i arsimit. Ishim duke pirë nga një kafe, kur kamerieri po vjen e po thotë; po pyet Kola, a je ti Avni Lama? Po, unë jam, i thashë. Ai më thotë, Kola po thotë, thuaj Avniut, a po vjen në tavolinën tonë, a po vijmë ne te ti. Shkova u ula aty tek ai. Së pari me prezantoi. Ky është profesor i gjuhës shqipe. Do ta bëj një pyetje: Avni Lama, a po më tregon diçka drejt? Unë nuk i kam pasur fajet pse të kam çuar atëherë. Ndoshta do të të kishte rënë mbarë po të kishe vazhduar të punoje në Prishtinë. Ti ke shkuar mu në atë pjesën më delikate të Kosovës. Ishte kjo kohë, pak pa u mbajtur plenumi i gjashtë.

Më pyeti edhe ku po punoja. Isha në Entin e Teksteve Mësimore. Më pyeti ku kam punuar, kur kam dalë prej burgut? Më tha të më paraqitesh e ta laj një borxh të vjetër. Po më thotë, ke shkuar atëherë në Gjakovë, ku ke pasur familjen. Po edhe ne të kemi çuar atje. Aty edhe je burgosur. Kur donin të më largonin nga Enti, njëri me thoshte, shko tash te Kola.

Ky ishte ai Kola që e nxori letërnjoftimin në KQ të LKJ-së dhe tha, jam beogradas.

Drejtor i gjimnazit ishte Ismet Canamusa. Kisha kolegë Ramiz Musën, Teki Zhavelin, Gerbi Shehin, Binxhiun. Aty fillova punën. Pasi qe hapur shkolla tregtare, erdhi një drejtor nga Serbia. Ky drejtori serb, erdhi një ditë në sallën e arsimtarëve dhe aty, mbi tavolinë, ishin fletoret e hartimit të nxënësve. E hapi një prej tyre dhe pyeti çka janë këto? Unë isha në këmbë dhe, pasi ishte fjala për mua, thashë janë fletore të detyrave të shtëpisë. Këta kolegët sikur u frikësuan më shumë se unë. Drejtori e mbylli atë fletore dhe shkoi.

Drejtori serb nuk qëndroi shumë. Pasi shkolla ekonomike u transferua në Pejë, drejtori serb shkoi. Prapë ky Ismeti kryente atë detyrë.

Gjatë punës kam shpjeguar mësimet në raste të caktuara me dorëza, e herë-herë edhe pa dorëza. Dihej çka duhej të flitej për Naimin apo për Nolin. Kolegët me rrinin në distancë. Në vitet 58-59 u ndërrua drejtori, në vend të tij erdhi Ibrahim Zherka. Ky kishte qenë drejtor i një shkolle fillore. Ishte i përkëdhelur i regjimit. Kishte mjaft të njoh­shëm. E gëzonte përkrahjen e pushtetit.

Duhet t’i kthehem pak vitit 1956. Verës mbeta në Beograd për të mësuar dhe për të dhënë disa provime; letërsinë jugosllave, letërsinë e huaj. Një ditë takohem me Fehmi Aganin dhe me këtë Ibrahim Zherkën. Ky Ibrahimi po më thotë se dëgjova që po i jep provimet. Fehmiu e ka pasur shumë shok Besim Bokshin. Fehmiu po më thotë, a po vjen te ne, se jam edhe unë këtu, e po banoj te Sani Hoxha, i vëllai i Fadil Hoxhës. Ai ishte pedagog. Pse të vij, kur e kam dhomën në konvikt, i thashë. Po rri shumë në bibliotekë për të lexuar.

Një ditë, ata po më thonë, jemi duke ndenjur në shtëpi të Fadilit në Beograd. Kemi katër dhoma e kuzhinë. Ibrahimi po më thotë, kam edhe pak një punë me ty. Ishte atëherë edhe Dervish Rozhaja atje në fakultet. Kur shkuam, Saniu po më thotë: Avni hajde, bre, këtu.

