Udhëkryqi i marrëveshjes Kosovë – Serbi dhe ridefinimi i kufijve shtetëror të tyre
Arbër Hadri
Marrëveshja Kosovë-Serbi dhe mundësia e ridefinimit të kufijve shtetëror të tyre është një çështje e cila duhet të trajtohet me kujdes dhe në përputhje me interesat kombëtare të Kosovës. Jetësimi i procesit të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tanimë disa vjeçar, është i padiskutueshëm për Bashkësinë Ndërkombëtare, nuk ka asnjë hapësirë për mundësinë e mospërfilljes së tij,si dhe ka arritur në pikën kritike të imponimit të Asociacionit të Komunave serbe me veçori të theksuara ekzekutive dhe politike. Pra nuk ka alternativë tjetër me të cilën Kosova do të mund të anashkalonte mundësinë e bisedimeve dhe injorimin e këtij procesi që në fund detyrimisht nënkupton lëshim pe për disa çështje shumë të ndjeshme për Kosovën. Ky udhëkryq në të cilën gjendet Kosova, nuk mund të anashkalohet me futjen e kokës në rërë dhe me pretendimin se çdo gjë do të tejkalohet vetvetiu. Veprimi i politikës reale po na afrohet dhe një qasje parandaluese është më se e nevojshme për ndalimin e destabilizimit të Kosovës nga ana e veprimeve të Serbisë, nëpërmjet nxitjes së krijimit artificial të një autonomie rrënuese për rendin demokratik të Kosovës.
Serbia është në një ofensivë politike e cila me nxitjen me çdo kusht të idesë së Autonomisë serbe në Kosovë po provokon seriozisht stabilitetin dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Arritja në një situatë të tillë është një temë në vete. Pjesë të një plani të tillë të Serbisë për faktorizimin serb në Kosovë janë edhe planet “Millosheviqiane” më radikale për nxitjen e konflikteve civile dhe veprimin paramilitar në kuadër të kësaj Autonomie të “Listës Serbe”, si dhe përfshirjes më pas të bashkësisë ndërkombëtare në parandalimin e konfliktit të brendshëm dhe miratimin e një status-kvoje të re të krijuar në një Kosovë de fakto federale, me një qasje të njëjtë sikurse në Bosnjë.
Anashkalimi i kësaj situate, do të mund të ishte i mundshëm nëse Kosova do të ishte tani më një shtet i konsoliduar mirë, i cili mund të udhëheqë proceset politike të brendshme dhe ndërkombëtare rreth saj; administrata, policia, ligji dhe rendi kushtetues vepron në çdo cep të Kosovës dhe nuk kundërshtohet nga një popullatë tani politikisht unike; një shtet me një ushtri shumë të fortë kompatibile me rrezikshmërinë e cila e cenon dhe cila do të ishte e aftë që të mbronte me sukses sovranitetin dhe integritetin territorial të saj në secilën rrethanë. Po ashtu, disa inkursione një ditore policore një herë në pesë vite në veri të Kosovës nuk vërtetojnë ushtrimin e sovranitetit, përkundrazi vërteton brishtësinë institucionale dhe mos ushtrimin e rendit e ligjit gjatë tërë kohës. Ky mos veprim ka prodhuar mbretërimin e një jo ligjësie të stilit të perëndimit të egër, duke rezultuar me formimin e autoriteteve politike dhe monopole ekonomike antikushtetuese. Bashkësia ndërkombëtare si sponsoruesi i shtetit të Kosovës do të duhej të ishte unike dhe të përkrahte një qasje të tillë të sforcimit të dhunshëm të rendit kushtetues në tërë territorin e Kosovës. Mirëpo, për më shumë Bashkësia Ndërkombëtare edhe një herë po dëshmon që është e paaftë të veproi në mënyrë parandaluese para akteve agresore të fshehta të shteteve në Ballkan, si dhe të ketë një veprim parandalues efektiv ndaj një politike ekspansioniste të Serbisë. Një pozitë e tillë favorizuese e Kosovës është shumë larg e të qenit e realizueshme dhe mund të jetë pjesë e një strategjie afatmesme kombëtare.
