Udhëheqësit evropianë pajtohen për hapjen e negociatave më Bosnjën për anëtarësimin e saj në BE
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan të enjten për të hapur negociatat e anëtarësimit të Bosnjës e Hercegovinës në bllok, ndonëse vendi i Ballkanit Perëndimor duhet të bëjë ende shumë punë përpara se të fillojnë bisedimet.
Të 27 udhëheqësit dhanë dritën jeshile politike në një takim në Bruksel, pasi Komisioni Evropian javën e kaluar u pajtua për hapjen e negociatave, pavarësisht ndarjeve të thella etnike në vendin me 3.2 milionë banorë.
“Këshilli Evropian sapo vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Urime!”, tha presidenti i Këshillit, Charles Michel.
“Vendi juaj është në familjen tonë evropiane”, shkroi ai në platformën X duke nënvizuar ndërkaq se “tani duhet të vazhdojë punë e vështirë në mënyrë që Bosnja dhe Hercegovina të përparojë në mënyrë të qëndrueshme”.
Në projekt deklaratën e përfundimeve të takimit të Këshillit Evropian, i cili i vazhdon punimet edhe të premten, udhëheqësit e BE-së theksojnë nevojën që Bosnja të vazhdojë të ndërmarrë “të gjithë hapat përkatës të përcaktuar” nga Komisioni, që përfshijnë reforma ekonomike, gjyqësore dhe politike si dhe përpjekje më të mira për të trajtuar korrupsionin dhe pastrimin e parave.
Bosnja është e përçarë nga ndarjet etnike, edhe gati tri dekada pas luftës së viteve 1992-95 që copëtoi vendin, duke lënë më shumë se 100,000 njerëz të vrarë dhe miliona të zhvendosur.
Në vitin 2022, Bosnjës iu dha statusi i kandidatit. Për t’u anëtarësuar në BE, vendet kandidate duhet të kalojnë një proces të gjatë për të përafruar ligjet dhe standardet e tyre me ato të bllokut dhe për të dëshmuar se institucionet dhe ekonomitë e tyre përmbushin normat demokratike.
Bosnja është në mesin e gjashtë vendeve të rajonit, krahas Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, që ndodhen në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit në BE, pas një periudhe luftërash dhe krizash në vitet 1990.
Procesi i zgjerimit të BE-së me këto vende është bllokuar prej vitesh. Por pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, zyrtarët e bllokut janë më të prirë të përpiqen t’i joshin ata përballë ndikimit të Kremlinit.
Përveç reformave të brendshme jo të plota që dëmtojnë përpjekjet e saj, Bosnja është ende e ndarë etnikisht e politikisht dhe është ndoshta më e brishta nga vendet e Ballkanit.
Në dhjetor, presidenti i Republikës Serbe Milorad Dodik, një politikan prorus i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se synon të vazhdojë të dobësojë vendin deri në pikën e shpërbërjes.
Me vendimin e sotëm të udhëheqësve të BE-së për hapjen e negociatave me Bosnjën, Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat, ndonëse ka shtruar kërkesën për një gjë të tillë.
Pesë vende anëtare të bllokut, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qiproja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që u shpall në vitin 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe shumicës së vendeve të bllokut.
Pavarësia e Kosovës kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia. /VOA