Udhëheqja e shtetit shqiptar ishte e bindur se krijesa jugosllave nuk do të ishte jetëgjatë
Përsiatje politike / TRIADA E KOSOVËS (10)
Shkruan: Bedri Islami
Udhëheqja e shtetit shqiptar ishte e bindur se krijesa jugosllave nuk do të ishte jetëgjatë, sidomos pas vdekjes së Titos. Dhjetë vjet para se të ndodhte shpartallimi i përgjakshëm i saj, një gjë e tillë ishte parashikuar në librin e Enver Hoxhës mbi vetadministrimin. Dhe kjo jo vetëm që ishte shkruar, por edhe ishte besuar, e jo vetëm nga drejtuesit e lartë, por edhe nga njerëzit e zakonshëm. Ndaj, duke pritur këtë rënie, shteti shqiptar mendonte se duhej pritur edhe një tjetër moment. Në atë kohë, në aparatin drejtues të Komitetit Qendror, sidomos në drejtorinë për Kosovën – sepse ka ekzistuar një drejtori e tillë e veçantë, e cila zakonisht drejtohej nga një anëtar i Komitetit Qendror si, për shembull, Mehmet Karakushin, nga familja e njohur e Karakushëve të Kukësit, – mbizotëronte mendimi se përshpejtimi i proceseve, ndërsa shprishja jugosllave ende nuk kishte filluar, do të shoqërohej nga reprezalje masive.
Në shtatorin e vitit 1982, si kam shkruar më sipër, në takimin me Ramiz Alinë, në shtëpinë e tij të detyruar, unë e kam pyetur edhe për ngjarjet e marsit të vitit 1981. Megjithëse natyra e tij, jo rrallë, është sfinksore, përgjigjja ishte e besueshme. Zoti Alia, i cili, në vitin 1981, ishte sekretar i KQ për Propagandën dhe një ndër autoritetet më të besueshme të Enver Hoxhës, sigurisht, që do të ishte fare mirë në dijeni të rrjedhës së ngjarjeve. Asokohe, ai ishte njeriu nr. 3 i shtetit, pas vdekjes dy vite më parë të Hysni Kapos. Alia më tha se shteti shqiptar nuk i kishte pritur këto ngjarje, sepse në planet afatgjata të shtetit dhe të partisë kishte prognoza të tjera. Ishte menduar për një ecje ndryshe, duke mbështetur, njëkohësisht, lëvizjet që mund të ndodhnin.
Që shteti shqiptar dhe strukturat e tij u zunë krejt papritur dëshmohet edhe nga mungesa e plotë e informacionit që kishte në ditët e para. Nuk dihej se kush ishte organizatori dhe cilat ishin qëllimet themelore; nuk dihej nëse ishte një lëvizje spontane, sporadike apo gjithçka ishte e organizuar, nëse kishte në thelbin e saj kërkesa të zakonshme jetësore apo ishte një lëvizje politike, e fshehur përkohësisht pas aspekteve sociale.
Për reagimin e vonuar të shtetit shqiptar është polemizuar shpesh, sidomos pas vitit 1990. Ka qenë një reagim i vonuar apo në kohën e duhur, pra atëherë kur është dashur të bëhet një reagim i tillë? Ka qenë një reagim i cili kishte në thelbin e vet qëndrimin kombëtar të shtetit shqiptar, apo gjithçka ishte fasadë patriotike? Është ky një moment kur qëndrimi kombëtar ndahet përfundimisht nga qëndrimi ideologjik, apo bëhet fjalë për një përputhje mes tyre, si vazhdim të njëri-tjetrit?
Demonstratat e vitit 1981, sido që të arsyetohet sot, e gjetën shtetin shqiptar me një qëndrim kombëtar të përcaktuar dhe të afishuar. E vërteta është se fillimi i demonstratave ka datën e 11 marsit 1981, ndërsa qëndrimi i parë i afishuar i shtetit shqiptar është i datës 8 prill 1981. Ka një diferencë rreth njëmujore mes tyre dhe gjatë kësaj kohe, tashmë, për shtetin shqiptar, gjithçka ishte qartësuar.