Përballë një pozite të tillë të imponimit të një autonomie për minoritetin serb brenda Kosovës dhe mundësisë tani në horizont të një ridefinimi të kufijve të Kosovës dhe Serbisë me premisa të shteteve sovrane e të barabarta, si dhe të bazuar në reciprocitetin e sipërfaqes së njëjtë të kufizimit territorial dhe bashkëngjitjes Kosovës së popullatës shumicë shqiptare të robëruar në Luginën e Preshevës, është më se e qartë se interesi kombëtar është mundësia e përfitimit nga një situatë e tillë e cila tani është vu në dispozicion. Ky proces duhet të udhëhiqet si duhet dhe duke u bazuar në parime të definuara qartë.
Guximi për të trajtuar një çështje të ndjeshme sikurse ajo e ridefinimit të kufirit dhe territoreve të Kosovës dhe Serbisë është një vendim që në vete bartë shkëputje nga stereotipet miope të krijuara nga trashëgimia e jonë historike që daton që nga Kongresi i Berlinit 1878, Konferencat e tjera të Londrës, Parisit, Bunjajit, Jaltës, Dejtonit, Rambujesë, Marrëveshjes së Kumanovës si dhe të status quos së krijuar për një dekadë në Kosovë. Kjo trashëgimi historike në fakt ka të bëjë me trajtimin brenda shoqërisë sonë të faktorëve të tkurrjes dhe copëtimit territorial të kombit shqiptar dhe të krijimit të një kompleksi kundruall saj, si në marrëdhëniet e saja me Serbinë nga e cila edhe është pavarësuar, po ashtu edhe të pozitës së Kosovës në arealin ndërkombëtar. Pyetja është se a është e gatshme shoqëria e Kosovës dhe ajo e Serbisë që problemet e tyre historike dhe të sotme, që në fakt mpiksin çështje të kufizimeve territoriale dhe të ndasive të thella etnike e kulturore, të trajtohen e ballafaqohen paqësisht me një qasje të tillë të ridefinimit të territoreve të tyre?! Nëse ky proces do të udhëhiqej si duhej dhe me përfitim të barabartë ndërmjet palëve atëherë ky do të ishte shumë i favorshëm për Kosovën, Serbinë dhe rajonin. Mirëpo, i njëjti është një proces shumë vështirë i realizueshëm me plotë pengesa dhe me anë pozitive dhe negative.
Fakt është se negociatat për ridefinim të kufirit janë duke u zhvilluar në nivelin më të lartë dhe nevojitet një ndihmë e përgjithshme dhe kujdes i zgjeruar për mbarëvajtjen e tyre në favor të Kosovës. Mos të harrojmë që njëri ndër kushtet e para që na pret do të jetë delitimimi i kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje paqësore e definimit të kufirit vetëm sa do ta plotësonte këtë kusht të domosdoshëm drejt integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.
Në kontekstin pozitiv, duhet të merren parasysh një sërë parimesh themelore gjatë procesit negociator të cilat nuk do të duhej në asnjë mënyrë të anashkalohen apo të devijohen. Këto parime me rëndësi për Kosovën dhe të ardhmen e saj janë:
1. Njohja nga ana e Serbisë e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.
2. Ridefinimi territorial të realizohet në bazë të reciprocitetit të sipërfaqes së njëjtë të kufizimit territorial ndërmjet shteteve të Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast Kosova sipas marrëveshjes përfundimtare duhet të ketë të njejtën sipërfaqe prej 10,905 km2, sikurse para fillimit të këtij procesi.
3. Përfshirja e plotë e popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës që numëron rreth 100.000 banorë, në kuadër të sovranitetit territorial të Kosovës.
4. Përfshirja e plotë e popullatës shqiptare që jeton në pjesët veriore të Kosovës në kuadër të sovranitetit territorial të Kosovës. Në këtë kuadër duhet të përfshihen: qyteti i Mitrovicës (pjesa veriore), Boletin, Zhazhë, Kelmend, Bistricë e Shalës, Cerajë, Koshtovë, si dhe të gjitha fshatrat dhe vendbanimet e tjera të populluara nga shqiptarët.
