Udhëheqësit e Nismës bëjnë homazhe në Prekaz, priten nga Rifat Jashari
Në 20-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga drejtues, deputetë, ministra, zëvendësministra dhe anëtarë të kësaj partie, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz, në shenjë nderimi dhe përuljeje ndaj veprës së familjes Jashari, me në krye komandantin legjendar Adem Jashari.
Po ashtu delegacioni i Nismës vizituan edhe familjen Jashari, ku u priten nga përfaqësuesi i kësaj familje, Rifat Jashari.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, u shpreh se komandanti legjendar Adem Jashari dhe brezi i tij i kanë dhënë shumë vendit, derisa gjenerata e re ka për detyrë ta vazhdojë këtë rrugë, duke synuar krijimin e perspektivave të reja për kombin tonë.
“Adem Jashari është Skënderbeu i bashkëkohësisë sonë. Çdo anëtar i familjes Jashari i rënë në luftimet e 5, 6 e 7 Marsit 1998, duhet të shpallen, Dëshmorë dhe Heronjtë”, ka thënë Krasniqi.
Ndërsa, përfaqësuesi i familjes Jashari, Rifat Jashari, ka falënderuar delegacionin e Nismës për vizitën, duke uruar që vitet e ardhshme të na presin më të bashkuar në kauzat kombëtare.