Udhërrëfyes i dialogut është Kushtetuta e Republikës së Kosovës
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se udhërrëfyes i dialogut është Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
“Udhërrëfyes që nga dita e parë kur e kam marrë detyrën për procesin e dialogut është Kushtetuta e Kosovës. I kemi rikonfirmuar parimet tona për dialogun duke besuar se këto parime i nxjerrin jashtë loje komplet konspiracionet e shumta për takimet gjoja jopublike që kanë ndodhur mes delegacionit kosovar dhe atij serb”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm dhe kjo nuk është shtruar asnjëherë para tij në tre muajt e fundit në çdo tavolinë të dialogut që ka marrë pjesë.
“E dyta, organizimi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket, që nënkupton se ruhet karakteri unitar i shtetit, se nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive në Kosovë dhe për të dyja këto parime të procesit të dialogut, kemi mbështetje të plotë nga partnerët tanë ndërkombëtarë , dhe Parimi i tretë, që marrëveshja duhet të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky proces duhet të rezultojë vetëm me njohje reciproke dhe assesi të mos mbetet një proces që e konsumon vetëm veten dhe që nuk prodhon rezultate në fund”, ka shkruar Hoti.
(M.Q / Epoka e re)