5. Ruajtja e pikave gjeostrategjike, interesave ekonomike të Ujmanit, Resurset Minerare dhe Trepçën, si dhe interesat e sigurisë kombëtare për Kosovën.
6. Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.
7. Të drejtat e minoriteteve të mbesin vetëm ato të përcaktuara sipas Kushtetutës së tanishme të Kosovës, minus e drejta e votës së dyfishtë.
8. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës dhe njohja e përkrahja rajonale dhe ndërkombëtare e saj. Marrëveshje e veçantë me NATO-në për sigurinë e përbashkët në Kosovë, në periudhën kalimtare deri me anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
9. Kërkim falja e Serbisë për gjenocidin, apartheidin, masakrat dhe spastrimin etnik ndaj Shqiptarëve të Kosovës nga ana e regjimit Millosheviqian të Serbisë.
10. Kompensimi material nga ana e Serbisë i dëmeve të shkaktuara në luftën në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
11. Mos ndërhyrja e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, duke përfshirë çështjet administrative e të sigurisë në nivel të Kosovës dhe Komunal; të drejtat pronësore e operative të ndërmarrjeve shoqërore dhe shtetërore të Kosovës; kthimi i koleksioneve muzeore dhe arkivore të Kosovës.
12. Trashëgimia fetare ortodokse është trajtuar sipas standardeve më të larta botërore duke u bazuar në Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Kosovës.
13. Projekte infrastrukturore ndër rajonale, me përkrahje të Bashkimit Evropian.
14. Deklaratë politike e Komisionit dhe Parlamentit Evropian për përkrahjen e përshpejtuar të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimit Evropian dhe mos pengimi i njëra tjetrës në këtë proces.
Nëse këto parime do të realizohen në plotni pa ndryshime esenciale që do ta bënin të papranueshme marrëveshjen potenciale, atëherë Kosova nuk ka pse të frikohet nga përfshirja në fakt e një pjese të popullate të saj, që do të ishte pozitive për qenien e saj kombëtare dhe zhvillimin e mëtejmë të saj.
Në këtë situatë është me rëndësi që interesat kombëtare të Kosovës të vendosen të parat, para pikëpamjeve të ndryshme të partive politike, automatizmit në kundërshtim dhe politikës ditore. Mekanizmat filtrues të sovranit për kontrollimin dhe miratimin e rezultateve të bisedimeve-Marrëveshjes janë në vend, me ushtrimin e së drejtës sublime të Referendumit Popullor, por edhe të drejtave të tjera Kushtetuese. Duke e shikuar nga ky prizëm apartiak, formati i udhëheqjes së bisedimeve nga ana e Presidentit të Kosovës-Thaçit, i cili e ka një eksperiencë dhe qëndrueshmëri të dëshmuar negociuese nga Konferenca e Rambujesë, është i favorshëm në këtë konstelacion kur presioni do të jetë evident që rezultati i bisedimeve të jetë i përshtatshëm për opinionin e brendshëm kosovar, si dhe që projekt-marrëveshja duhet të miratohet nga Kuvendi apo nga Referendumi gjithë popullor.
