Udhëtarët e linjës Milano-Prishtinë u përballen me situatë të pakëndshme për faj të kompanisë ajrore
Udhëtarët e linjës Milano-Prishtinë të cilët kanë udhëtur me kompaninë Wizz Air kanë përjetuar situatë të pakëndshme në fluturimin e ditës së sotme.
Një lexues i Klankosova.tv, udhëtar në këtë fluturim, tregon se kompania ka shitur më shumë bileta se sa kapaciteti i ulëseve në aeroplan, duke lënë pasagjerët të revoltuar.
“Ishte një burrë bashkë me gruan dhe vajzën brenda në aeroplan, ndërsa djali i kishte mbetur jashtë pasi nuk e kanë lënë fare të hynte brenda. Gruaja kishte siguruar ulësen, ndërsa burri dhe vajza mbetën në këmbë”, tregon lexuesi ynë.
“Burri në fjalë, që ishte shqiptar me pasaportë zvicerane, nuk ka pranuar të largohej nga aeroplani assesi, duke thënë se ‘edhe nëse ma sillni policinë, unë nuk do të dal’. Më pas stjuardesat kanë nisur t’i kërkojnë dy persona me emrin Shabani, por që nuk i kanë gjetur, edhe pse na i kanë kontrolluar dokumentet gjithsecilit për t’i gjetur ata”.
“Më pas kanë vendosur që nga aeroplani ta largojnë një vajzë italiane, e cila nuk ka treguar rezistencë, duke i premtuar kompensimin dhe biletën për fluturimin e radhës”, rrëfen lexuesi ynë.
Më tej ai vazhdon se edhe pas kësaj, sërish duhej edhe një vend i lirë, kështu që kanë kërkuar për një vullnetar që të tërhiqej vet nga fluturimi, duke e shoqëruar me “kërcënimin” se nëse nuk gjendet vullnetari, aeroplani nuk do të nisej fare.
“Pas 30 minutash është lajmëruar një burrë vullnetar. Pastaj pasi na kanë bërë edhe një kontroll të bagazheve, aeroplani është nisur për Prishtinë”, përfundon ai.
Aeroplani, sipas tij, është dashur të nisej në orën 13:00, por që për shkak të telasheve, është nisur vetëm në orën 15:30.
Klankosova.tv ka dërguar pyetje në drejtim të kompanisë WizzAir për t’u interesuar për rastin, dhe në momentin që marrim përgjigje, do ta publikojmë.
Çka është “overbooking”, ose rezervimi mbi kapacitetin
Overbooking, ose rezervimi mbi kapacitetin, ndodh kur linjat ajrore shesin më shumë bileta sesa vende në një fluturim të caktuar. Kjo praktikë menaxhimi bëhet për të maksimizuar fitimet, duke qenë se një përqindje e vogël e pasagjerëve zakonisht e anulojnë ose nuk arrijnë në kohë për fluturimin.
Linjat ajrore përdorin statistika dhe modele që parashikojnë sjelljen e pasagjerëve për çdo fluturim, bazuar në historikun e anulimeve ose mungesës së udhëtarëve. Megjithatë, këto parashikime ndonjëherë nuk dalin saktë, dhe ndodh që të gjithë pasagjerët me biletë të paraqiten për fluturim, duke tejkaluar numrin e vendeve.
Në raste të tilla, linjat ajrore ofrojnë stimuj për pasagjerët që janë të gatshëm të heqin dorë vullnetarisht nga vendi i tyre. Këto stimuj mund të përfshijnë kupona, shpenzime për akomodim ose bileta për fluturime të tjera. Nëse askush nuk pranon, linjat ajrore mund të zgjedhin disa udhëtarë për të mos udhëtuar, duke ofruar kompensim të detyruar sipas politikave dhe rregulloreve ndërkombëtare.
Kështu, megjithëse overbooking-u është një praktikë e zakonshme, ajo mund të krijojë momente të pakëndshme për pasagjerët, të cilët përballen me vonesa të padëshiruara, por nga ana tjetër mbetet një strategji e rëndësishme për efikasitetin e linjave ajrore.