Udhëheqësit serbë me paga të dyfishta
Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, 11 vjet më parë, në vend ende vazhdojnë të ekzistojnë struktura komunale ose “organe të përkohshme”, të cilat punojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë.
Kryetarët e atyre organeve dhe katër anëtarë të tjerë i emëron Qeveria e Serbisë, ndërkaq që në mjaft raste, të njëjtit i kryejnë funksionet edhe në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës dhe marrin paga të dyfishta.
Graçanica është komunë me shumicë serbe, e cila është formuar përmes procesit të decentralizimit në Kosovë. Por, rreth 200 metra nga ndërtesa e kësaj komune, e cila punon sipas sistemit të Kosovës, gjendet “organi i përkohshëm i Komunës së Prishtinës” me seli në Graçanicë, i cili punon sipas sistemit të Serbisë.
Ngjashëm është edhe në komunat tjera. “Organi i përkohshëm” serb për qytetin e Pejës është vendosur në Gorazhdevc, për qytetin e Vushtrrisë është vendosur në Prilluzhë, për Obiliqin në Plemetin, për Fushë Kosovën në Uglarë. “Organe të përkohshme” të ngjashme janë edhe për Gjakovën, Gjilanin, Rahovecin, Kamenicën etj. I gjithë personeli i këtyre “organeve” paguhet nga Serbia.
Situata është e ngjashme edhe në veri të Kosovës. Në Mitrovicën Veriore funksionon komuna sipas sistemit të Kosovës dhe “organi i përkohshëm i Mitrovicës së Kosovës”. Situatë e njëjtë është edhe në Leposaviq, Zveçan dhe të tjera, ndërkaq që në disa raste i njëjti personel punon edhe për komunën sipas sistemit të Kosovës, por edhe në organet që punojnë sipas sistemit të Serbisë.
Për shembull, Bratislav Nikoliq është kryetar i Komunës së Shtërpcës, sipas sistemit të Kosovës, por edhe sipas sistemit të Serbisë.
Rasti i njëjtë është edhe me Svetislav Ivanoviqin në Komunën e Novobërdës dhe me Zoran Todiqin në Leposaviq.
Aleksandër Shpiriq është kryetar i “organit të përkohshëm të Mitrovicës së Kosovës”, por edhe nënkryetar i Komunës së Mitrovicës Veriore, në të cilën pozitë e ka emëruar kryetari i komunës, Goran Rakiq.
Bashkë me kryetarin dhe katër anëtarët e ‘organit të përkohshëm”serb, në kuadër të drejtorisë komunale janë edhe njësitë për drejtori të përgjithshme, veprimtarisë shoqërore, të çështjeve pronësore-juridike, inspektoratit të punës, për bujqësinë, urbanizmin, financat dhe të tjera.
Kryetari i Komunës serbe të Prishtinës, në Graçanicë, Ljubinko Karagjiq, më herët kishte ushtruar funksionin e nënkryetarit të Komunës së Graçanicës, sipas sistemit të Kosovës.
Shkrimi i plotë në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/asociacioni-i-komunave-me-shumice-serbe-/29519726.html.