Në aspektin historik territori i Kosovës së sotme është përcaktuar në vitin 1945 me krijimin e Jugosllavisë Federale, me disa ndryshime me rritjen e sipërfaqes së saj me bashkëngjitjen e disa territoreve të Komunës së Leposaviçit dhe Zveçanit në vitet e 50-tadhe shkëputjes së disa fshatrave të Komunës së Gjilanit. Me ndryshime të vogla të definimeve ndërkomunale brenda Kosovës, territori i saj ka mbetur i pandryshuar që nga ajo kohë dhe vetëm është vërtetuar me Kushtetutat e viteve 1946, 1948, 1968, 1974 dhe më pas me Marrëveshjen e Kumanovës dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, si dhe Kushtetutën e Kosovës së Pavarur. Territori i saj është reflektim i një sipërfaqe kompakte të bashkëdyzuar gjeografike, etnografike, kulturore e politike të Rrafshit të Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, faktor i cili ka qenë edhe përcaktues në definimin e territorit të saj në Konferencën e AVNOJ-it dhe më pas me krijimin e Jugosllavisë së re në vitin 1945. Fatkeqësisht Lugina e Preshevës me karakteristika të veçanta gjeografike, nuk i është bashkangjitur territorit politiko-administrativ të Kosovës, por ka mbetur nën Serbi, përkundër faktit që ka poseduar të njëjtat karakteristika të përbërjes etnike shqiptare, kulturës dhe historisë së përbashkët. Të njëjtin fat e kanë pësuar edhe shqiptarët në Maqedonisë e sotme, e cila si etniteti ri politik-Republikë është krijuar po atë vit më 1945, me ç′rast territori i banuar me shqiptar është shkëputur në aspektin politik dhe administrativ nga përkatësia në Kosovën natyrale. Kompaktësia territoriale e këtyre tri pjesëve të një trungu etnik dhe kulturor në aspektin historik kanë qenë të jetësuara me Vilajetin e Kosovës në shekullin XIX, në të cilin kanë qenë të përfshira të gjitha këto territore të banuara me shumicë shqiptare, si dhe pjesërisht gjatë Luftës së Dytë Botërore por pa pjesët e skajshme veriore të saj. Gjatë periudhës së Mbretërisë Jugosllave pas Luftës së Parë Botërore, shqiptarët që kanë jetuar në këtë shtet kanë qenë të ndarë në rajone të ndryshme administrative pa të drejta elementare njerëzore.
Duke u bazuar në të dhënat historike mund të konkludojmë se territori i etnitetit politiko-juridik të Kosovës së sotme është i cunguar dhe nuk pasqyron territorin e Kosovës historike dhe natyrale, të kompaktësisë etnike dhe kulturore në të cilën hyjnë edhe populli shqiptar i ndarë në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë ish Jugosllavisë. Kufijtë e Kosovës së sotme janë definuar pas Luftës së Dytë Botërore me krijimin e rendit të ri Botëror dhe nga interesat e krijimit të Jugosllavisë Federale, si dhe nuk janë rezultat iimponimit dhe caktimit të dhunshëm me luftë. Gjatë gjithë periudhës pasuese deri me Pavarësinë politike të saj, Kosova e ka mirëmbajtur, mbrojtur me sakrificë dhe vërtetuar të njëjtin territor gjatë ndryshimeve të pozitës së saj politiko-juridike.
Efektet e mundshme negative të një marrëveshjeje të definimit paqësor të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të ndikojnë vetëm në ato vende të Ballkanit që nuk i kanë të rregulluara si duhet marrëdhëniet ndëretnike në sistemin e tyre shtetëror dhe në të cilat ekzistojnë nëpërkëmbje dhe shtypje të të drejtave njerëzore. Në këtë rreth hyn Maqedonia, e cila duhet t′i rikompozojë me Kushtetutë marrëdhëniet e barabarta të dy popujve shtetformues shqiptarëve dhe sllavëve maqedonas, para se të hyj në NATO-në dhe në Bashkimin Evropian, në mënyrë që problemet evidente të brendshme dhe mundësia e konfliktit të mos bartet në nivelin evropian. Bosnja, është një tregim në vete në të cilën Bashkësia Ndërkombëtare ka investuar konsiderueshëm në krijimin e formulës së paqes e stabilitetit dhe nuk do të lejoi që të ketë ndryshime të cilat do ta ndikonin në shpërbërjen e saj dhe përfshirjen në një konflikt më të gjerë të shteteve që e rrethojnë e që janë edhe pjesë e NATO-së dhe Bashkimit Evropian.
Mirëpo, Kosova është në miqësi të mirë me shtetet që e rrethojnë, nuk ka aspirata territoriale ndaj tyre dhe duhet të zgjidh problemet e saj të brendshme. Reflektimi i tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare rregullohet natyrshëm nga interesat e fuqive të mëdha dhe rendi botëror.
