Udhëheqësit evropianë mbështesin planin arab për Gazën: Është realist

09 mars 2025 | 09:31

Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe mbështesin një plan nga vendet arabe për rindërtimin e Gazës që do të kushtonte 53 miliardë dollarë dhe do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve nga territori.

Një ditë më parë, ministrat e jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe e përshëndetën planin nga vendet arabe duke e cilësuar si “realist” dhe synon rindërtimin e Gazës për 5 vite.

“Propozimi premton përmirësim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të kushteve katastrofike të jetesës për popullin e Gazës. Ne jemi të përkushtuar për të punuar me nismën arabe dhe ky plan është një sinjal i rëndësishëm që shtetet arabe kanë dërguar për të rindërtuar Gazën. Hamasi nuk duhet të qeverisë më Gazën dhe as të jetë kërcënim për Izraelin dhe mbështesin rolin qendror për Autoritetin Palestinez dhe zbatimin e agjendës së tij të reformave”, thuhet në deklaratën e përbashkët të 4 vendeve evropaine.

Plani, i hartuar nga Egjipti dhe i miratuar nga udhëheqësit arabë, është hedhur poshtë nga Izraeli dhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump , i cili paraqiti vizionin e tij për ta kthyer Rripin e Gazës në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.

Sipas planit arab, thuhet se Gaza duhet të qeveriset përkohësisht nga një komitet ekspertësh të pavarur dhe që paqeruajtësit ndërkombëtarë të vendosen në territor. Ku komitet do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e ndihmës humanitare dhe menaxhimin e përkohshëm të çështjeve të Gazës nën mbikëqyrjen e Autoritetit Palestinez.

Aktualisht Izraeli ka bllokuar ndihmat që të hyjnë në Gaza për t’i bërë presion Hamasit që të pranojë një propozim të ri të SHBA-së për një zgjatje të përkohshme të armëpushimit, gjatë të cilit do të liroheshin më shumë pengje izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë. Nga ana tjetër, Hamasi ka këmbëngulur që faza e dytë e armëpushimit duhet të përfshinte jo vetëm lirimin e plotë të pengjeve, por edhe tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza.

Bisedimet për zgjatjen e armëpushimit pritet të nisë të hënën në Katar, ku Izraeli do të dërgojë një ekip negociator. Edhe zëdhënës i Hamasit, Abdel Latif al-Qanoua, foli për “tregues pozitivë” për bisedimet që nisin në fillim të javës që vjen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ç’mund të ndryshojë me një qeveri të koalicionit CDU/CSU dhe…