Udhëheqësit e NATO-s rikonfirmojnë lidhjen e qëndrueshme të Aleancës
Udhëheqësit e NATO-s janë mbledhur të mërkurën në një vendpushim golfi pranë Londrës për të paraqitur një front të bashkuar mes mosmarrëveshjeve të hidhura mbi terrorizmin, Turqinë dhe rritjen e ndarjes së barrës me Shtetet e Bashkuara.
29 udhëheqësit, përfshirë Presidentin Donald Trump, kanë pozuar për një fotografi tradicionale “familjare” përpara se të largoheshin për takimin e planifikuar prej tre orësh. Udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se “veprimet agresive” të Rusisë ishin një kërcënim për sigurinë euroatlantike dhe ndikimi në rritje i Kinës paraqet mundësi dhe sfida për aleancën.
Në një deklaratë të publikuar pas samitit të Londrës, 29 udhëheqësit riafirmuan “lidhjen e qëndrueshme transatlantike” midis Evropës dhe Amerikës së Veriut, dhe parimin e mbrojtjes së ndërsjellë sipas të cilit një sulm kundër një vendi anëtar vlerësohet si një sulm kundër të gjithëve.
Në kuadër të takimeve të NATO-s, presidenti Trump është takuar me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se “të dy presidentët diskutuan mbi rëndësinë përmbushjes së angazhimeve të Turqisë ndaj aleancës, forcimin e mëtejshëm të tregtisë përmes një marrëveshjeje dypalëshe prej 100 miliardë dollarësh, sfidat rajonale të sigurisë dhe energjinë”.
Një ditë më parë, udhëheqësit ishin mbledhur për takime joformale për të shënuar 70-vjetorin e themelimit të aleancës, por festimet ishin zbehur kur tensionet në mes të presidentit Trump dhe presidentit francez, Emmanuel Macron ishin shfaqur publikisht përmes ekranit të televizionit.
Në një seancë gati 40-minutëshe me gazetarët, të dy udhëheqësit janë përplasur për një numër çështjesh, përfshirë ndarjen e barrës brenda NATO-s, terrorizmin, inkursionin e Turqisë në veri të Sirisë dhe tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga një traktat armësh me Rusinë.
Të dy udhëheqësit janë takuar disa orë pasi presidenti Trump ka kritikuar presidentin Macron për deklaratën e tij të fundit duke e cilësuar NATO-n se po përjetonte një “vdekje klinike”, për shkak të udhëheqjes së zvogëluar të Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Trump e ka quajtur të rrezikshme një deklaratë të tillë të Macronit.
Ndërsa të dy udhëheqësit janë ulur për bisedime, ku presidenti Trump ka paralajmëruar vendet anëtare të NATO-s që nuk plotësojnë kuotën 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen kolektive, se mund të përballen me “pasoja tregtare” duke iu referuar tarifave të produkteve, përfshirë ato për verën franceze.
Kjo ka bërë që presidenti Macron, i cili aktualisht është duke kontribuar me 1.9 për qind të PBB-së të Francës për NATO-n, të përgjigjej. “Nuk është vetëm çështje parash,” ka thënë residenti Macron. “Po paqja në Evropë?”, ka pyetur ai presidentin Trump.
“Është e pamundur të thuash vetëm se duhen paratë, ushtarët, pa pasur të qartë themelet e asaj që duhet të jetë NATO-ja”, ka thënë presidenti Macron.
Macroni ka thënë se ai mbështet një komponent më të fortë evropian në NATO, por ka theksuar se pas përfundimit të Traktatit INF (Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme), vendet evropiane përballen me një kërcënim të ri të raketave ruse.
Administrata Trump është tërhequr nga traktati i kontrollit të armëve në vitin 1987 midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik në gusht pas atyre që thotë se ishin shkelje të përsëritura të Moskës ndaj marrëveshjes.
Trumpi dhe Macroni kanë argumentuar rreth mënyrës së zgjidhjes së problemit me Shtetin Islamik pas tërheqjes në tetor të forcave amerikane nga Siria, një veprim që presidenti Trump e bëri pa u këshilluar me aleancën.
Tërheqja hapi rrugën që Turqia të niste një ofensivë kundër milicisë kurde, aleate e Shteteve të Bashkuara në veri të Sirisë dhe shkaktoi shqetësim mes aleatëve për një ringjallje të mundshme të ISIS-it.
Në përgjigje të një pyetje nëse Franca duhet të bëjë më shumë për të marrë luftëtarët e Shtetit Islamik të kapur në Lindjen e Mesme, presidenti Trump e ka pyetur Macronin nëse ai do të donte “disa luftëtarë të spikatur të ISIS-it”.
Presidenti Macron është përgjigjur duke thënë se problemi kryesor janë luftëtarët e ISIS-it në rajon.
Duke iu referuar tërheqjes së papritur të Shteteve të Bashkuara nga veriu i Sirisë, Macroni ka thënë “ka gjithnjë e më shumë nga këta luftëtarë për shkak të situatës së sotme”.
Macroni është “më shumë në krah të atyre që duan të përballen me krizën dhe të flasin për të”, ka thënë Hans Kundnani nga organizata Chatham House.
Ai është një “faktor shkatërrues” në krahasim me liderët e tjerë që mund të zgjedhin të shoshisin mosmarrëveshjet, ka thënë Kundnani.
Samiti vjen ndërsa Trumpi përballet me një hetim të Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e tij. Ai ka përsëritur kritikën e tij të martën për demokratët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, duke thënë se është e padrejtë të mbahen seanca dëgjimore ndërsa ai po merr pjesë në samit.
Trumpi nuk është presidenti i parë i amerikan që merr pjesë në një samit të NATO-s nën renë e fajësimit.
Në vitin 1974 Richard Nixon kishte shkuar në takimin e 25-vjetorit të NATO-s në Bruksel, ndërsa Dhoma e Përfaqësuesve po përmbyllte hetimin e saj për procesin e shkarkimit. Nixoni kishte dhënë dorëheqjen pak javë më vonë. /Zëri i Amerikës/