Element negativ në hapjen e bisedimeve për definimin e kufijve është mundësia e mos arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet palëve, e që do të mbante hapur dhe ashpërsonte mosmarrëveshjet historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe do ta rriste nivelin e rrezikshmërisë së nxitjes së konfliktit të brendshëm të përkrahur nga Serbia. Po ashtu, një tjetër faktor negativ që është historikisht i dëshmuar është tendenca për manipulimin e procesit nga ana e Serbisë, mos respektimi i marrëveshjeve dhe devijimi nga qëndrueshmëria afatgjatë e paqes dhe prosperitetit të ndërsjellët. Kjo tendencë për manipulim të procesit, që është gjithmonë prezentë në lojën politike të shahut që e ushtron Vuçiqi, duhet të vrojtohet me kujdes dhe të anashkalohet me çdo kusht me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Prezantimi i një ujdie nga ana e tij në të cilën të gjitha palët do të përfitojnë, nga eksperiencat e shumta ballkanike, duket shumë e mirë që të jetë e vërtetë,
Marrëveshja Kosovë-Serbi dhe qëndrimi i administratës së re amerikane
Pozita momentale e Kosovës është e pafavorshme si në aspektin e funksionimit të brendshëm demokratik dhe të sigurisë, po ashtu edhe në dimensionin e pozitës së saj ndërkombëtare. Është më se e qartë se Serbia gjatë dy viteve të fundit në krye me Vuçiqin, duke e përdorur brishtësinë e stabilitetit dhe të sigurisë së Kosovës për shkak të mungesës së Ushtrisë së saj dhe faktorit destabilizues institucional të minoritetit serb, ka mare terren në rikthimin në agjendë të “çështjes së Kosovës” si një çështje që duhet të zgjidhet, duke e kthyer në tavolinën e bisedimeve si një problem të pa zgjidhur në tërësi. Po ashtu, është investuar në forcimin e faktorit serb brenda Kosovës me “listën serbe” nën kontrollin e tij dhe nevojën që vet Serbia ta aprovoi në fund të procesit pranimin e pavarësisë dhe shkëputjen e territorit të Kosovës, si një veprim të domosdoshëm që është praktik e së drejtës ndërkombëtare nga të gjitha shtetet nga të cilat shkëputen territore dhe formohen shtete të reja.
Ana e tjetër e errët e mos realizimit të ri definimit të territorial ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të ishte themelimi i paevitueshëm dhe ngritja e Asociacionit të Komunave Serbe brenda Kosovës, me ingjerenca të njëjta të një Autonomie Substanciale sikurse që Kosova e kishte pas Luftës së Dytë Botërore në Federatën Jugosllave, me një përkrahje të fortë të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe me premisa të shpërbërjes së rendit kushtetues të Kosovës në një periudhë afat mesme. Evitimi i një konstelacioni të tillë është me interes nacional për Kosovën dhe gjetja e modaliteteve të tjera që nënkupton edhe marrëveshje të favorshme për Kosovën në kuadër të ri definimit territorial me të cilën vetëm do të fitonte Kosova sipas parimeve mirë të trajtuara, do të ishte e pranueshme dhe me interes.
Pozita e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare lë shumë për të dëshiruar. Përkrahja e jashtëzakonshme dhe qenësore që e ka pasur përgjatë dy decenieve të mëparshme për lirinë dhe pavarësinë e saj, nuk qëndron më në themelet e njëjta të qëndrueshme. Përkundër faktit që ende gëzon mbështetje në konsolidimin e shtetit të Kosovës, rrethanat e përgjithshme në konstelacionet ndërkombëtare nuk janë të njëjta. Gjatë kësaj kohe Bota ka ndryshuar e me këtë edhe interesat e fuqive të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndërmjetësues i vetëm në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është Bashkimi Evropian, që përkundër përpjekjeve për asnjanësi, disa shtete anëtare të saj refuzojnë ta pranojnë Kosovën si shtet, që ndikon edhe në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në dhe të ardhmen e saj në këtë organizëm. Njohjet ndërkombëtare janë në vendnumërim për shkak të rrethanave ndërkombëtare dhe përfshirjes së tanishme të limituar të SHBA-së në këtë proces, meqë edhe njohjet dërmuese të Kosovës janë rezultat i angazhimit të politikës së jashtme amerikane që nga fillet e këtij procesi me shpalljen e bashkërenduar të pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj nga qeveritë e shteteve sponsoruese dhe nga shtytja e diplomacive të tyre, e jo i angazhimit të veçuar të ndonjë personaliteti kosovar apo të diplomacisë në ngritje të një shteti të ri si Kosova.
