Udhëheqësit e FBK-së takohen me Shoqatën e Trajnerëve të basketbollit
Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova janë takuar me drejtuesit e Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës.
Zyrtarët e FBK-së kanë dhënë mbështetjen e tyre për Shoqatën e Trajnerëve, derisa në këtë takim është biseduar për përgatitjet për sistem të edukimit formal të FIBA-s, me përkrahje nga shtëpia e basketbollit botëror. Kjo është përkrahje e radhës nga FIBA për sistemin e licencimit dhe edukimit të trajnerëve.
“Edukimi i trajnerëve dhe licencimi i tyre është shumë i rëndësishëm për Federatën e Basketbollit të Kosovës dhe këtë e ka potencuar në takim edhe i pari i basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu. FBK-ja në vitet e fundit ka mbajtur shumë seminare me trajnerë, njëkohësisht edhe disa trajnerë vendorë janë shkolluar në programet e FIBA-s”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
(V.Z / Epoka e re)