Mund të them që, nëse e ka shfrytëzuar dikush partinë, këtë e ka shfrytëzuar Besim Bokshi. Gjithkund thoshin Besimi, Besimi, se e kishte dajë Hajdar Dushin.

E caktuam të takoheshim me Ibrahimin. Po më thotë; a kam besim të të tregoj diçka? Më tha do të formohet një lidhje, organizatë e shqiptarëve. Asgjë nuk ka të bëjë me komunizëm. Do të përfshijë të gjitha trevat shqiptare. Diçka si NDSh-ja. Kjo është në formim e sipër, e aty do të jesh edhe ti. Kjo është konspirative.

Çdo herë më kujtohej Lukavci me ato skeletet. Të gjitha me lidheshin me këtë Ibrahimin, dhe i thashë, unë nuk jam për atë dhe nuk do të merrem me politikë. Pse, bre, Avni? Po ke për të parë se nuk do të biesh në burg. Do të jetë e organizuar nga njerëz me përvojë. Kemi njerëz kudo, edhe në Shqipëri.

Demagogji krejt ishte kjo. Ishte si provokim. Tash Informbyroja e fëlliqi krejt. Kush janë ata? Mos të ka provokuar dikush ty, i thashë? Jo, tha, Avni! Kujtohu mirë, Avni, e mos ma prish mua. Aty mori fund dhe nuk u paraqit më. E pas kësaj, ai erdhi drejtor imi në Gjakovë.

Unë e kisha formuar një grup letrar aty. Grup letrar në Gjimnaz. Grupin letrar e pagëzova “Dom Ndre Mjeda”. Drejtori bëri një komision për t’i kontrolluar ato që shkruanin nxënësit. Në Komision ishte edhe vetë Ibrahim Zherka, të cilin e kam edhe në vendim si palë. Hyri aty edhe Ekrem Murtezai, e pastaj edhe “Dushi” (Kadri Kusari). Ky, pas një viti erdhi në Gjakovë profesor. Kisha edhe dy nxënës që e udhëhiqnin grupin; Sokol Dobruna dhe Shefqet Canhasi…

Grupi letrar shtohej përditë. Kishim ndezur flakadanin. Për mua, nuk kishte nevojë të shkoja aty çdo herë. Aty nxënësit i bashkonin Sokoli e Shefqeti. Filluam të bashkëpunonim së pari me një grup letrar nga Peja, të cilit i printe Ahmet Meha. Ky profesor kishte diplomuar dy vjet para meje. Ishte i vetmi profesor në Pejë. Kur erdhën ata nxënësit e Pejës në Gjakovë, nxënësit tanë i morën edhe të flinin nëpër shtëpitë e tyre. Ua siguruan edhe drekën e darkën. Pastaj ua kthyem vizitën në Pejë. Po ia bëjmë një vizitë Prizrenit. Ishte atje Gani Luboteni, të cilit i tregova për qëllimin tonë. Ganiu tha shkurt: nuk mundem, sepse kam frikë.

Hetohej njëfarë zilie ndaj nesh, që po mbanim këtë aktivitet. Asokohe kishte edhe ndonjë problem me nxënës dhe unë isha aty për çdo rast. Prania ime zgjidhte shumë probleme. Vërehej shumë autoriteti im dhe respektin që gëzoja nga shokët e dalluar dhe nga nxënësit. Gjithë kjo kishte krijuar edhe një xhelozi tek ata që më kishin në sy për diçka tjetër

Në një rast, Hasan Gjoshi iku për Shqipëri. Ai ishte nxënës yni. Ishte vënë në pikëpyetje autoriteti në klasë. Akoma nuk dija që janë bërë aq xhelozë. Tek unë vjen Fatmiri. Ai kishte prirje për art. Vëllai im, një ditë i ha disa shpulla nga drejtori.