Politika e jashtme amerikane ka ndryshuar me administratën e re amerikane, e cila sjell konceptin e saj të një politike të jashtme të re. Kjo praktik nuk e përjashton as qasjen e Administratës së Presidentit Trump, e cila i fitoj zgjedhjet me një politikë të fokusuar në çështjet e brendshme nën moton “Amerika e Para”. Ky qëndrim më së miri e pasqyron edhe qëndrimin e saj ndaj politikës së jashtme në mbarë Botën, jo vetëm ndaj Evropës dhe Ballkanit e Kosovës në veçanti. Në fillet e saj politika e jashtme e Presidencës së Trump cilësohet me një vrojtim izolues duke u bazuar kryesisht në një politikë refleksive rreth çështjeve që prekin direkt Amerikën dhe politikën e brendshme të saj, sikurse marrëdhëniet me Rusinë, e cila është ende e vetmja fuqi e cila mund të rrezikojë ekzistencën e saj me raketa balistike ndërkontinentale, fakt i cili e ka vënë gjithmonë në rend të parë në interesat amerikane të sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme. Këtë fërkim të përhershëm ndërmjet dy vendeve mund ta shfrytëzoi Kosova, në relacion me ndalimin e zgjerimit të influencës ruse në Ballkan. Si pjesë e këtij dimensioni nuklear është edhe interesi amerikan në kufizimin e fuqisë dhe mundësive nukleare të Koresë Veriore dhe Iranit. Temë tjetër që prek direkt në skenën e brendshme amerikane është edhe preokupimi i opinionit publik të saj me çrrënjosjen e ISIS-it dhe ekstremizmit fetar e akteve terroriste, me të cilat SHBA-të kanë pasur sukses të konsiderueshëm dhe të cilat kanë qenë pjesë e një tragjedie të brendshme, me të cilën Amerika ka pasur nevojë të ballafaqohet. Në këtë mozaik janë edhe Afganistani, Siria, Iraku dhe shtetet në fqinjësi të tyre, që ndërlidhen edhe me përplasjet e civilizimeve. Si pjesë e kësaj nxitjeje të brendshme janë edhe mbrojtja e interesave ekonomike amerikane përballë Kinës dhe disa shteteve evropiane, me instalimin shtesë të ngarkesave tarifore.
Evropa qëndron në rrethin dytësor të sferës së interesave gjeostrategjike amerikane, e ndërlidhur me sigurinë e përgjithshme evropiane nën moton shekullore “Një Evropë e lirë dhe e plotë”. Përkundër faktit të një Trashëgimie të përfshirjes së politikës së jashtme amerikane në Evropë, në të cilën hyn edhe Ballkani e Kosova, ky angazhim tani është i qëndrueshëm vetëm në ato pika në të cilat interesat e tanishme ndërlidhen me instrumentet e përbashkëta të sigurisë me Aleatët Evropian, dhe kjo është NATO-ja. Në kontekstin e Kosovës, ky interes bëhet edhe më i fort për shkak të strukturës ushtarake të KFOR-it si pjesë e NATO-së që gjendet në Kosovë, duke e përfshirë edhe kontingjentin ushtarak amerikan. Prezencë amerikane ushtarake ka edhe në fqinjësi të Kosovës, në Bosnjë.