Ka pasur thënie se “shteti shqiptar heshti në fillim, pasi nuk e dinte saktësisht se cilët ishin pas këtyre demonstratave, forcat ilegale të majta apo forcat e dikurshme të djathta”. Gjithashtu, është thënë se, “dyshimi se e gjithë kjo kishte ndodhur ishte nën organizimin e “pjesëve të Ballit” apo të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit” dhe, meqë këto forca nuk kishin lidhje me shtetin shqiptar,fillimisht është heshtur”. Dyshimi ka shkuar edhe më tej, duke hedhur mendimin se sikur e gjithë kjo të ishte ndërmarrë nga nacionalistët shqiptarë, shteti shqiptar nuk do t’i kishte përkrahur, pasi, për qeverinë e Tiranës, në radhë të parë ishin parimet ose prirjet ideologjike.
Mendoj se është krejtësisht ndryshe. Së pari, shteti shqiptar kishte lidhje me forcat e ashtuquajtura nacionaliste të shqiptarëve në Kosovë. Dem Ali Pozhari ishte njeriu që ishte ftuar personalisht në shtetin shqiptar dhe ishte pritur nga Enver Hoxha, me një organizim të posaçëm dhe publicitet të rrjedhshëm. Nga ana tjetër, ekzistojnë ende shënimet e Enver Hoxhës, si letër porosi, për forcat ilegale të majta të Kosovës, brenda vendit ose në diasporë, në të cilat, jep mendimin e një bashkëpunimi të ngushtë me Ballin Kombëtar të Kosovës, i cili, po sipas shënimeve, ishte patriot dhe krejt ndryshe nga Balli Kombëtar në Shqipëri, i cili kishte qenë, kolaboracionist. Një dallim i tillë, i bërë haptas, ngre idenë se parësore për afishimin e qëndrimit të shtetit shqiptar nuk ka qenë se kush i organizoi, por çfarë ishte thelbi i tyre.
Demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 kishin, në shumicën e tyre dërmuese, kërkesa të karakterit social. Prandaj ata edhe u injoruan nga shteti federativ, u minimizuan. Duhej të vinte dita e 26 marsit, dy javë më pas, që gjithçka të bëhej saktësisht e ditur se çfarë donin dhe çfarë kërkonin shqiptarët në Kosovë. Më 26 mars, kërkesat sociale kaluan në radhë të tretë, dhe u shfaq haptas kërkesa për Republikën e Kosovës dhe për të drejtat politike të shqiptarëve në Kosovë. Këto kërkesa, që u afishuan edhe në ngjarjet e 1 dhe 2 prillit, do të ishin boshti dhe themeli i vërtetë i ngjarjeve të pranverës së vitit 1981. Këto kërkesa do i përkrahte fuqimisht edhe shteti shqiptar.
Nga 26 marsi dhe deri më 8 prill, do të ishin në mes vetëm 12 ditësh, kohë jo e gjatë për të afishuar qëndrimin e hapur të një shteti, jo përmes një deklarate politike të një zëdhënësi të ministrisë së punëve të jashtme, por përmes drejtuesit të atëhershëm të shtetit shqiptar.
Themelore është se shteti shqiptar nuk kishte hezitime në qëndrimin që do të mbante. Kjo ishte parësore. Po ashtu parësore ishte se ky qëndrim i shtetit shqiptar ishte në përputhje të plotë me qëndrimin e shtetasve të tij. Momenti i afishimit, që kur kërkesat sociale në Kosovë u bënë kërkesa politike dhe deri tek publikimi më 8 prill i qëndrimit të shtetit shqiptar, nuk është një vonesë aq e madhe sa bëhet e aq sa dëshirohet të bëhet. Parësore në qëndrimin që u mbajt, çfarë mund të shihet edhe pas shumë viteve, është nëse ishte një qëndrim i drejtë, kombëtar, apo ishte në të kundërshtim me atë që po ndodhte në Kosovë.
Duke mbajtur vesh nga qëndrimi i Shqipërisë, strukturat diferencuese në Kosovë, në reagimet e tyre të para, nuk u ngutën të sulmojnë, pasi, për ta, do të kishte qenë shumë e leverdishme, nëse shteti shqiptar do të kishte heshtur. Kjo do u tregonte demonstruesve dhe, sidomos, të burgosurve politikë se ishin të vetmuar.
Qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar u bë i njohur më 8 prill 1981, përmes artikullit të gjatë “Pse u përdor dhuna policore dhe tanket kundër shqiptarëve në Kosovë?”
(“Zëri i Popullit”, 08. 04. 1981).
Po cilat ishin disa nga idetë thelbësore të këtij qëndrimi, kundër të cilave u vërsulën me një furi të pabesueshme të gjitha strukturat partiake dhe qeverisëse jugosllave, mes të cilave edhe shumë nga vasalët e tyre shqiptarë? A përbënin ata thelbin e asaj që kishte ndodhur dhe publikisht? A bënin ata të njohur se ‘e përkëdhelura jugosllave’ kishte fshehur nën mantelin e jetës të përmirësuar, të vërteta të mjerueshme, që kishin pas vetes, çka u dëshmua më pas, gjakimin e të gjithë popujve që përbënin atë?
