Udhërrëfyesi i ri për vizat, Selimi: BE-ja është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste

28 qershor 2022 | 14:24

Ish-kryediplomati Petrit Selimi, ka thënë se nëse vërtet ka një udhërrëfyes të ri për Kosovën është politikë raciste.

“Katër vjet pasi Kosova përmbushi 100 për qind  udhërrëfyesin më të gjatë të liberalizimit të vizave Oliver Varhelyi shpall një ‘udhërrëfyes’ të ri për Kosovën për të përmbushur më shumë kushte për ‘korrupsionin’ dhe ‘kontrabandën’. Nëse kjo është e vërtetë, le të mos jetë gabim: BE-ja tani është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste”, ka shkruar Selimi në llogarinë e vet në  “Twitter”.

Selimi ka thënë se BE-ja nuk e kishte problem të miratonte lirinë e vizave me Meksikën, Hondurasin, apo edhe me Venezuelën e Maduros, por se këtë e ka me Kosovën.

“Kosova është vendi më pro BE-së në Ballkanin Perëndimor, më pak e korruptuar dhe nuk është në asnjë listë të lartë të azilkërkuesve për vite me radhë. Varhelyi thotë se holandezët dhe francezët po kërkojnë një udhërrëfyes. Kjo mund të jetë e vërtetë”, ka shkruar Selimi.

Po ashtu, Selimi ka thënë se nuk ka faj për këtë zvarritje jo vetëm Holanda dhe Franca, por se të gjithë shtetet anëtare që e mbështesin këtë qëllimisht.

“Por, është BE-ja që kolektivisht është e angazhuar në izolimin e të gjithë kosovarëve në një kafaz. Nuk është holandeze. Ose franceze. Është BE-ja. Të gjithë anëtarët kolektivisht dhe të gjitha institucionet në Bruksel kanë vendosur përmes veprimeve të qëllimshme, apo mosveprimit, të na mbajnë si qen të tërbuar në kafaz”, ka shkruar Selimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Toronto prezanton goditjen e merkatos, ish-sulmuesin e Napolit, Lorenzo Insigne.…