Haxhi Muratin e kishin për referat serbisht e shqip, sepse nuk kishim sa duhet as literaturë. Po këtë vepër e kishim literaturë edhe shqip (Gjaku i papastër) edhe serbisht. Kishim problem edhe për të siguruar çfarëdo libri.

Në një nga mbledhjet po thotë drejtori, më fort po e dëgjojnë nxënësit Avniun se mua. Tash e pashë krejt atë xhelozinë për të cilën kisha menduar. Me tha se vetëm ti po del i drejtë. Nja dy herë e ndaloi grupin letrar të dilte para qytetarëve në qytet. Unë nuk shkoja. Me nxënës shkonte Sokoli. Dushi (Kadri Kusari) ka qenë punëtor i madh dhe kishte autoritet kudo.

Beqir Kastrati jepte muzikë, bukurshkrim, e ku di unë. Ky ishte më i moshuar dhe nuk ishte eksponuar deri atëherë. Ka ardhur në klasë e ka thënë, Ekremi po fliste serbisht. Kur e ka pyetur, pse flet serbisht, ai i ka thënë; po sepse është gjuhë zyrtare. Kam provime në Beograd e më duhet të mësoj edhe të flas.

Ma morën nënshtetësinë më 1958. Arsyetimi ishte se kam lindur në Kolgecaj në Shqipëri dhe i merret nënshtetësia.

Ishte fundi i vitit 1958. E thirrën plakun në komunë. Unë shkova bashkë me të. Ishte aty njëfarë Voja Sllaviqi. Na thotë, keni ardhur në 41-shin, mund të shkoni. Mund edhe ta kërkoni shtetësinë këtu. Të kërkoje nënshtetësinë, duheshin aq shumë para, saqë edhe po të shisje shtëpinë, nuk dilnin të paguanim.

E bëmë një ankesë. Të shkonim në Pejë, duhej të bënim kërkesë, apo në Prizren. Çka bëmë ne pastaj për nënshtetësi! Atë ditë, aty, duke biseduar, plakut i them, na falni. Them, unë kam shkuar t’i ndihmoj plakut për tregti. Ka pasur këso rastesh plot në Kosovë. Po bisedojmë me babanë si t’ia bëjmë. Mos po na qesin natën tinëzisht. Një familjeje nga Mamusha ia kanë bërë kështu, e patën larguar natën. Një familje Malazogu e kanë qitur. Thoshin po i qesin me zor, e ku ta di. Thamë me plakun, po i drejtohemi Fadilit. Nuk e di a ka qenë kryetar i Këshillit Krahinor asokohe. Baba tha, po shkoj unë, por edhe ti mund të vish me mua. Unë jam plak e nuk po i kuptoj sendet si duhet. Na priti Fadili. Po, baca Din, po i thotë, çfarë halli të ka qitur? Avniun po e njoh!

Po kthehem pak mbrapa në Gjakovë.

Erdhën Xhaviti, Ymer Pula, Ismet Shaqiri, Fadili, njëherë, në shkollë ku isha duke punuar. Tek unë në orë deshën të vinin Xhaviti e Fadili, por Fadili i tha po shkoj unë tek Avniu. Erdhën të dy. Unë e shpjegova temën që kisha. Atë ditë po i thotë plakut; më ka ardhur mirë kur kam prezantuar në orën mësimore të Avniu.

Plaku po i thotë, na ka pru një kob i zi. Çka është puna? Po na e kanë pru një letër se nuk kemi nënshtetësi, se kemi lindur atje në Shqipëri. Kush jua ka pru atë letër? Këta e këta, i tregoi baba. Pse ta kërkojmë nënshtetësinë, kur unë e kam pasur atë. E kemi të gjithë. Po duan të na kthejnë në Shqipëri.