Një faktor tjetër që ka qenë i favorshëm për Kosovën është fakti se në fillet e krijimit të strukturës qeverisëse të Presidentit Trump, ka mbizotëruar elementi ushtarak me Gjeneralët në krye të institucioneve më të rëndësishme të sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme amerikane. Në këtë bazë, të një trashëgimie ushtarake udhëheqëse amerikane, që ka qenë e përfshirë edhe në planifikimet ushtarake për çlirimin e Kosovës, është mbajtur relacioni i një kontuniteti në politikën e jashtme amerikan ndaj Kosovës. Ky rrjet i gjeneralëve ka përfshirë Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster, udhëheqës në emër të Presidentit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane, i cili është edhe organi më i lartë i SHBA-së për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme amerikane, si dhe mpiksë në vete qëndrimin final të Presidentit të SHBA-së; James N. Mattis Sekretari i Mbrojtjes dhe personi më i besuar i Presidentit Trump; si dhe Shefi i Stafit të Presidentit Gjeneral John Kelly. Si ilustrim i rëndësisë së Këshillit të Sigurisë Kombëtare Amerikane duhet të theksojmë që në vartësi të tij në funksion të krijimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare amerikane janë të gjitha Sekretariatet dhe Departamentet kryesore, duke e përfshirë atë të Mbrojtjes, Shtabin e Komandantëve të Bashkuar, Departamentin e Shtetit, CIA dhe institucionet e tjera të rëndësishme.
Vendimet e tij janë obligative për këto Departamente dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore të SHBA-së. Strukturat e tjera më të ulëta janë të lidhura me Departamentet përkatëse, sikurse përfaqësuesit diplomatik të cilët nuk kanë asnjë rol në përcaktimin e politikës, përpos asaj të përfaqësimit të politikës zyrtare, të hartuara në strukturat e cekura më lartë.
Pas zëvendësimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare me John Bolton, i cili ka një qasje më fleksibile ndaj Kosovës, mbetet Gjenerali Mattis si përfaqësues në këtë organ dhe baza themelore e përkrahjes ndaj Kosovës. Për momentin, ai është shtylla që e mbanë gjallë kontributin, kontuinitetin dhe përkrahjen qenësore të politikës së jashtme amerikane ndaj Kosovës.
Përkrahja e një marrëveshje të mundshme të përbashkët paqësore për ridefinimin e kufijve nga ana e Këshilltarit të ri Bolton, mund të shihet vetëm nën prizmin e një qasjeje më krijuese në gjetjen e një zgjidhjeje që do të ishte e favorshme për të dyja palët, e jo si ndryshim i kursit të politikës amerikane.
Mbajtja nën kontroll e sigurisë dhe stabilitetit të Kosovës dhe rajonit, mbetet ende mjeti themelor i përcaktimit dhe veprimit të politikës së jashtme amerikane ndaj Kosovës. Përkundër kësaj, një politikë amerikane qartazi e definuar për Ballkanin në përgjithësi, mbetet ende të definohet.
Këto fakte dhe ndryshimet konstante në skenën e politikë bërjes amerikane duhet të jenë vërejtje për veprim më efikas lobues të Kosovës në SHBA-të, duke përkrahur edhe formimin e financimin shumë më të madh të Qendrave sipas modelit Izraelit, si dhe angazhimin e institucioneve dhe kompanive përkatëse që merren me këtë veprimtari.
Si përfundim, bisedimet eventuale për ridefinimin e kufijve ndërmjet shteteve të Kosovës dhe Serbisë, duhet të realizohen me kujdes dhe me parime të aprovuara;nën monitorimin, mentorimin dhe miratimin amerikan; si dhe të bazohen në reciprocitetin shtetëror, përkufizim sipas sipërfaqes së njëjtë territoriale, respektimin e interesave nacionale të Kosovës, mbajtjen nën sovranitetin e saj të popullatë shqiptare kudo që jeton në Kosovë dhe bashkëngjitjen e popullatës shqiptare të Luginës së Preshevës.
(Autori është historian – ekspert i politikës së jashtme amerikane ndaj Kosovës dhe Evropës Juglindore)