Ndoshta do të ishte e vlefshme nëse do të riktheheshim në disa nga qëndrimet e shfaqura më 8 prill 1981.
– Por, pavarësisht nga ç’thuhet e ç’shkruhet në Jugosllavi, shkaqet e vërteta të demonstratave të Kosovës, përmbajtja e tyre, kërkesat që u paraqitën në to nuk mund të mbulohen me frazeologji të rreme dhe të zhurmshme, siç veprojnë shtabet e Beogradit. Çdo njeri objektiv, çdo vëzhgues i paanshëm e shikon dhe e kupton menjëherë se në bazë të ngjarjeve të fundit në Kosovë qëndrojnë prapambetja e madhe e kësaj krahine, varfëria e mjerimi i njerëzve të saj, mungesa e lirive demokratike dhe e të drejtave politike. Demonstratat janë shpërthimi i një gjendjeje të padurueshme që vazhdon prej dhjetëra vjetësh, është errësimi i mëtejshëm i perspektivës për të dalë nga kjo gjendje.
– Tani, popullsia shqiptare që jeton në Kosovë dhe që përbën pjesën dërrmuese të saj, kërkon, brenda normave kushtetuese, por edhe në rrugë, që Krahina e Kosovës të çlirohet nga tutela e Serbisë, ajo kërkon t’i njihet statusi i një republike brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Ç’krim bëri populli i Kosovës me këtë kërkesë, që u cilësua si i tillë nga udhëheqja e Federatës së Jugosllavisë dhe nga disa udhëheqës kryesorë të Krahinës së Kosovës? Ai s’bëri asnjë krim. Përkundrazi, këto kërkesa të ligjshme janë nënvlerësuar, janë quajtur armiqësore, prandaj dhe u arrit në demonstratat që u zhvilluan.
Asnjëherë populli shqiptar i Kosovës dhe i viseve të tjera të Jugosllavisë nuk është lejuar të shprehet lirisht dhe në mënyrë demokratike mbi statusin që duhej të kishin krahinat ku ata banonin. Persona të tjerë kanë vendosur për ta.
– Jo vetëm kaq, por studentët trima kosovarë i akuzuan se gjoja vepruan si gangsterët e Çikagos dhe vunë përpara kalamanët e vegjël. Këto zakone të ndyra mund të jenë cilësi të të tjerëve, por kurrë të shqiptarëve që kanë luftuar dhe luftojnë me pallën sheshit. Pretendimi i shtypit jugosllav vërteton të kundërtën, se demonstratat ishin popullore dhe paqësore. Ky pretendim, gjithashtu, të le të kuptosh, se, po të mos ishin turma nxënësish, policia serbe do t’i kish grirë njerëzit me mitraloza. Këto gjëra nuk harrohen kollaj. Ato nuk tregojnë forcën, por dobësinë, nuk tregojnë pjekurinë, por “hutimin”.
Afishimi i qëndrimit të hapur të shtetit shqiptar, edhe pse më pas është quajtur i vonuar, mendoj se ka qenë në kohën e duhur e, po ashtu, edhe në nivelin e duhur. Edhe sot, këtij qëndrimi as nuk mund t’i shtohet gjë e as t’i hiqet gjë. Edhe nëse ka qenë vetëm një perde patriotike, çfarë nuk është e saktë, një qëndrim i tillë ishte i mirëpritur në tërë skenën politike ilegale të Kosovës dhe tek të gjithë njerëzit e thjeshtë. Po të kishte ndodhur e kundërta, në rast se shteti shqiptar do të kishte mbështetur dhunën policore, tanket dhe reprezaljet në Kosovë, ose nëse do të kishte heshtur, kjo do të përbënte njërën ndër thyerjet më të mëdha të kombit. Fakti është se në vitin 1981, i gjithë arsenali i propagandës titiste e udbashe synoi pikërisht në thyerjen e asaj që ekzistonte mes shqiptarëve, pavarësisht kufijve të vendosur. Pikësynimi ishte ndërtimi i një miti të rremë për shqiptarët “ndryshe”, që ishin në Kosovë, ashtu si kishin bërë deri atëherë mekanizmat serbë me ndarjen e shqiptarëve në “të ndershëm” dhe “rebelë”. (Vijon)