Tha, do ta marr përsipër për ta rregulluar këtë çështje për të gjithë. Po, nëse doni të dilni andej në Shqipëri, dilni! Ky vend është socialist e komunist, ashtu si Shqipëria. O Fadil Hoxha, ku mund të dal me fëmijë e më krejt familjen? Baba i tha, nuk dal, vetëm nëse me nxjerrin me zor. Ani, tha Fadili, mos dil, dhe këtë punë ma lini mua. Nuk kaluan dy javë, po na thërrasin në seksionin e punëve të brendshme në Pejë. Peja ishte si qark. Plaku më tha, shko ti vetëm. Shkova unë. Më pyetën, ku është plaku. Pse jeni ankuar te Fadili? Ishte njëfarë serbi, me mbiemrin Rankoviq. Çka keni kërkuar te Fadili? Ne nuk jemi sjellë keq ndaj jush. Nuk dija çka t’i thosha. Ajo ankesë juaja ishte akuzë e rëndë për ne, po më thotë ai. I thashë se nuk kemi thënë asgjë për ju, por për ata që ishin në Gjakovë. Kemi shkuar të Fadili për të parë anën e vërtetë të kësaj pune që po ndodh me ne. Edhe Fadili është vetë si shtetas, edhe atje edhe këtu, ashtu si familja jonë. Nga shpie kjo rrugë jona? Ne po të kishim dashur, do të kishim jetuar atje. Kam të drejtë të ankohem. Pse bëhet kjo punë pas aq vjetësh?

Ai po më thotë, për ne është konstatua se nuk keni shtetësi dhe as me ankesë nuk ma merr mendja që fitoni. Edhe po të bëni kërkesë të re për të marrë shtetësinë, nuk do ta fitoni, se kjo është tokë e Serbisë. Ai nisi të citonte diçka nga ligjet. I thashë: ne të dalim, nuk e kemi ndër mend. Ti na konsideron armiq? I thashë, pse më provokon? Kur kam pasur punë me ju? Shko ankohu te Fadili prapë! Më tha, dil jashtë dhe unë dola. Kjo punë, pastaj shkoi zvarrë.

Rashë në burgun e parë e të dytë. Në vitin 1974 po bisedoj me vëllezër. Askush nuk kishte shtetësi. U them të kërkojmë të na japin nënshtetësinë. Plaku tha, nuk e marr kurrë. Edhe unë thashë do të pres edhe pak. Në vitin 1975 e kam kërkuar. Mua nuk ma dhanë dhe as më kthyen përgjigje. Fadilit, as nuk i shkuam më dhe ai as nuk intervenoi. Kishte mbetur si zogu në kafaz.

Shkova kërkova edhe përgjigje. Pse nuk po më përgjigjeni, u thash. Mora e i bëra vajzat me nënshtetësi. Martesat e përziera, e fituan nën­shtetësinë vajzat. Mua nuk m’u dha. E kisha marrë njëfarë dokumenti serbisht. me këtë përmbajtje:

“I huaj me qëndrim të përhershëm” (kështu shkruante serbisht në atë dokument). Pastaj një letër tjetër me këtë konstatim: “i huaj me qëndrim në kohë të pacaktuar”. Të bëja një ankesë, ku ta bëja? Në vitin 1991 e kam bërë një ankesë tjetër. Kërkesa më është refuzuar. E kisha bërë ashtu, se nuk isha as emigrant e as refugjatë. E shfrytëzonin njëfarë neni: “Kush jeton në Jugosllavi pesë ose 10 vjet, e fiton shtetësinë”. Mua m’u kthye negativisht. Më nuk kam shkuar. Paguaja çdo vit nga 50 a 60 euro. Plaku nuk e ka kërkuar kurrë. Plaka e ka. Vëllai i vogël ka lindur këtu. Tash kjo punë u krye me këtë hallakamën që ndodhi në luftë.

(Intervistë e realizuar nga Sami Dërmaku, botuar në librin “Dëshmi kohe” nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës. Vijon. ) /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Arianit Jakupi nuk është më kryetar i Odës së Farmacistëve…